Imuniteti larg tufës, kur pritet të arrihet ai në Shqipëri

364 0

Pandemia e Covid-19 ka hyrë në një fazë intensive në vendin tonë, por duket se deri tani, është bërë më pak se gjysma e rrugës në drejtim të imunizimit. Projeksionet e ekspertëve vendas dhe instituteve të specializuara ndërkombëtare tregojnë se, popullsia e Shqipërisë do të jetë nën presionin e pandemisë gjatë gjithë verës së këtij viti deri në vjeshtë, teksa mutacionet e reja që po përhapen kudo në botë rrezikojnë të përkeqësojnë pritshmëritë, por edhe rezultatet e vaksinave.

Instituti i Shëndetit Publik, njësia përgjegjëse për projeksionet dhe gjurmimin e pandemisë, ka ndërtuar 2 skenarë (me dhe pa vaksinë) se si do të zhvillohet përhapja më 2021 dhe në bazë të tyre, do të administrohet shëndeti i popullatës.

Në skenarin e parë, pa vaksinë, pritet rënie e infektimeve ditore në mënyrë të qëndrueshme, deri në muajin qershor, tha nëndrejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Dritan Ulqinaku. Rritja e numrit të infektimeve do të nisë sërish gjatë kohës së pushimeve të verës. Në mesin e qershorit, korrik dhe gusht, pritet rritje e kurbës, pasi lëvizjet do të bëhen më intensive. Shumë shqiptarë nga Kosova dhe emigrantë nga Europa do të drejtohen për pushime në plazhet tona, duke ndikuar në një qarkullim më të vrullshëm të virusit.

Në skenarin e dytë, i cili parashikon ecuri më intensive të vaksinimit deri në qershor, infektimet do të jenë më të zbehta gjatë verës, ndaj dhe pandemia do të jetë më e lehtë për t’u menaxhuar, tha Ulqinaku. Eksperti i ISHP-së shpjegoi se, kulmi i së gjithë pandemisë ka kaluar në muajin shkurt, duke shpjeguar se në të gjithë skenarët, presioni në shëndetin e popullatës dhe sistemin shëndetësor do të ulet. Tirana ka krijuar imunizim më të lartë në raport me qarqet e tjera, si pasojë e përhapjes më të gjerë, teksa shihet se ka nisur rritja e numrave në qarqet e vogla.

Të dhëna të tërthorta nga laboratorët që kryejnë analiza serologjike tregojnë se përafërsisht 30% e të testuarve kanë zhvilluar antitrupa ndaj virusit Sars –CoV-2. Numri i personave që zhvillojnë antitrupa është duke u rritur si përqindje në totalin e atyre që kryejnë testime, si rezultat i intensifikimit të pandemisë, sidomos në Tiranë. Të dhënat laboratorike tregojnë se imunizimi nuk pritet të ndodhë para vjeshtës.

Vaksinimi brenda 14-24 muajve

Imunizimi nëpërmjet vaksinës nuk po shikohet si një opsion para vjeshtës. Aktualisht kanë marrë dozën e parë mbi 16,800 persona. Ministria e Shëndetësisë sqaroi zyrtarisht se, plani i vaksinimit i hartuar nga Komiteti Kombëtar i Vaksinimit do të zhvillohet sipas dy skenarëve. I pari, skenari më ambicioz, parashikon të përmbyllet brenda 14 muajve kurse skenari i dytë, parashikon vaksinim në harkun e 24 muajve. Furnizimi masiv me vaksina për Shqipërinë nuk pritet të ndodhë shpejt për shkak të kontratave të vona të nënshkruara me kompanitë kryesore prodhuese, teksa qeveria e Shqipërisë nuk ka hyrë në negociata me prodhues të tjerë të vaksinës si Kina, Rusia etj.

Ekspertët e Shëndetit Publik e kritikuan mënyrën se si qeveria e ka administruar pandeminë. Liljana Ramasaço, ish-drejtoreshë e Institutit të Shëndetit Publik, tha se, qeverisë i doli jashtë kontrollit situata dhe i gjithë vendi u kthye në një spital me shtretër spitalorë në shumicën e banesave të qytetarëve. Mungesa e transparencës me shifrat, kapacitetet e ulëta të testimit dhe gjurmimit i çuan zhvillimet pandemike jashtë kontrollit, tha Ramasaço. Nga ana tjetër, qytetarët u përballën me fatura të larta të kurimit dhe të papërballueshme për rastet e rënda.

Sipas saj, qeveria i la të vetëm qytetarët, pa asnjë mbrojtje, teksa vetëm 3% e të infektuarve u rimbursua për një mjekim të moderuar. Ajo tha se infektimet reale janë mesatarisht 7-8 herë më të larta se deklarimet zyrtare. Zhvillimi i pandemisë lajmëron se edhe këtë vit, ekonomia e vendit do të jetë nën presion dhe ky do të jetë një vit i vështirë, si në drejtim të shëndetit të popullatës dhe zhvillimeve ekonomike në vend.

