Ftonjtë Turshi, Receta Unike Dimërore

987 0

Ftonjtë konsiderohen si një frut mjaft festiv sidomos në stinën e ftohtë të dimrit.

Ata kanë një paraqitje të ngjashme me dardhën ose mollën e megjithatë mund të quhen kokëfortë, sepse është janë të vështirë për t’u ngrënë në formën e tyre të pjekur.

Si i pjekur, si i papjekur ftoi është shumë i fortë dhe i vështirë.

Ai duhet gatuar për të çliruar potencialin e tij të plotë. Pjekuria e ftoit dallohet nëpërmjet nuhatjes.

Nëse pjesa e bishtit të ftoit mban aromë lulesh të freskëta, atëherë ftoi është i pjekur.

Në traditën shqiptare, ftoi përdoret për përgatitjen e reçelit, prevedesë, shurupit apo glikosë.

Por AgroWeb.org sugjeron përdorimin e një recete unike që do të nxjerrë në pah të gjitha avantazhet e frutit.

Njihuni me ftoin turshi

Frutat e fermentuara janë të adhurueshme dhe janë një oaz i së ëmblës dhe të athtës.

Ftoi është një frut shumëpërdorimësh që gatuhet lehtë dhe bujar në vlera.

Në këtë recetë, fetat e ftoit zhyten në uthull molle, sheqer, kripë, dëllinjë, piper të zi dhe gjethe të njomë dafine.

Rezultati është një turshi e athët me nuanca të së ëmblës dhe pikantes.

Ftonjtë turshi të plotësuar me disa erëza të ngrohta, kombinohen mjaft mirë me mishin dhe djathin apo edhe sallatat dimërore.

Përbërësit

1kg ftonj

600ml uthull molle

50 g sheqer

50 gr kripë

6 kokrra dëllinje

12 kokrra piper të zi

4 shirita të lëkurës së limonit

Përgatitja

Vendosini të gjithë përbërësit përveç ftonjve në një tenxhere të madhe dhe lërini të ziejnë.

Përziejeni rregullisht deri sa sheqeri të shkrihet dhe më pas hiqeni nga zjarri.

Qëroni dhe ndani në gjysma ftonjtë. Përdorni thikë të mprehtë dhe hiqni farat.

Më pas ndajini ftonjtë në katër copë. Ngroheni lëngun e uthullës që keni ndarë mënjanë dhe shtoni ftonjtë.

Mbulojini me kapak dhe lërini të ziejnë deri sa ftonjtë të zbuten.

Kjo mund të zgjasë 20 minuta ose më shumë në varësi të fortësisë së ftonjve.

Më pas ftonjtë hidhini në kavanozë të sterilizuar duke përdorur një lugë druri.

Lëngu në tenxhere duhet zier deri sa të arrijë në 450 ml.

Kullojeni me një napë dhe hidheni mbi ftonjtë në kavanoz.

Hiqni lëkurën e limonit. Mbyllini kapakët e kavanozëve dhe ruajini ftonjtë turshi për një vit të tërë./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.