2k 0

Të Dhurosh Lule – Cila Është Domenthënia e Tyre

Përse Dhurojmë Lule?

Njerëzimi i ka përdorur lulet për të komunikuar për qindra vite me radhë.

Në gojëdhënat e grekëve, romakëve, egjiptianëve dhe kinezëve të lashtë gjenden shumë shpjegime dhe referenca për mesazhet që përcjellin lulet.

Ama, vetëm në epokën Viktoriane të Anglisë (1837-1901) këtyre mesazheve dhe komunikimit nëpërmjet luleve, iu dha rëndësia e munguar.

Gjuha e luleve njihet si Floriografi dhe u njoh si një mënyrë komunikimi në një kohë kur njerëzit nuk e kishin aq të lehtë dhe jo aq të mundur për të shprehur mendimet e tyre të brendshme, ndjenjat e dashurisë, simpatisë, keqardhjes dhe vlerësimit.

Le t’i hedhim një sy traditave të ndryshme të dhurimit të luleve në botë, të cilat do ju ndihmojnë që për festat e Marsit të bëni dhuratën më të mirë e të përçoni mesazhin që ju buron vërtetë nga zemra.

Japonia

Dhurimi i luleve është një traditë e rrënjosur thellë në kulturën Japoneze, kryesisht për të sëmurët.

Ama këtu e ka një kleçkë. Sipas japonezëve, një të sëmuri nuk duhet t’i japësh kurrë lule në një vazo. Ata do të fyheshin rëndë prej një gjesti të tillë sepse mesazhi që përçohet është se dëshiron që sëmundja të zërë rrënjë.

Lulet më të preferuara në Japoni janë ato me ngjyrë të kuqe të cilat iu dhurohen partnereve, nënave dhe motrave.

Në rastet e zisë dhe humbjes, japonezët dhurojnë lule të bardha. Lulja e Irisit dhurohet kur merr lajme të mira ndërsa luledielli përçon mesazhin e adhurimit dhe besnikërisë.

Kina

Lulet janë një dhuratë shumë domethënëse në Kinë.

Lulet e bardha në përgjithësi dhe krizantemat në veçanti dhurohen në rastet e zisë, funeraleve e vdekjeve.

Luledielli në Kinë dhurohet në shenjë respekti. Trëndafili dhurohet në shenjë dashurie ndërsa tulipanët vlerësojnë inteligjencën.

Dahlia dhurohet në nder të të moshuarve dhe përcjell fat, ndërsa Bambuja dhurohet kur do t’i urosh dikujt sukses në financa.

Egjipti

Në Egjipt lulet dhurohen vetëm kur dikush është i sëmurë, ka ndërruar jetë ose do të martohet.

Për dasma, lulet më të preferuara në Egjipt janë: zambakët e ujit, trëndafili, irisi dhe krizantemat.

Rusia

Një nga shprehjet popullore më të bukura në Rusi thotë: “nëse zemrën e ke si trëndafili, atëherë goja jote do të nxjerrë vetëm fjalë me aromë të mirë”. Lulet në këtë vend asociohen shumë me dashurinë dhe numri i luleve duhet të jetë patjetër tek, në të kundërt ato duhet të shkojnë në ceremoni mortore.

Në takimin e parë me një femër, rusët dhurojnë një trëndafil të vetëm ose një luledele.

Lulet me ngjyrë të verdhë nuk dhurohen në çift sepse sinjalizojnë ndarjen.

Lulet e mbjella në saksi mund tu dhurohen vetëm grave në moshën e tretë ndërsa gonxhet vetëm për vashat e reja.

Franca

Në Francë, trëndafilat me ngjyrë rozë janë një dhuratë që mund t’i bësh çdokujt ama duhet të dhurohen në numër tek, përveç 13-ës e cila konsiderohet si ters.

Karafilat shmangen në Francë sepse përçojnë mesazhin e dashakeqësisë.

Trëndafilat e kuq i dhurohen vetëm personit që dashuron ndërsa lulet e verdha tregojnë tradhti.

Krizantemat dhe zambakët dhurohen vetëm për ceremoni mortore ndërsa lulet e bardha për dasma.