Një Grusht me Fara, të Përmirëson Jetën

733 0

Pranojeni ose jo, farat e lulediellit janë mënyra më perfekte për të kaluar kohën.

E kush nuk ka përtypur fara vjedhurazi në orën e mësimit poshtë bankës apo në shtëpi teksa shihnit televizor?

Vështrimit qortues të mësueses i shtohej edhe breshëria me të këqiat që rendiste mamaja që nga, ‘ato i prek miu’ e deri tek ‘janë aq të dëmshme sa të shkaktojnë sëmundje’.

Por a na ndaloi kjo? Aspak. Ky në fakt është rasti kur është mirë të mos i dëgjosh prindërit pasi, siç dhe rezulton, një grusht me fara ndikon në mënyrë të jashtëzakoshme tek shëndeti ynë.

Shqipëria para viteve ’90 shquhej si prodhuese e farave dhe vajit të lulediellit.

Kodrina të tëra verdhonin në vend. Por me rënien e komunizmit dhe shkatërrimin e industrisë, ne prodhojmë vetëm fara për konsum.

Situata në Shqipëri

Sipas INSTAT, ne prodhojmë rreth 2.000 ton fara luledielli në vit nga 1.000 ha tokë të mbjellë, kryesisht të përqëndruar në zonën e Lushnjës dhe Beratit. Në total ne exportojmë 38 ton fara dhe importojmë 92 ton, siç tregojnë dhe të dhënat e vitit 2014. Asnjë kokërr farë nuk shkon për prodhim, por konsumohet e gjitha e paketuar në vend.

Eshtë e pamohueshme, që farat janë një produkt i dashur për shqiptarët, por përveçse për të vrarë kohën, farat e lulediellit janë tejet të shëndetshme dhe me shumë vlera ushqyese.

Ja se çfarë mund të bëjnë ato për ju:

1-Kontrollojnë dëmtimin e qelizave, duke ndihmuar në këtë mënyrë parandalimin e kancerit. Kjo pasi farat e lulediellit janë një burim i mirë me selenium, që është provuar si armik i kancerit.

2-Përmbajnë minerale të domosdoshme për shëndetin e kockave. Përveç kalciumit, kockat kanë nevojë edhe për magnesium dhe bakër për të qenë të forta. Farat e lulediellit i kanë të dyja këto minerale. Si bonus kanë dhe Vitaminë E, që ndihmon në lehtësimin e dhimbjeve të artritit.

3-Të mbajnë të qetë. Po! Magneziumi tek farat e lulediellit ka reputacionin që qetëson nervat, duke liruar në këtë mënyrë stresin, migrenën dhe ndihmon për t’u relaksuar.

4-I japin shkëlqim fytyrës. Dhe këtë ia dedikojmë rolit të Vitaminës E, e cila lufton rrezet UV, dhe e mban lëkurën të re.

5-Lehtësojnë problemet inflamatore, si dhembja e kyçeve, gastriti, ulçera, skuqja e lëkurës, azma. Kjo, sepse farat e lulediellit kanë shumë antioksidantë.

6-Vetëm një gjysëm filxhan me fara luledielli mban larg sëmundjet kardiake. Këto fara të vogla pengojnë kolesterolin e “keq” që të mos ngjitet në muret e arterieve, duke parandaluar në këtë mënyrë ataket e zemrës.

7-Me shijen e tyre unike, farat e lulediellit mund të jenë një produkt i shkëlqyer për t’u shtuar në dietën tuaj. Hidhini në sallatë, në kos, në sanduiç, oriz, makarona. Mundësitë janë aq të shumta sa dhe të mirat e këtyre farave të adhuruara nga dielli.

8-Përmbajnë fosfor, zink dhe minerale të tjera. Këto bëjnë të mundur që trupi të krijojë kocka dhe dhëmbë të fortë.

9-Përmbajnë shumë proteina. Një filxhan i vogël me fara përmban 7 gram proteina. Kjo proteinë i jep trupit energji përgjatë të gjithë ditës, duke e bërë një ushqim shumë të shëndetshëm.
Bëni kujdes!

Edhe pse konsumi i farave të lulediellit ka shumë të mira, sërish duhet të bëni kujdes kur i konsumoni, pasi ato mund të përmbajnë shumë kalori. Deri në 818 kalori dhe 72 gram yndyrna. Ndonjëherë ato mund të jenë dhe të kripura, gjë që dëmton shëndetin tuaj. Gjithashtu është e rëndësishme të mos e konsumoni lëvozhgën e farës, pasi mund të shkaktojë probleme me tretjen.