Biskota me Çaj – Zgjidhja e Shëndetshme Për Diçka të Ëmbël

1.4k 0

Këto ditë të ftohta janë perfekte për të shijuar një filxhan të ngrohtë me çajit tuaj të preferuar.

Me xhenxhefil, kanellë, çaj mali, boronice apo sherbelë e kamomili, ka një llojshmëri të pafundme sa çdo ditë mund të shijoni një ndryshe.

Shoqërueset më të shijshme të çajit janë padyshim biskotat.

Por AgroWeb.org ju sugjeron një recetë e cila i bashkon çajin dhe biskotat, për të krijuar një ëmbëlsirë të  shëndetshme.

Përbërësit

300g miell

160g gjalpë i zbutur

100ml qumësht i vakët

80g sheqer

2 të verdha vezësh

3 bustina me çaj jeshil (ose llojin tuaj të preferuar)

Pak kripë

Përgatitja

Për të përgatitur këto biskota vërtet fantastike si fillim do t’ju duhet që të ngrohni qumështin në një xhezve.

Aty do të vendosni bustinat e çajit dhe t’i lini për 10-15 minuta brenda në qumështin që e keni larguar nga zjarri.

Ndërkohë në një tas përzieni gjalpin e zbutur pak me sheqerin dhe kripën.

AgroWeb.org ju sugjeron që ta përzieni derisa të mos ndjeni më kokrrizat e sheqerit apo të kripës, që kërcasin.

Tani shtoni të verdhat e vezëve dhe rrihini me telin e kuzhinës derisa të jetë formuar një masë e plotë.

Pak nga pak nisni të hidhni miellin duke përzierë gjatë gjithë kohës brumin që do të krijohet.

I fundit përbërës që duhet të shtoni është qumështi me çajin.

Punojeni brumin e biskotave me duar nëse ju ndihmon me procesin.

AgroWeb.org ju sugjeron që ta mbuloni brumin me qese kuzhine dhe ta lini për të paktën një orë në frigorifer.

Më pas hapeni brumin në formën e një pete dhe me një gotë prisni brumin në forma rrethore.

Vendosini në tavë të lyer me gjalpë ose të shtruar me letër pjekjeje.

Piqini në furrë të ngrohur më parë me 180 gradë për rreth 15 minuta.

Pasi të jenë ftohur pak mund t’i pluhurosni me pak sheqer dhe kanellë e t’i shijoni me një gotë çaji./AgroWeb.org