Banka ProCredit certifikohet me standardin e menaxhimit mjedisor ISO 14001:2015

425 0

Banka ProCredit certifikohet me standardin ISO 14001:2015, standard i njohur ndërkombëtar për Sistemin e Menaxhimit Mjedisor. Kjo certifikatë është lëshuar nga kompania TÜV AUSTRIA ALBANIA.

Në aktivitetet e biznesit, ProCredit Bank kujdeset që aktivitetet e saj të jenë të qëndrueshme dhe miqësore me mjedisin duke mbrojtur mjedisin dhe parandaluar ndotjen. Në sajë të ndërgjegjësimit të vazhdueshëm të punonjësve të Bankës, implementimit të standardeve mjedisore në procese të ndryshme si dhe investimeve të vazhdueshme efiçente të bankës në godinat e saj të biznesit, ProCredit Bank ka përmirësuar performancën e saj mjedisore duke reduktuar dhe konsumin total të energjisë dhe burimeve të tjera.

Kështu, gjatë 2016, banka ka reduktuar në vlerë absolute konsumin e energjisë elektrike me 12%, konsumin e letrës së printuar me 21%, konsumin e karburantit të përdorur për transport me 17% si dhe sasinë totale të emetimeve të dioksidit të karbonit me 15%.

Përveç ndikimit direkt në mjedis, Banka përkujdeset edhe për ndikimin indirekt në mjedis të klientëve tanë duke i këshilluar dhe përkrahur në përmirësimin e standardeve mjedisore. Tashmë, kjo analizë mjedisore dhe sociale është pjesë e pandashme e vlerësimit të klientëve të biznesit, që ndërlidhet me financimin e investimeve Eko që shërbejnë për përmirësimin e performancës mjedisore të klientëve.

Adela Leka, Drejtuese e Drejtorisë Ekzekutive e ProCredit Bank Shqipëri u shpreh se: “Certifikata ISO 14001:2015 rikonfirmon angazhimin e bankës ProCredit për krijimin dhe implementimin e një sistemi të plotë për menaxhimin mjedisor, në përputhje me rregulloret kombëtare dhe ndërkombëtare. Ky certifikim nga një kompani e jashtme, e pavarur, thekson faktin që Banka jo vetëm ka implementuar plotësisht këtë sistem, por vlerëson edhe përpjekjet e stafit tonë për përmirësimin e performancës mjedisore të bankës dhe promovimin e përqasjes mjedisore tek klientët dhe tek shoqëria në përgjithësi”.

Që nga viti 2009, banka ProCredit ka financuar mbi 40 milion Euro projekte përmes kredive Eko, që kanë pasur për qëllim investime në efiçencë të energjisë, energji të rinovueshme dhe investimeve të tjera “miqësore me mjedisin”.

Banka ProCredit do të vazhdojë të investojë në rritjen e ndërgjegjësimit mjedisor ndaj punonjësve të vet, klientëve, publikut të gjerë, si dhe përkrahjen e iniciativave qytetare në ruajtjen e mjedisit./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.