3.3k 0

Metodat dhe Sekretet si të Ruani 100% Cilësinë e Miellit në Shtëpi

Ruajtja e miellit duket gjëja më e thjeshtë në botë. Në të vërtetë, është krejt e kundërta.

Të gjitha llojet e miellit – ai shumëpërdorimësh, i grurit ose i përzier, kanë tendencën të prishen me kalimin e kohës, por edhe të transformohen në një mjedis të përshtatshëm për larvat mikroskopike dhe insektet.

Këto organizma ndodhin si pasojë e ruajtjes në kushte jo higjienike në konteinerë para dhe gjatë transportit, por edhe të tilla që transferohen në momentin e paketimit.

Nëse mendoni se pastërtia e kuzhinës tuaj luan një rol në ruajtjen e miellit, atëherë jeni të gabuar.

Ekspertët e përpunimit të miellit i treguan AgroWeb.org për një metodë mjaft interesante që e mban miellin të sigurt dhe të mbrojtur.

Sipas tyre, mielli duhet ruajtur tek zona e ngrirjes në frigorifer për dy ditë menjëherë pas blerjes.

Temperaturat ekstremisht të ulëta shkatërrojnë bakteret ekzistuese dhe larvat e padukshme në sy të lirë. Pas dy ditëve në ngricë, mielli duhet vendosur në një zonë të errët.

Ju duhet të tregoni shumë kujdes për miellin e grurit të plotë në krahasim me produktet e tjera të përpunuara.

Ushqyesit e shëndetshëm që gjenden tek drithi mund të ndikohen negativisht nga drita, nxehtësia apo lagështia.

Rëndësia e parandalimit-mos e teproni me sasinë e blerë

Mos u tundoni nga uljet e çmimeve. Përpiquni të tregoheni të arsyeshëm dhe të blini aq miell sa keni nevojë për të mbuluar nevojat e disa javëve.

Mielli përthith lagështi dhe rrjedhimisht mund të prishet shpejt.

Nëse mundeni, blini miell sa ju duhet për nevojat afatshkurtra, në të kundërt frenohuni nga dëshira për të blerë me shumicë.

Larg paketimeve të letrës  

Mënyra më e mirë për ta mbajtur miellin të freskët dhe për të parandaluar insektet, është ta transferoni miellin e blerë të paketuar me letër në qese plastike të mbyllura mirë ose në enë qelqi.

Insektet tërhiqen shumë pas ushqimeve të shëndetshme dhe nëse e gjejnë rrugën drejt tyre, nuk ka kthim pas, thonë ekspertët e AgroWeb.org.

Ne ju rekomandojmë që të gjeni një enë të përshtatshme që mund të izolohet mirë që ta mbani miellin të sigurt. NË ERRËSIRË. Mielli nuk duhet mbajtur mbi banak.

Drita dhe nxehtësia mund ta prishin miellin parakohe. Gjeni një vend të errët dhe të freskët në dollap dhe mbajeni miellin larg sobës ose zonave të nxehta të kuzhinës.

Freskia është e domosdoshme

Nëse e keni tepruar me blerjet e miellit, atëherë gjeni vend në frigorifer.

Orizi dhe mielli qëndrojnë më gjatë në enë të mbyllura fort në frigorifer ose tek zona e ngrirjes.

Mielli mund të qëndrojë në gjendje të mirë për një vit të plotë, nëse e ruani siç duhet.

Këshilla për blerje 

Blini drithin e paketuar dhe të mbrojtur mirë. Gjithmonë kontrolloni për datën e skadencës dhe zgjidhni atë të mëvonshmen.

Merrni në konsideratë kohën që mielli ka qëndruar nëpër magazine ose rafte. Mielli duhet të ketë një aromë freskie ose të mos ketë fare aromë.

Nëse nuhasni një aromë vajore ose myku, atëherë drithërat e kanë kaluar pikun e freskisë së tyre, ndaj hiqni dorë nga blerja.

Enët e duhura 

Nxehtësia, ajri dhe lagështia janë armiqtë e drithrave. Të gjitha prej tyre duhen ruajtur në enë të mbyllura fort me kapak.

Enët mund të jenë prej qelqi, plastike ose alumini. Mund të përdorni edhe qeset plastike që mbyllen me zinxhir, për sa kohë ato qëndrojnë të mbyllura mirë.

Shënoni datën e blerjes në mënyrë që të jeni të mirëinformuar mbi freskinë e produktit, herën tjetër që do ta përdorni.

Këshilla e fundit, – por jo nga rëndësia- e AgroWeb.org ka të bëjë me metodën më të mirë për ruajtjen e miellit.

Nëse e keni ruajtur miellin në qeset plastike dhe dëshironi të përdorni një sasi të caktuar, hapeni qesen vetëm në një cep, hidhni miellin që ju nevojitet dhe mbylleni qesen shpejt.

Paloseni dhe lidheni me një llastik në mënyrë që të ketë sa më pak ajër.

Më pas futeni në një qese tjetër paketimi me zinxhir dhe shënoni datën e blerjes. Nëse ka vend tek zona e ngrirjes ruajeni aty, në të kundërt mbajeni në frigorifer./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.