Qytetet shqiptare që do të fundosen nga deti

1.3k 0

Durrësit, Lezhës, Vlorës dhe ndonjë cepi tjetër të vogël parajse në bregdetin Adriatik mund të bëheni gati shpirtërisht për t’i thënë lamtumirë.

Disa nga plazhet e bukura ku morët diell e u krodhët në det do të shkatërrohen aq sa në disa prej tyre nuk do të gjeni më vend as sa për të shtrirë peshqirin. Parajsën tonë do ta marrë uji. Mund të tingëllojë pak si e ekzagjeruar, por është fakt që kjo është e ardhmja që na pret.

Këto parashikime që tregojnë për fundin e botës nuk janë asgjë e re, pasi prej kohësh flitet, studiohet dhe analizohet rritja e nivelit dhe kanosja që na bëhet. Në morinë e studimeve mbi rritjen e nivelit të detit, shkencëtarët kanë parashikuar që rritja do të shkojë 3-6 metra në të gjithë botën deri në vitin 2100.

Raportet nuk tregojnë me ekzaktësi se kur uji do të nisë të përmbysë qytetet, por emetimi aktual i gazeve serrë do ta nisë procesin e fundosjes në vitin 2200. Pra në pesë apo gjashtë breza, Shqipëria do të përballet me një det që do të rritet në një metër. Dhe nëse nuk e keni krijuar akoma idenë se çfarë impakti do të ketë rritja e detit në zonat bregdetare, mbahuni fort kur të shihni se si Kune Vain, Patok, Durrës dhe Narta në Vlorë të zhyten totalisht nën ujë. Siç dhe tregohet në hartë, sipërfaqe të tëra të këtyre zonave duke përfshirë zona të banuara dhe tokë bujqësore do të përmbyten.

Sa më i lartë të jetë konsumi aktual dhe i ardhshëm i naftës, qymyrit e gazit, aq më shpejt sipërfaqet do të mbulohen nga deti. Por edhe nëse ne sot do të ndalonim së djeguri këto lëndë, ndotja me karbon që është aktualisht në atmosferë është mjaftueshëm e lartë që të krijojë një efekt në vitet e ardhshme. Por Durrësi është ai që i ka më pranë ditët e numëruara. Me një rritje të nivelit të detit me tre metra, qyteti antik do të mund ta vizitojmë vetëm me zhytje. E frikshme.

Zona e Adriatikut që rrezikohet nga përmbytjet me rritjen e nivelit të detit

Nga shumë studime të ndryshme, Shqipëria renditet në vendet me rrezikshmëri të lartë për sa i përket përmbytjeve, thatësirave, djegies së pyjeve, por për shkencëtarët shqetësimi më i madh është se janë ulur në minimum rreshjet e dëborës dhe nuk ka më depozitim të saj në mjat e maleve.

Sipas Petrit Zorba i Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, aktualisht raporti i reshjeve të dëborës me të shiut ka ndryshuar në mënyrë drastike, duke pasur më shumë shi dhe më pak dëborë dhe në sipërfaqe mbulimi më të vogla.

“Këto rreshje do të përfundojnë në rrjedhje sipërfaqësore në lumenj dhe në liqene, duke krijuar dhe situata përmbytjeje”. Shqipëria ka një nivel rreshjesh 1200-1400 mm në vit. Në zona si Malësia e Madhe shkon 3500-4000 mm rreshje në vit. Në zona si Korça dhe Erseka rreshjet shkojnë 800-900 mm në vit, të cilat kanë një shpërndarje jo të njëtrajtshme gjatë muajve të vitit.

Ekspertët kanë vënë re, se gjatë periudhave me reshje, sasia është ulur, ndërkohë që thatësira gjatë verës është rritur. Vendi ynë vlerësohet nga institutet ndërkombëtare si një vend i dekarbonizuar, për shkak të mbylljes së industrive të vjetra metalurgjike dhe mos-shkarkimit të gazrave në atmosferë, por nga tjetër ajo ka dëmtuar pyjet e veta dhe nuk po kryen investime afatgjata në ruajtjen dhe zhvillimin e mjedisit të saj.

