3.8k 0

Përse nuk Duhen Mbajtur Domatet në Frigorifer

Shumë fermerë këshillojnë që domatet të mos ruhen në frigorifer sepse mund të humbasin aspekte të rëndësishme të shijes.

Këtë e konfirmon edhe shkenca sipas të cilës, ruajtja në ambiente frigoriferike të domates ngadalëson procesin e pjekjes por ndikon në mënyrë dramatike tek shija dhe aroma e saj.

Mesa duket, temperatura e ftohtë tjetërson disa prej të dhënave genetike të varietetit të domates që përkeqësojnë shijen e saj.

Studimet të cilave u referohet AgroËeb.org tregojnë se pas 7 ditësh qëndrimi në frigorifer në temperaturë prej 3 gradësh, domatet humbasin shumë prej substancave që prodhojnë aromën karakteristike të domates.

Edhe nëse domatet qëndrojnë tre ditë në temperaturë ambienti pas ruajtjes në frigorifer, aroma e tyre nuk rikthehet.

Si T’i Ruani Domatet E Pjekura

Kur domatet janë pjekur siç duhet, ato mund të mbahen në një ambient të ftohtë me një temperaturë që varion nga 12 në 20 gradë Celcius.

Në këtë ambient ato mund të ruhen deri në 2 ditë pa rrezikuar aktivitetin e enzimave që tjetërsojnë shijen e domates.

Si T’i Ruani Domatet Jo Të Pjekura Mirë.

Në mënyrë absolute, këto domate nuk duhen futur në frigorifer.

Ato duhen mbajtur në temperaturë ambienti,  të vendosura në një shtresë të vetme dhe larg ndriçimit të drejtpërdrejtë të diellit.

Çelësi i freskisë është që domatet të ruhen kokëposhtë (pjesa e bishtit poshtë) deri sa të piqen siç duhet.

Arsyeja pëse duhen ruajtur kokëposhtë është se në këtë mënyrë pengohet tharja e domates dhe myku.

Një mënyrë për të siguruar jetëgjatësinë e domates jashtë frigoriferit është që në zonën e bishtit të vendosni shirit ngjitës.

Në rastin kur domatet janë jeshile vendosini kokëposhtë në një qese letre dhe lërini në një ambient të freskët deri sa të piqen plotësisht.

Sipas dëshirës, domatet mund t’i shfrytëzoni për përgatitjen e shumë salcave që mund t’i përdorni në gatime të ndryshme.

Këtu mund të mësoni si të përgatisni një salcë domate të thjeshtë në kushtet e shtëpisë./AgroWeb.org