30% e testimeve aerologjike, me antitrupa

Të dhënat laboratorike tregojnë se vendi është larg krijimit të imunizimit. Aristidh Nikollari, administratori i Qendrës së Diagnostikimit Biocheck, tha se përqindja e atyre që dalin imunë është e lartë. “Mbi 30% e testimeve serologjike shfaqin imunitet, pasi ka rritje të pacientëve asimptomatikë, apo të atyre që shfaqen me imunitet të fortë, që e kanë kaluar Covid-19 shumë lehtë, pa e kuptuar as si gjendje gripale, duke qenë se simptomat janë të njëjta. Ky numër pacientësh po rrit edhe përqindjen e imunitetit” – tha z. Nikollari.

Sipas tij, ecuria është tepër pozitive, pasi nëse brenda 2-3 muajsh, 40 apo 50% e popullatës fiton imunitet, parashikohet që në stinën e vjeshtës, të ulet emergjenca për vaksinim. “Nëse në 10 persona të infektuar, 6 prej tyre janë imunë, nuk ka nevojë emergjente për vaksinim, por nëse në 10 të infektuar, 2 prej tyre shfaqin imunitet, emergjenca për vaksinim ekziston” – tha më tej ai.

Kjo kërkon kohë – studimet sugjerojnë se duhen rreth 10 ditë për të filluar prodhimi i antitrupave, që mund të synojnë koronavirusin dhe pacientët më të sëmurë zhvillojnë përgjigjen më të fortë imune.

Studime të shumta tregojnë se jo të gjithë të prekurit nga Sars-CoV-2 krijojnë antitrupa, sidomos ata që e kalojnë me simptoma të lehta. Në rastin e Covid-19, shkencëtarët në Britaninë e Madhe kanë vërtetuar se, imuniteti qelizor vepron edhe në rastet kur të infektuarit nuk kanë zhvilluar antitrupa. Sistemi imunitar i njeriut ka memorie afatgjatë të luftimit të një virusi, por në disa raste, ajo është shumë e shkurtër. P.sh., fruthi është i paharrueshëm dhe imuniteti krijohet gjatë gjithë jetës. Megjithatë fëmijët mund të marrin RSV (virus sincital i frymëmarrjes) më shumë se një herë në një sezon dimëror.

Shkencëtarët nuk kanë ende përgjigje të sakta rreth imunitetit ndaj Sars-CoV-2, për shkak të kohës ende të shkurtër të zhvillimit të tij. Një studim i këtij viti, që u udhëhoq nga Instituti i Shëndetit Publik në Britani, tregoi se shumica e njerëzve që kanë pasur virusin janë të mbrojtur nga riinfektimi për të paktën pesë muaj.

Të dhëna që vijnë nga studime që përfshijnë koronaviruse të tjerë tregojnë se katër prej tyre prodhojnë simptomat e ftohjes së zakonshme dhe imuniteti është jetëshkurtër. Ndërsa studimet për Sars-CoV-2 treguan se disa pacientë mund të infektohen përsëri brenda një viti. Kërkimet në Kolegjin Mbretëror të Londrës sugjeruan se nivelet e antitrupave që vrasin koronavirusin u zbehën gjatë studimit tremujor.

Po shkencëtarët kanë vërtetuar se edhe nëse antitrupat zhduken, atëherë qelizat që i prodhojnë ato, të quajtura qeliza B, mund jenë ende aktive. Qelizat B për Gripin Spanjoll janë gjetur te njerëzit 90 vjet pas kësaj pandemie. Sipas ekspertëve, nëse reagimi i qelizave B do të ishte sa një e treta e reagimit në Gripin Spanjoll, atëherë një infeksion i dytë do të ishte më i lehtë se i pari.

Shkencëtarët thonë se ende nuk kuptohet se çfarë ndodh me qelizat T në planin afatgjatë për Sars-CoV-2, por qelizat T kundër Sars Origjinal (Sindroma e Rëndë e Mprehtë e Frymëmarrjes) janë gjetur 17 vjet më vonë. Testet laboratorike tregojnë se qelizat T, që janë krijuar tek të infektuarit me Sarsin e Origjinal në vitet 2002, kanë siguruar mbrojtje më të lartë për infektimet nga Sars-CoV-2.

Studimi britanik me mbi 6614 persona personel shëndetësor gjeti 44 riinfeksione në fillim të vitit 2021. Studiuesit arritën në përfundimin se riinfektimi është i pazakontë, por gjithsesi është i mundur dhe thonë se njerëzit duhet të vazhdojnë të jenë të kujdesshëm. Ekspertët thonë se riinfektimi ka të ngjarë të jetë i rrallë dhe me pak pasoja. Por ndërsa antitrupat zhvillohen në shumicën e të infektuarve, ato zhvillohen në nivele të ndryshme nga një person te tjetri. Antitrupat neutralizues janë më efikasët, pasi janë në gjendje ta ndalojnë atë duke infektuar qelizat e tjera.

Një studim i 175 pacientëve të rikuperuar në Britani tregoi se 30% kishin nivele shumë të ulëta të antitrupave neutralizues. Kjo është arsyeja pse Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë “se imuniteti qelizor, pjesa tjetër e përgjigjes adaptive mund të ketë rol thelbësor në luftimin e virusit”./Burimi:Monitor