Qytetet ne jug të vendit qe do të preken nga përmbytjet

Por nga ana tjetër ne nuk jemi përdorues të mirë të informacionit meteorologjik dhe hidrologjik dhe sipas studiuesve, zyrtarët dhe kompanitë e biznesit nënvlerësojnë të dhënat shkencore në projektet për të mbrojtur natyrën me plane afatgjata. Deri në vitin 2050, deti pritet të rritet deri në 24 dhe në 61 cm në 2100.

Kjo do të rezultojë me përmbytjen graduale të zonave bregdetare të ulëta, ndërkohë që lagunat do të shkëputen nga toka.

Ndërkohë që popullsia që jeton në zonat bregdetare, veçanërisht afër detit rrezikohet seriozisht nga rritja e nivelit të detit. Shtëpi, hotele, rrugë dhe tokë bujqësore që ndodhen në zonën e poshtme të Adriatikut do të përmbyten. Butrinti do të jetë thjesht një kujtim. Lezha? Do të jetë nën pronësinë e detit.

Plazhet në zonat e prekura nga rrëshqitjes e tokës (ato të Shëngjinit, Kune-Vain, Tale, Patok, Ishëm), dhe një numër të konsiderueshëm fushash (të përftuara në fund të viteve 1950’ dhe në fillim të 1960’) do të përfshihen nga përmbytjet. Këto përmbytje do të gjejnë rrugën e tyre në segmente të rëndësishme të rrugëve lokale dhe kombëtare (duke përfshirë një pjesë të rrugës së re Fushë Krujë-Lezhë që kalon nëpër ish-Kënetën në Laç).

Burime të furnizimit me ujë të pijshëm (të vendosura në Lezhë dhe Laç), si dhe shumë akomodime dhe struktura turistike të cilat kanë qenë dhe vazhdojnë të ndërtohen përgjatë këtyre plazheve. Gjithashtu, përmbytjet do të ndikojnë pjesërisht në plazhet që ndodhen në territoret që ndodhen më në lartësi (ato të Durrësit, Golemit, Divjakë, Himarë, Borshit, etj), plus infrastrukturës së turizmit në ato zona.

Gjithashtu pritet të ndikojë edhe në tokën bujqësore (në ish-kënetat e Durrësit, Myzeqesë, Nartës, Vrug etj), si dhe në qendrat e banuara dhe infrastrukturën rurale, të cilat arrijnë deri në 50 cm mbi nivelin e detit.

Butrinti dhe Vlora do të jenë nën ujë vetëm me 3 metra rritje të nivelit të detit

Më shumë se një e treta e bregdetit Adriatik në Shqipëri është duke u gërryer – në një normë prej një deri në dy metra në vit, çka është përshpejtuar dhe nga heqja e zhavorrit dhe e rërës nga plazhet për industrinë e ndërtimit, ndërtimit të pakontrolluar përgjatë bregdetit, shpyllëzimi i zonave të mëdha bregdetare (edhe brenda zonave të mbrojtura) dhe zhvillimi i bujqësisë.

“Gërryerja është 100 ton dhera për hektar. Madje ka zona si juglindja, Erseka, Korça, Tomorri, Skrapari gërryerja arrin deri në 180 ton dhera për hektar. Ne kemi erodim edhe të tokave të sheshta bujqësore, edhe erodim të tokave të pjerrëta bujqësore për shkak të monokulturës, që kemi mbjellë në këto toka. Erozioni është në Shqipëri maksimal. Nuk ka vend në botë me këtë erozion; 100 ton dhera në vit nga 14 ton që është normalja; pra 8 herë më tepër së normalja”, shprehet ambjentalisti Sazan Guri.

Në fakt degradimi i tokës është identifikuar si një çështje madhore për Shqipërinë që ndikon jashtëzakonisht në cilësinë e jetës së gjithë secilit nga ne dhe ato të brezave të ardhshëm. Por veprimet duket sikur kanë mbetur vetëm në letër dhe në panele diskutimi, ndërkohë që qytetet tona shumë shpejt do të jenë nën ujë, toka do të rrëshqasë dhe pyjet dalëngadalë po zhduken. A mos ndoshta duhet t’i japim lamtumirën Shqipërisë tonë?! AgroWeb.org/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.