Çelet Sezoni i Ëmbël – Këtë Vit, Të Gjithë Sytë Drejt Luleshtrydheve Shqiptare

2.5k 3

Të ëmbla plot shije e lëng, siç i ka bërë nëna natyrë plot aromë direkt nga tokat e fermave shqiptare, luleshtrydhet e para kanë nisur të zënë vendin e tyre në tregun e frutave, në të gjithë vendin, por jo vetëm.

Falë cilësisë së tyre natyrale, luleshtrydhet shqiptare janë më të kërkuarat në tregjet europiane.

Të freskëta, direkt nga fermat e Fierit, Lushnjes, e Divjakës frutat e kuqe plot shije paralajmërojnë se tashmë sezoni i ëmbël i tyre ka mbërritur.

Çmimi i një kilogrami luleshtrydhesh është paksa i kripur për momentin, duke qenë se jemi vetëm në nisje të sezonit dhe furnizimet me këtë frut të mrekullueshëm janë disi të pakëta.

Si fillim sezoni, një kilogram luleshtrydhe kushton deri në 500 lekë të reja. Por me afrimin e pranverës dhe rritjen e sasisë së furnizimeve çmimet do të pësojnë ulje të ndjeshme.

Suksesi i Luleshtrydheve Shqiptare

Prodhimi në masë i luleshtrydheve të freskta në Shqipëri filloi vetëm para disa vitesh.

Rendimenti gjatë sezoneve të para ishte 40-50 ton për hektar.

Prodhimi bazohet në varietetin Kamarosa dhe disa varietete të tjera të ditës së shkurtër duke përfshirë Sabrina, Fortuna, Splendor etj.

Artur Vrushi, një prej grumbullesve të fruta-perimeve në Frakull të Fierit, është shprehur për AgroWeb.org se luleshtryshet janë shumë të kërkuara në Kosovë e Serbi.

Z.Vrushi thotë se në këtë periudhë çmimi është i lartë, rreth 500 lekë për kg pasi edhe sasia është e pakët.

“Në këtë periudhë mund të grumbullosh vetëm 18-20 arka dhe nuk mund të mbushësh dot një kamion eksporti. Zakonisht kur eksportojmë domate fusim edhe ndonjë arkë luleshtrydhe.

Grumbullimi është më mirë në shkurt kur edhe sasia shtohet, edhe çmimi bie.”

Zoti Vrushi tregon se prodhimi i luleshtrydheve në Frakull është dyfishuar.

Të Huaj Sytë Nga Shqipëria Për Biznesin e Luleshtrydheve

Çdo frut i luleshtrydhes vilet me dorë.

Në zonën e Kafarajt në Fier, janë pra mbi 80 hektarë të kultivuara me luleshtrydhe në serra tunel.

Mbjelljet e hershme të fidanëve fillojnë nga data 20 shtator deri 15 tetor dhe ato të vona nga data 25 tetor deri më 5 nëntor.

Vjeljet e para në sasi të limituara kanë filluar që nga 25 nëntori por prodhimi maksimal arrihet nga 15 marsi deri 15 maj.

Gjithsesi vjelja vazhdon deri në fund të qershorit. Tregu kryesor është ai lokal, kryesisht Tirana, por luleshtrydhet e kësaj zone eksportohen dhe jashtë vendit më së shumti në Kosovë dhe rajon.

Një prej sipërmarrësve Italianë në Shqipëri, Adriano Mazza ka gjetur “parajsën e luleshtrydheve” në Lushnje.

Ai ka provuar 14 varietete luleshtryshesh në Grabian nga të cilat 2 kanë rezistuar e që po i kultivon kryesisht për eksport.

Luleshtrydhet janë një investim i mënçur pasi në Shqipëri, thotë ai, pasi ato kanë 3 muaj prodhim ndryshe nga disa vende të tjera ku prodhimi zgjat vetëm 15 ditë.

Pozicioni i Shqipërisë me detin në Perëndim e bën shumë të favorshme klimën për këtë frut.”/AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.