Farat e Pishës, Biznesi i Artë Shqiptar i së Ardhmes

1.4k 0

Kuzhina e famshme italiane, ajo e largët orientale e shumë receta në mbarë botën kanë si element esencial në shije, farat e pishës.

Pasuritë më të mëdha i kemi mes nesh por i nënvlerësojmë pa dashur. Shqipëria është e bekuar me pyje pishash pafund në mbarë territorin e saj. Ndërkohë që pjesa më e madhe e farave të pishës importohet me çmime shumë të larta.

Shumë vende të Mesdheut, të pasura me pyje pishash prej disa vitesh kanë nisur kultivimin e farave të pishës.

Ato po e shndërrojnë këtë në një biznes fitimprurës. Në Itali, 1 kg fara pishe apo stika pishe shitet duke nisur nga 80 deri në 100 euro, kjo në varësi të cilësisë së produktit.

Ndërkohë çdo vit, tonelata me fara pishe shiten në tregun e brendshëm dhe tonelata të tjera eksportohen drejt Europës. Vetëm nga blerjet në tregun e brendshëm, të dhënat zyrtare në Itali tregojnë se sasia e shitur e farave të pishës kap vlerën e 48 milionë eurove.

Për fat të keq, në Shqipëri farat e pishave ndër vite kanë mbetur të nënvlerësuara. Shumë rrallë gjenden persona që merreshin me mbledhjen e boçeve të pishave, nxjerrjen e farave, përpunimin dhe tregtimin e tyre në vend.

Në hapat e parë të një biznesi fitimprurës

Mjaftojnë shifrat e përmendura më sipër për të kuptuar se pse ka vlerë mbledhja dhe përpunimi i farave të pishave shqiptare.

Por kohët e fundit duket se interesi për mbledhjen e boçeve të pishave dhe përpunimin e farave të tyre po gjallërohet. Emigrantë të kthyer në Shqipëri, kanë nisur hapat e parë në ngritjen e biznesit të përpunimit të farave të pishës.

Ata po shohin mundësitë për të investuar në këtë biznes ende të paprekur dhe të panjohur në Shqipëri.

Ata janë duke eksploruar zona të ndryshme të Shqipërisë të pasura me pyje pishash.

Interesi për shndërrimin farave të pishave shqiptare në një biznes të mirëfilltë pritet të shënojë një kthesë të fortë në lidhje me përpunimin e këtij produkti.

Sot, ky produkt është ndër më të kërkuarit e Europës dhe më gjerë.

Kuzhina e famshme italiane, ajo e largët orientale e shumë receta të tjera në mbarë botën kanë si element të tyre esencial në shije, farat e pishës. Në botë, farat e pishës shiten edhe në rrugë të pjekura mirë dhe të paketuara në letër.

Ato kanë një shije të ëmbël dhe krokante. Janë perfekt si ushqim mes vaktesh, por edhe gatime apo salca.

Pse Në Botë Kërkohen Kaq Shumë?

Krahas përdorimit të tyre në kuzhinë, farat e pishës janë fantastike për shëndetin.

Ato përmbajnë proteina, fibra, minerale dhe vitamina. Stikat e pishës janë një burim i pasur acidi pinoleik që në vetvete është një acid yndyror.

Farat e pishës janë një burim i shkëlqyer i yndyrnave të pangopura.

Kanë një funksion të rëndësishëm në uljen e kolesterolit në gjak. Një gjë e tillë ul rrezikun ndaj atakut në zemër dhe sëmundjeve kardiovaskulare.

Farat e pishës janë të pasura me hekur. Organizmi e përdor hekurin për shumë procese thelbësore siç është rregullimi i sistemit qendror nervor dhe qarkullimit të gjakut.

Një tjetër vlerë e shtuar e stikave të pishës është fakti që ato munden të ngadalësojnë procesin e plakjes.

Farat e pishës janë fantastike për të na dhënë energji. Ato janë të pasura me proteina të cilat organizmi ynë i përdor për të rregulluar indet e dëmtuar./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.