629 0

Rritja e Çmimit të Energjisë – Si Mund ta Përballojmë me Disa Ndryshime

Qoftë për ngrohje, furnizim me karburant, apo për faturën e energjisë elektrike: konsumatorët duhet të paguajnë gjithnjë e më shumë para për energji. Cilat janë arsyet? A do të vazhdojë kjo tendencë?

Me fillimin e sezonit të ngrohjes së objekteve, çmimet e rritura ndjeshëm të energjisë po i rëndojnë familjet. Shtesat dyshifrore të përqindjeve brenda një viti po bëjnë që shumë gjermanë të humbin një pjesë të lirisë së tyre buxhetore. Rritja e çmimeve të energjisë ka një numër shkaqesh dhe efektesh – dhe ekspertët supozojnë se konsumatorët duhet të përshtaten me kostot më të larta të benzinës, gazit ose energjisë elektrike edhe në një periudhë më të gjatë.

Sa është rritur çmimi i energjisë?

Çmimet e energjisë e kanë rritur normën e përgjithshme të inflacionit në Gjermani muajt e fundit. Sipas Zyrës Federale të Statistikave, kostot u rritën me 12.6 përqind në gusht në krahasim me një vit më parë. Vajguri u rrit mesatarisht me 57 përqind, karburanti me 27 përqind.

Sipas portalit krahasues Verivox, kostoja mesatare e gazit natyror për një familje me një konsum vjetor prej 20.000 kilovat/orë do të jetë 1402 euro në vit në tetor 2021, rreth 300 euro më e lartë se një vit më parë. Konsumatorët do të duhet të paguajnë 9.3 përqind më shumë për energji elektrike në krahasim me vitin e kaluar. Një familje që ka nevojë për 4000 kilovat orë në vit tani do të paguajë 1255 euro, rreth 100 euro më shumë.

Si mund ta zbusin konsumatorët rritjen e çmimeve?

Konsumatorët kanë shumë mundësi, kur është fjala për kursimin e energjisë në jetën private. Për shembull, konsumi i energjisë elektrike mund të zvogëlohet duke përdorur pajisje elektrike ekonomike ose llamba LED. Ndërrimi i firmave furnizuesve të energjisë elektrike ose gazit tani mund të jetë me interes; portalet krahasuese ofrojnë udhëzime. Ata që duan të mbajnë kosto twqw ulëta të karburantit mund të përdorin aplikacione në telefonat inteligjentë, që u tregojnë drejtuesve të automjeteve kohët më të lira dhe stacionet e benzinës.

A ndihmojnë modifikimet në shtëpi?

Në shumë familje, kostot më të ulëta të ngrohjes ose energjisë elektrike janë gjithashtu të mundura përmes investimeve, për shembull me izolimin më të mirë të ndërtesave ose konvertimin në sistemet moderne të ngrohjes me gaz ose pompa ngrohjeje. Shumë masa subvencionohen me grante ose kredi shtetërore. Së fundi, një sistem me panele diellore zvogëlon ndjeshëm varësinë nga furnizuesi i energjisë elektrike./Burimi:DW

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.