Bregdeti shqiptar, aty ku notojnë plehrat

1.5k 0

Duna të tëra me plehra gëlojnë nëpër plazhet tona. Cigare, kanaçe, mbeturina ushqimesh, shishe dhe qese plastike si ‘dulcis in fundo’, që të bëjnë karshillëk, teksa të valëviten mbi kokë. Shqipëria është një vend i vogël, por jo përsa i përket ndotjes. Në këtë pike, ne kemi performancë të lartë. Zhvillimi i vrullshëm urban në vend ka kontribuar dukshëm që deti të ngjajë më shumë me një vend të hedhjes së mbeturinave.

Deti Adratik dhe Jon janë bërë pritësit e shkarkimeve urbane, industriale, bujqësore e blegtorale. Në to derdhen jashtë çdo kontrolli pesticidet dhe kimikatet e papërpunuara të tokave bujqësore, mbetjet organike, të cilat përmbajnë fosfor e azot, viruse e baktere patogjene, metale të rënda, etj. Rritja e numrit të banorëve në disa qendra urbane e ka bërë të pamundur procesin e vetpastrimit të detit, për shkak të sasisë së madhe të shkarkimeve urbane.

Perveç këtyre faktorëve, të cilët duhet të ishin nën menaxhimin dhe kontrollin e qeverive lokale, listës së gjatë i shtohen edhe plehrat e pafundme të lëna kudo përgjatë bregdetit, përfshi këtu edhe një ndër armiqtë kryesorë të gjallesave detare, qeset e plastmasit. Por ndotjet e drejpërdrejta nga shkarkimet në det apo plehrat nuk janë të vetmet që kontribuojnë në ndotje. Ndotja e lumenjve, sidomos nëpër zonat rurale, ku luginat e tyre jo rrallë janë vend-depozitimet e mbetjeve janë një tjetër burim papastërtie. Edhe ndotja e ujërave nëntokësore jep ndikimin e saj në këtë vorbull të madhe. Pastaj janë dhe anijet, të cilat pasi ankorohen në port shpesh lënë si “bakshish” naftën dhe mbeturinat e tyre. Çdo vit në Detin Mesdhe llogaritet që anijet lëshojnë afro 635,000 ton naftë bruto.

Vetëm pak muaj më parë në portin e Durrësit një anije derdhi një sasi të konsiderueshme nafte në det. Mungesa e rregullave për të siguruar një disiplinë më të fortë për sa i përket menaxhimit të mbetjeve të anijeve që ankorohen në port, ka ndikuar në ndotjen e mëtejshme. Një vit më parë, Ministria e Mjedisit i propozoi Këshillit të Ministrave vendosjen e një tarife për të gjitha anijet që ankorohen në port, e cila hyri në fuqi vetëm pak javë më parë. Por ndërkohë dëmi është bërë. Ujrat e Detit Mesdhe kanë një nivel shumë të ulët rinovimi të ujrave (80 deri në 90 vjet) dhe janë tejet të ndjeshme ndaj ndotjes. Deti Mesdhe përbën vetëm 1% të sipërfaqes globale detare, por trafiku i anijeve çisternë përmes këtij deti përbën më shumë se 20% të trafikut global.

Plazhi i Durrësit më i ndoturi

Zonat me ndotjen më të lartë në Durrës janë pranë Torres, Plepat dhe Ish kampi i pionerëve, rreth 10 herë mbi normën e lejuar. Në raportin e MMPAU 2009, theksohet se nga 21 plazhet e vrojtuara në Durrës, 90% klasifikohen Cilësi e Dobët dhe 10% Cilësi e Mjaftueshme . Këto përfundime e rendisin Durrësin si vendin me plazhet më të ndotura në vend. Ndotja në plazhet e qytetit të Durrësit është përkeqësuar shumë nga mungesa e kanalizimeve të ndërtimeve të reja, sidomos në zonën e Plazhit. Në të shumtën e rasteve situata është zgjidhur me gropa septike. Mirëpo ndërtimi i tyre në zona ranore dhe jo sipas parametrave bën që këto ujëra të derdhen krejt të papërpunuara në det. Në Patok bëjnë plazh lopët Ndërkohë që në zonën e Patokut, të vetmit vizitorë të detit janë kafshët, kryesisht lopë e dele, kjo dhe për shkak të amortizimit të rrugëve. Lumi i Lanës dhe i Ishmit derdhin të gjithë mbetjet në Detin Adriatik dhe ndotja ka infekuar gjallesat detare, duke bërë që peshkatarët të peshkojnë në zona të tjera.

Edhe Vlora

Plazhi i Vlorës është gjithashtu i pisët. Një nga zonat më të ndotura në Vlorë është Shkolla e Marinës ku plazhi është kthyer në një burim infeksionesh. Në këtë zonë prej 800 metrash numërohen plot gjashtë kanale të ujërave të zeza që derdhen direkt e në det. Ndotja në këtë anë të detit të Vlorës është 15 herë me e lartë se norma, e megjithatë kjo zonë është një nga plazhet më të populluara gjatë periudhës së verës. Situata është jo më pak problematike në zonën publike të Plazhit të Ri. Në këtë zonë dallohen lehtësisht katër kanale ujërash të zeza në mes të plazhit. Nivele të larta ndotjeje vërehen edhe në zonën e Plazhit të Vjetër. Nuk është çudi që zonat e Durrësit, Golemi dhe Vlorës kanë nivele të larta të ndotjes. Ndërtimet në mungesë të një plani urbanistik dhe pa kanalizime kanë qenë mallkimi i këtyre plazheve. Ajo që është më shqetësuese eshtë mungesa e planeve konkrete për të përmirësuar situatën. Prej vitesh, Instituti i Shëndetit Publik ka vënë alarmin dhe ka bërë thirrje për ndëhyrje të menjëhershme, por autoritetet nuk kanë marrë asnjë masë. Nëse këto ndërtime nuk do të kontrollohehen siç duhet dhe të ketë sisteme të mirëfillta kanalizimesh për ujërat e zeza dhe ujërat e pastra, bregdeti i Jugut do të mbetet thjesht një kujtim i bukur e i kaltër.

I gjithë Mesdheu është në rrezik

Një studim i publikuar nga BBC tregoi që rreth një mijë tonë plehra plastike po mblidhen me shpejtësi në Detin Mesdhe. Copëza plastike janë gjetur edhe në trupat e peshqve, balenave, breshkave dhe zogjve apo edhe tek disa lloje midhjesh në brigjet e Evropës Veriore. Si rrjedhojë e pasurisë biologjike të detit Mesdhe dhe përqendrimit të lartë të aktiviteteve ekonomike në të, impakti i ndotjes në jetën e njeriut dhe të gjallesave detare është shumë i madh. Sipas studimit materiale të shumta plastike po mblidhen në Detin Mesdhe me ritme shumë të shpejta, pothujase si të oqeaneve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.