Zbulimet e Reja – Faktorët e Rrezikut Për Sëmundjen e Parkinsonit

447 0

Një studim i realizuar nga mjekët e shërbimit të neurologjisë në Qendrën Universitare Spitalore Nënë Tereza, rezulton se prevalenca e sëmundjes së Parkinsonit në Shqipëri dy vite më parë ishte 8 persona për 1000 banorë.

Çfarë Është Sëmundja e Parkinsonit?

Sëmundja e Parkinsonit prek sistemin nervor qëndror dhe ka si bazë humbjen e qelizave të trurit që kryejnë funksione të caktuara siç është lëvizja, saktësia dhe shkathtësia.

Vite më parë besohej se kjo sëmundje prekte vetëm moshën e tretë, mbi 60 vjeç, por mjekët kanë vënë re shfaqje të Parkinsonit edhe në mosha të reja dhe në atë të mesme.

Cilat Janë Simptomat e Sëmundjes së Parkinsonit?

Kjo sëmundje mban emrin e neurologut James Parkinson i cili ka veçuar disa prej simptomave kryesore

Këtu përfshihej dridhja, kryesisht e duarve, e cila shfaqej kur pacienti ishte i qetë dhe zhdukej kur ai ishte në lëvizje.

Simptoma të tjera janë:

  • Ngadalësimi në shkrim e në ecje
  • Kërrusje dhe ecje me hapa të vegjël.
  • Muskuj të ngurtësuar
  • Mungesë ekuilibri

Me degjenerimin e sëmundjes, njeriu mund ta ketë të vështirë të artikulojë fjalët, të gëlltitet, të përtypet, të mbajë mend, të flejë, të urinojë e të humbasë shqisën e nuhatjes.

Faktorët e Rrezikut Të Sëmundjes së Parkinsonit

Rreziku i shfaqjes së kësaj sëmundjeje mund të varet nga faktorët e mëposhtëm:

Gjinia– Burrat janë 1.5 herë më të prirur të vuajnë nga kjo sëmundje se gratë.

Mosha– Rreziku i kësaj sëmundjeje rritet me moshën, megjithatë diagnozat mund të shfaqen edhe para moshës 50 vjeçare.

Genet– Në shumë raste, sëmundja shfaqet edhe tek pacientët që në historikun e tyre genetik nuk kanë pasur gjurmë të saj. Megjithatë, faktori genetik nuk përjashtohet në shumë raste të tjera, madje luan rol nxitës.

Shkaqet mjedisore-  Studimet kanë treguar një lidhje të mundshme mes ekspozimit ndaj kimikateve që gjenden tek pesticidet dhe metalet e rënda me sëmundjen e Parkinsonit.

Lëndimet në kokë- lëndimet e përsëritura në pjesën e kokës rrisin rrezikun e shfaqjes së sëmundjes së Parkinsonit, por diagnoza nuk është e garantuar./AgroWeb.org