OKB – Mbetjet Farmaceutike në Shqipëri një Problem Serioz

929 0

Mbetje farmaceutike konsiderohet çdo pasije apo produkt që del nga zona spitalore apo farmacitë dhe mbart një rrezik infektimi apo kontaminimi.

Këtu përfshihen të gjithë medikamentet që përdoren në qendra spitalore, farmaci, ambulanca, dentist apo veteriner.

Këto mbetje ndahen në disa grupe të ndryshme për nga rëndësia dhe rrezikshmëria e tyre në organizëm e mjedis.

Janë ndër të vetmet që nuk mund të depozitohen në landfillet normale të qyteteve, për shkak të rrezikshmërisë së madhe që mund të përcjellin.

Në të gjitha vendet e zhvilluara të botës janë hartuar plane të detajuara menaxhimi dhe asgjësimi sa më efikas të këtyre mbetjeve.

Në këtë artikull nga AgroWeb.org ju tregojmë më shumë mbi këtë çështje dhe menaxhimin e këtyre mbetjeve në vend.

Situata në Shqipëri

Edhe në Shqipëri egziston një ligj për menaxhimin e mbetjeve për të gjithë vendin.

Gjithashtu edhe një vendim i veçantë për mbetjet spitalore i cili përcakton qartë të gjitha masat e nevojshme që duhen marrë për këtë çështje.

Megjithëse përgjatë 30 viteve të fundit, duket se  panorama e menaxhimit të këtyre mbetjeve nuk është ajo e paracaktuara nga ligji.

Këtë e konfirmon edhe një nga publikimet e fundit të OKB për Shqipërinë, ku thuhet se keqmenaxhimi i mbetjeve kimike është një problem shumë serioz.

Në publikimin zyrtar të tyre thuhet se shpesh mbetjet farmaceutike groposen në toka të hapura për njerëzit apo digjen në ambiente publike.

Rreziku që vjen nga këto mbetje është i madh dhe konstant, pasi mund të infektojnë jo vetëm tokën, të mbjellat, por edhe ujin e lumenjtë.

Në këtë mënyrë mund të krijohen probleme të mëdha si në mjedis ashtu edhe në popullsi, duke krijuar rrezik për sëmundje të ndryshme.

Në vitin 2015 në vendin tonë u kapën rreth 1 ton ilaçe të skaduara të depozituara në një lum në komunën Zall Herr shumë afër Tiranës.

Sipas OKB ky problem vazhdon ende edhe sot, e kryesisht për shkak të keqmenaxhimit kombëtar të këtyre mbetjeve kimike nga organet shtetërore.

Çfarë pritet të bëhet

Për të parandaluar këto probleme edhe në të ardhmen Shqipëria dhe OKB po bashkëpunojnë në një projekt 20 mujor që ka nisur në Shtator të 2019.

”Një projekt ambicioz për të vendosur dhe forcuar panoramën institucionale në vend dhe kapacitetet ndërkombëtare në menaxhimin e mbetjeve kimike” – thuhet në publikimin nga OKB.

Nën vazhdën e këtij projekti, Shqipërisë do t’i duhet të themelojë një Njësi Menaxhimi të Mbetjeve që do të varet nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Paisjeve Mjekësore.

Qëllimi më i madh i krijimit të kësaj njësie është menaxhimi i duhur i mbetjeve farmaceutike, si dhe reduktimi sa më i madh i tyre.

Gjithashtu, një nga pikat e forta të këtij programi është rritja e ndërgjegjes dhe informacionit mbi dëmet që këto veprime shkaktojnë tek njeriu dhe mjedisi./AgroWeb.org