Hithra Për Më Shumë Hekur Në Organizëm – Si Ta Përdorni

2.8k 0

Hithra është një nga barishtet më të mira e të shëndetshme për organizmin.

Pavarësisht vështirësive në mbledhjen dhe pastrimin e saj, kjo barishte është përdorur prej qindra vjetësh për të trajtuar dhimbjet e kyçeve, muskujve dhe anemisë.

Hithra rritet kryesisht në Evropë, Azi dhe Amerikën e Veriut.

Ajo gjendet kryesisht në territore të pasura me nitrogjen, buzë lumenjve ose lëndina.

Fijet e holla të hithrës çlirojnë acid formik, një lëng që shkakton inflamacion në lëkurë, i cili mund të zgjasë për plot 12 orë.

Rrjedhimisht hithrat duhen mbledhur nëpërmjet përdorimit të dorezave, rrobave me krahë të gjata dhe pantallonave.

Pamjaftueshmëria e Hekurit

Hekuri është një mineral i domosdoshëm për shëndetin e njeriut dhe përdoret në shumë procese të metabolizmit.

Ai është i rëndësishëm për formimin e hemoglobinës, proteina që transferon oksigjenin në çdo qelizë të trupit.

Njerëzit që nuk konsumojnë mjaftueshëm hekur, janë më të predispozuar të preken nga anemia.

Kjo sëmundje shoqërohet me lodhje, dobësi, vështirësi në përqendrim, luhatje temperature dhe çrregullime të sistemit imunitar.

Hithra E Pasur Me Hekur

Një studim i kohëve të fundit i Universitetit Bastyr në Uashington të Shteteve të Bashkuara vëren se hithra duhet konsumuar rregullisht nga njerëzit që kanë nevojë për hekur.

Për më tepër, hithra përmban edhe vitaminat A, B, K1 dhe C, të cilat e ndihmojnë trupin të përthithë sa më shumë hekur.

Si gjethet ashtu edhe rrënja e bimës vazhdojnë të përdoren në mjekësinë bimore, kryesisht në përgatitjen e tonikëve kundër simptomave të anemisë.

Gatimi i Hithrës

Hithra mund të gatuhet si çdo barishte tjetër. Ajo valohet dhe konsumohet si sallatë ose përfshihet në gatimet e brumit.

Hithra duhet mbledhur nga vende të sigurta ku nuk janë përdorur pesticide.

Ato të rritura në natyrë janë më të shëndetshme thonë shkencëtarët.

Çaji I Hithrës

Me hithrën mund të përgatisni edhe një çaj të shëndetshëm e të pasur me vitamina dhe minerale.

Përgatitja:

Vendosni hithrat, të thata ose të freskëta, në një çajnik.

Hidhni ujë dhe vendoseni çajnikun në zjarr.

Për një filxhan me hithra, ju nevojiten 2 filxhanë me ujë.

Çajin mund ta bëni të fortë duke hedhur më pak ujë, ose më të lehtë duke hedhur më shumë ujë.

Sapo uji të nisë të ziejë, hiqeni nga zjarri dhe lëreni të ftohet për pak minuta.

Më pas kullojeni dhe hidheni në filxhan.

Disa njerëz preferojnë të shtojnë pak sheqer, por edhe mjalti është një zgjidhje ideale.

Mund t’i shtoni akull nëse dëshironi./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.