1.5k 0

Pesë Mënyra Natyrale si të Largoni Aromat e Këqija nga Duart

Kur gatuani peshk, qepë apo përdorni hudhra me siguri përveç shijes ju vjen ndër mend edhe aroma e tyre nëpër duar gjatë gjithë ditës.

Nuk është aspak e këndshme dhe s’kërkon shumë kohë që të largohet plotësisht nga duart tuaja.

Duket sikur zgjidhja e vetme është evitimi i plotë i këtyre ushqimeve dhe përbërësve të domosdoshëm në kuzhinë.

Për t’i dhënë një zgjidhje më praktike dhe të kënaqshme problemit tuaj AgroWeb.org ju këshillon pesë mënyra të lehta të cilat mund t’i aplikoni direkt në shtëpi.

Çfarëdolloj arome e padëshiruar në duart tuaja do të largohet shumë shpejt duke ndjekur këshillat e më poshtme.

Limoni

Më i njohuri dhe i përdorur si në kuzhinë ashtu edhe në dezinfektimin e menjëhershëm kudo që t’a përdorni.

Prisni përgjysmë një limon të freskët dhe shtrydheni në duar dhe lyejini mirë ato, pas disa minutash lajini me ujë të bollshëm.

Nëse aroma është akoma e fortë dhe dominante, bashkë me dira pika limon përzieni dhe një lugë të vogël me sodë buke.

Uthulla

Uthulla luan të njëjtin rol  dezinfektues si limoni, prandaj mund ta përdorni në rastet kur doni të largoni aroma të këqija.

Lagini duart me pak uthull, shtoni pak sodë buke dhe fërkojini duart për disa minuta.

Më pas aromat e këqija do të jenë larguar.

Kripa

Metoda me kripën është fare e lehtë dhe mund ta bëni në çdo kohë.

Hidhni disa gramë kripë në duar, bashkë me pak ujë dhe do t’i keni menjëherë të pastra.

Enët e Inoksit

Enët e inoksit siç janë tenxheret apo kapakët do t’ju vijnë menjëherë në ndihmë me këtë problem.

Duket pothuajse si një metodë magjike, por është shumë e vërtetë dhe efikase.

Mjafton t’i fërkoni duart tek ndonjë enë inoksi, lugë apo pirun të pastër për disa minuta dhe aroma e keqe do të largohet.

Pasta e dhëmbëve

Nëse ju pëlqen aroma e mentes dhe ndjesia e freskët e pastës së dhëmbëve kjo zgjidhje do jetë idealja.

Lyeni duart me pak pastë dhëmbësh apo lëng listerinë, fërkojini për disa sekonda dhe më pas shpëlajini me ujë të freskët dhe sapun./AgroWeb.org