Si të Përgatisni Glikonë më të Veçantë të Stinës

2.2k 0

Vlerat kurative të limonit janë të shumta.

Limoni është mbreti i kuzhinës. Është ndër frutat më fantastike për t’u dhënë shije supave, sallatave, lëngjeve të ndryshme të frutave etj.

Vlerat kurative të tij janë të jashtëzakonshme për shëndetin dhe organizmin e njeriut. Por për amvisat shqiptare, limoni është gjithashtu një ndër frutat më të preferuara në përgatitjen e glikove.

Glikoja e limonit është paksa unike në shije, ajo vjen e plotë ndërsa mban të freskët aromën e limonit.

AgroWeb.org sjell një recetë fantastike të glikosë së limonit, shumë e lehtë për t’u përgatitur në shtëpi dhe një ëmbëlsirë shumë fisnike për t’u ofruar si gosti ndaj miqve ashtu si dhe për t’u shijuar me familjen.

Për të përgatitur këtë gliko të artë në pamje dhe në shije duhen: 12 kokrra limona, 6 gota sheqer dhe 4 gota me ujë.

Si fillim, pastrojmë limonat dhe nisim të grijmë imët me një rende pjesën e lëkurës për të hequr me kujdes sipërfaqen e lëkurës së limonit, e cila është e hidhur.

Pas procesit të pastrimit të lëkurës dhe grirjes së sipërfaqes me rende, me një thikë limonat i ndajmë në feta-feta dhe mbajmë vetëm pjesën e lëkurës së trashë duke hequr tulin (sipas preferencës tuli edhe mund të lihet).

Pasi bëjmë prerjen e limonave në feta dhe heqjen e tulit, marrim fetat i mbledhim në formë roleje dhe për të ruajtur këtë formë i shkojmë një gjilpërë me pe, duke shtrënguar vargun gjatë kohës që do lidhen.

Duhet të  bëni kujdes që në një varg të mos vendosni më shumë se 20 copë limona gliko. Pasi mbarojmë procesin e vendosjes së fetave të limonit në varg, përgatisim shurupin.

Në një tenxhere të madhe hedhim ujin dhe sheqerin. Pasi uji dhe sheqeri nisin të marrin një valë, hedhim brenda vargjet me limona. I lëmë të ziejnë për reth 25 minuta.

Kur masa të nisë të nxjerrë shkumë do të thotë se glikoja është gati. Hiqeni nga zjarri dhe lëreni të ftohet. Më pas hidheni në vazo të sterilizuara dhe mbajini në vend të freskët dhe të errët ose në frigorifer./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.