Cili Është Ndryshimi Midis Një Sulmi Ankthi Dhe Një Sulmi Paniku?

847 0

Ju mund ta mendoni ankthin apo sulemt e panikut vetëm si një problem mendor, por në fakt mund të jenë edhe fizike.

Simptomat shpesh janë marramendje, të përziera dhe dhimbje gjoksi, por cilat janë ndryshimet midis një sulmi ankthit dhe një sulmi paniku?

Më poshtë AgroWeb.org shpjegon ndryshimin midis sulmeve të ankthit dhe sulmeve të panikut, plus ju njeh edhe me disa këshilla se si të përballeni me to.

Dallimet midis sulmit të panikut dhe sulmit të ankthit

Dallimi kryesor midis të dyjave është se sulmet e panikut zakonisht janë të përsëritura, ndërsa sulmet e ankthit jo.

Çfarë janë sulmet e panikut?

Sulmet e panikut janë momente intensive ku stresi fizik dhe psikologjik manifestohen së bashku.

Ato zakonisht zgjasin diku nga pesë minuta deri në gjysmë ore dhe mund të shoqërohen me simptoma fizike si:

Rrahje e shpejtë zemre

Djersitje

Të dridhura

Vështirësi në frymëmarrje

Dobësi ose marramendje

Mpirje e duarve

Dhimbje gjoksi

Dhimbje stomaku ose të vjella

Ankth ose frikë e madhe

Ndjenja se jeni jashtë kontrollit

Frika nga vdekja

Disa njerëz përjetojnë gjithashtu dhimbje gjoksi, e cila zakonisht ngatërrohet me një atak në zemër

Ajo që i bën sulmet e panikut edhe më të rënda është paparashikueshmëria e tyre.

Ato mund të shkaktohen nga frika dhe një fobi specifike, por gjithashtu mund të ndodhin papritur dhe pa paralajmërim.

Ky fillim i papritur dhe i pakontrollueshëm mund të shkaktojë një efekt të dëmshëm domino ku frika nga vetë sulmet e panikut bëhet një burim ankthi.

Gjendje të tjera që shkaktojnë simptoma të sulmit të panikut

Sipas të dhënave të AgroWeb.org, problemet e mëposhtme shëndetësore mund të shkaktojnë simptoma të ngjashme me ato të sulmeve të panikut:

Sëmundjet e zemrës

Diabeti

Problemet e tiroides si hipertiroidizmi

Çrregullime të frymëmarrjes si astma

Përdorimi i drogës

Disa tumorre të rralla

Efektet anësore të disa ilaçeve

Çfarë janë sulmet e ankthit?

Edhe pse simptomat e sulmeve të ankthit janë të ngjashme me sulmet e panikut, dallimi kryesor mes tyre është arsyeja që i shkakton ato dhe frekuenca në të cilën ndodhin.

Ndryshe nga sulmet e panikut, sulmet e ankthit zakonisht kanë një shkak të njohur. Për shembull kur stresi për një problem të caktuar rritet aq sa situata përshkallëzohet në një sulm ankthi.

Simptoma të tjera mund të jenë vështirësia për t’u përqendruar, për të fjetur dhe lodhja.

Çfarë i shkakton këto çrregullime?

Ankthi është një reagim normal ndaj stresit. Ndonjëherë njerëzit mësojnë të jetojnë me ankthin dhe kjo është arsyeja pse mund të jetë e ndërlikuar të kuptosh se kur çrregullimi bëhet kronik.

Disa nga shkaqet më të zakonshme janë frika apo shqetësimi i vazhdueshëm dhe i tepruar për një gamë të ndryshme temash, duke përfshirë punën, shkollën, financat dhe shëndetin.

Megjithatë shkaqet e sakta të çrregullimeve të ankthit kurrë nuk janë kuptuar plotësisht.

Ekspertët thonë se ka të ngjarë të përfshijnë një kombinim të faktorëve gjenetikë dhe nxitësve mjedisorë siç janë përvojat stresuese të jetës.

Si mund të trajtoni një sulm ankthi apo paniku?

Para së gjithash, uluni dhe stabilizohuni.

Për shkak se sulmet e panikut mund të shkaktojnë simptoma të forta fizike si rrahje zemre, vështirësi në frymëmarrje dhe marramendje, është shumë e rëndësishme të zini një pozicion ku nuk rrezikoni të rrëzoheni apo të aksidentoheni.

Përqendrohuni në frymëmarrjen tuaj.

​Merrni frymë thellë me hundë dhe nxirreni me ngadalë. Kjo do të ndihmojë në uljen e rrahjeve të zemrës dhe do t’ju japë një gjendje qetësie në trupin tuaj.

Mos harroni se ndjesitë janë të përkohshme.

Mund të jetë shumë e dobishme t’i kujtoni vetes se sulmi i panikut do të kalojë me kalimin e kohës, siç kanë ndodhur në të kaluarën.

Por nëse ky është sulmi juaj i pare, AgroËeb.org rekomandon të kërkoni kujdes mjekësor.

Prioriteti i parë në këto situata është përjashtimi i një urgjence tjetër mjekësore. /AgroWeb.org