Mënyra më e Mirë e Gatimit të Bullgurit – Shije dhe Shëndet

14.9k 0

Bullguri është një nga drithërat më ushqyes dhe më të shëndetshëm për organizmin e njeriut.

Ai gjen përdorim të gjerë jo vetëm në Turqi  por edhe në shumë vende të Lindjes së Mesme.

Bullguri është një formë e grurit të plotë që zihet shumë shpejt.

Për prodhimin e bullgurit, gruri i nënshtrohet një procesi unik pastrimi, parazierje, tharje dhe bluarje.

Ky drith kombinohet shumë mirë me:

  • Domatet e kuqe
  • Qepët
  • Specat jeshilë
  • Erëzat
  • Mishin

Në Turqi, bullguri serviret krah pjatave të mishit siç janë qoftet ose gjellërat me mish.

Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni një recetë të thjeshtë për përgatitjen e bullgurit të shijshëm dhe të ushqyeshëm.

Bullgur Me Qepë, Speca e Domate

Për përgatitjen e kësaj recete ju nevojiten:

1 filxhan çaji bullguri kokërr-madh

1 qepë mesatare e grirë hollë

1 spec jeshil i prerë në copa të vogla

1 domate mesatare e preë në copa

2 filxhanë çaji me lëng të mishit të pulës ose viçit

1 lugë gjelle gjalpë

Një lugë e gjysmë gjelle salcë domate të trashë

1 lugë gjelle vaj ulliri ekstra të virgjër

1 lugë çaji kripë.

Përgatitja:

Vendosni një tenxhere në zjarr dhe hidhni vajin e ullirit.

Kaurdisni qepën dhe specin jeshil për disa minuta deri sa të zbuten.

Shtoni domatet, gjalpin dhe salcën e domateve dhe më pas kripën.

Përziejeni mirë dhe më pas shtoni lëngun e ngrohtë të mishit të pulës apo viçit.

Përziejeni mirë dhe lëreni të marrë një valë të plotë.

Kur kjo të ndodhë, uleni zjarrin dhe mbulojeni tenxheren me kapak.

Lëreni bullgurin të ziejë për 15 deri në 20 minuta ose deri sa ai të jetë i butë dhe të mos kërcasë në gojë.

Hiqeni tenxheren nga zjarri dhe lëreni të ftohet pak.

Bullguri serviret i ngrohtë dhe është shoqërues i shkëlqyer i mishit të skarës, mishit të pulës ose çfarëdo gjelle tjetër me mish. /AgroWeb.org