Ndryshimet klimatike pritet të rrisin vdekshmërinë në Shqipëri

433 0

Ndryshimet klimatike nuk janë shaka.

Në Shqipëri deri në vitin 2050 mund të vdesin afro 250 njerëz në vit si pasojë e ndryshimeve në dietën ushqimore për shkak të klimës. Studimi i fundit mbi ndryshimet klimatike tregon se në të gjithë botën 500.000 njerëz në vit, mund t’i thonë lamtumirë kësaj bote.

Shqetësues është fakti se Evropa është më e prekura, ku Greqia dhe Italia kanë gjithashtu shifra alarmante me respektivisht 124 dhe 89 vdekje për një millionë banorë në vit. Ndryshimet ekstreme të motit, si përmbytjet dhe temperaturat e larta, sipas ekspertëve të studimit të publikuar në “The Lancet medical journal”, do të shkatërrojnë të mbjellat dhe sigurimi i ushqimit mund të pakësohet me një të tretën deri në vitin 2050. Kjo do të çonte në një ulje prej 99 kalorish për person në ditë, duke ndikuar drejtpërdrejt në peshën trupore të njeriut.

Në ndryshim nga modelet e tjera, në këtë studim shihet cilësia dhe jo vetëm sasia e ushqimit të disponueshëm në një planet më të nxehtë dhe implikimet e tij në shëndetin e njerëzve.

“Qoftë edhe një ulje modeste në furnizimin me ushqim për person mund të çojë në ndryshime në përbërjen dhe në përmbajtjen e energjive në dietën ushqimore, që lidhen më pas me efekte negative në shëndet”, thuhet në studim.

Shqipëria është ndër vendet me rrisk ndaj ndryshimeve klimatike. Sipas një raporti të publikuar nga Banka Botërore, sektori bujqësor në Shqipëri është shumë i ndjeshëm ndaj këtyre ndryshimeve.

Në veçanti, zonat rurale mendohet se do të preken më shumë ndaj këtyre ndryshimeve, duke qenë se ato varen në mënyrë të drejtpërdrejtë nga prodhimi bujqësor.

Ngritja e temperaturave dhe ulja e sasisë së reshjeve ne vend, sigurisht që nuk janë në favor. Në raportin e Bankës Botërore thuhet se këto ndryshime do të ndodhin kryesisht gjatë muajve të verës. Maksimumi i reshjeve do të shkojë në 6.9 mm në vitin 2050 me një rënie prej 23 mm gjatë muajve të verës, duke i dëmtuar kështu produktet e sezonit. Ndërkohë që për vitin 2100 parashikohen ulje akoma më drastike me gati 54 mm në muajt e verës.

Çka tregon edhe një herë ndikimin e madh që do të kenë ndryshimet klimatike në vend, duke ulur kryesisht prodhimin e fruta-perimeve. Produkte, që janë thelbësore për një dietë të shëndetshme dhe ndikojnë drejtëpërdrejt në rritjen e vdekshmërisë.

Shqipëria është seriozisht e rrezikuar, duke u renditur mes vendeve me nivelin më të lartë të vdekshmërisë në botë, si pasojë e ndryshimeve klimatike, që do të ndikojnë në ushqimin tonë./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.