2.1k 0

Si të Zgjasni Jetën e Frutave dhe Perimeve në Shtëpi

Të gjithë e dimë që mjafton një mollë e prishur për të kalbur gjithë shportën me mollë.

Por a e dini që një mollë e kalbur mund të prishë edhe frutat që i keni vendosur aty pranë pa e menduar fort mirë?

Disa fruta dhe perime shërbejnë si nxitës të kalbjes të simotrave të tyre duke shkaktuar pasoja ekonomike tek konsumatori.

Çfarë duhet të dini? 

Mbajtja e disa frutave dhe perimeve pranë, në të njëjtën hapësirë në frigorifer, është e gabuar pasi mund të detyrohesh t’i hedhësh në plehra shumë shpejt.

E vërteta është që nëse një produkt kalbet, gazi i lëshuar brenda në frigorifer ul jetëgjatësinë dhe freskinë e një fruti ose perimeje tjetër aty pranë.

AgroWeb ka përgatitur një listë me produktet që mund të rrinë bashkë në frigorifer dhe të tjera që duhet t’i mbani sa më larg nga njëra-tjetrat.

Sipas të dhënave, qershitë nuk ndikohen nga efektet negative të gazit të lëshuar nga produktet e tjera, ndaj ato mund të kenë partnerë të shumtë frigoriferikë.

Mollët, dardhat, kajsitë, bananet, kivi, mango, pjeshkat dhe kumbullat lëshojnë gazra gjatë ruajtjes që çon në qullosjen dhe humbjen e ngjyrës dhe aromës.

Patatet dhe ato të ëmblat duhen mbajtur në një vend të freskët dhe të errët larg nga frutat.

Produkte të tjera të ndjeshme ndaj gazit në fjalë janë shpargujt, brokoli, karrotat, sallata jeshile dhe bizelet.

Qershitë dhe boronicat nuk prodhojnë gaz aq sa për të dëmtuar të tjerët dhe janë të paprekshme ndaj kalbjes së miqve frigoriferikë.

Barishtet mund të vyshken shumë lehtë edhe në frigorifer. Por nëse ato i mbështillni mirë në një letër të njomur kuzhine dhe në kontakt të limituar me ajrin, atëherë freskia e tyre do të zgjasë deri në 10 ditë.

Një tjetër mënyrë për t’ua zgjatur freskinë barishteve është nëse ato i fut në frigorifer të palara. Karrotat, panxharin e kuq dhe atë të bardhë ruhen në frigorifer. Manaferrat dhe rrushi gjithashtu duhen ruajtur në frigorifer.

Lexoni për këshillat e AgroWeb për zgjatjen e freskisë së frutave dhe perimeve

Frutat e pyllit – Ruhen në frigorifer, të palara dhe në paketimin fillestar.

Lulelakra – Ruhet në frigorifer të paketuara në një qese plastike dhe të vendosura kokëposhtë.

Shegët – Ruhen jashtë të paqëruara, por në frigorifer kur janë të qëruara, të ndara në kokrra.

Hudhra – Ruhet në cdo vend përveç frigoriferit. Mjafton të jetë vend i freskët dhe i errët. Kështu hudhra mund të ruhet deri në katër muaj.

Pjeshkët – Ruhen në paketim letre të hapura larg dritës.

Domatet – Duhet të rrinë larg dritës së diellit në mënyrë që të piqen në mënyrë të barabartë.

Ruajtja e duhur e ushqimeve

Së pari, është e rëndësishme që frigoriferi të jetë mjaftueshëm i ftohtë, me temperature nën 4 gradë Celcius.

Së dyti, në frigorifer duhet të ketë hapësirë të mjaftueshme. Ajri i ftohtë duhet të qarkullojë, pra frigoriferi nuk duhet mbushur plot.

Nëse e bëni këtë, atëherë ushqimet do të prishen më shpejt. Së treti, çdo lloj ushqimi duhet ruajtur vecmas dhe nuk duhet përzier me të tjera.

Mos harroni

Oksigjeni nuk është miku më i mirë i ushqimeve, përkundrazi përshpejton prishjen e tyre.

Mënyra më e thjeshtë për të mbrojtur shumicën e ushqimeve nga dëmtimet e shkaktuara nga oksigjeni është që produktet të ruhen në qese me vakum, pra pa ajër.

Nëse nuk keni qese specifike me vakum, merrni një qese normale, fusni produktet dhe duke i shtyrë ato në fund të qeses nxirrni sa më shumë ajër prej saj që të jetë e mundur.

Mbylleni qesen me një nyje dhe kështu ul nivelin e ekspozimit të produkteve ndaj oksigjenit dhe zgjatur jetën dhe freskinë e perimeve dhe frutave./AgroWeb.org