Pekmezi i Shegës – Më i Ëmbli i Traditës Shqiptare

2.9k 0

Tradita shqiptare është e jashtëzakonshme në aftësinë për të shndërruar çdo produkt të natyrës në një mënyrë fantastike shijeje

Të ëmbla plot lëng e vlera, padyshim nuk ka si shegët e kokrrat e tyre të kuqe, të bukura plot shëndet.

Të shijshme si reçel e prevede apo edhe si shurup, shegët janë po aq fantastike edhe kur përgatiten si pekmez, përmes recetës unike të mjeshtërisë së amvisave shqiptare në kuzhinë.

Pekmezi i shegës është një mënyrë interesante për të përfituar vlerat e shegës, antioksidantët dhe vitaminat.

Receta e tij është trashëguar brez pas brezi nga gjyshet e nënat shqiptare dhe krahas përdorimit të tij për të ëmbëlsuar organizmin, pekmezi është përdorur dhe vijon të përdoret edhe sot për vlerat e tij kurative.

Ai është fantastik për lehtësimin e dhimbjeve të fytit dhe kollës, kur trupi preket nga gripi e virozat e stinës, sidomos në dimër.

Pekmezi përgatitet nga lëngu i shegës, sheqeri dhe lëngu i limonit.

AgroWeb.org u sugjeron më poshtë mënyrën e përgatitjes së pekmezit dhe shurupit të shegës si dhe pesë mënyra të përdorimit të tij në gatime të ndryshme.

Si ta Përgatisim Pekmezin e Shegës në Shtëpi

Përbërësit

  • 4 gota me lëng shege
  • Gjysëm filxhani me sheqer
  • 1 lugë gjelle me lëng të freskët limoni

Përgatitja

Për shurupin

Në një tenxhere hidhni lëngun e shegës, sheqerin dhe lëngun e limonit.

Vendoseni në zjarr dhe përzijeni vazhdimisht deri sa sheqeri të jetë shkrirë plotësisht.

Më pas uleni temperaturën dhe lëreni lëngun të ziejë për rreth 50 minuta deri sa e gjithë masa të arrijë në 1 gotë e gjysmë.

Lëngu duhet të jetë trashur si një shurup i mirëfilltë.

Hiqeni tenxheren nga zjarri dhe lëreni të ftohet për rreth 30 minuta.

Më pas hidheni lëngun në një kavanoz qelqi. Lëreni të ftohet plotësisht dhe më pas mbylleni me kapak dhe futeni në frigorifer ku mund të qëndrojë për deri në 6 muaj.

Për pekmezin

Në një tenxhere hidhni lëngun e shegës, sheqerin dhe lëngun e limonit.

Vendoseni në zjarr dhe përzijeni vazhdimisht deri sa sheqeri të jetë shkrirë plotësisht.

Më pas uleni temperaturën dhe lëreni lëngun të ziejë për rreth 70 minuta deri sa e gjithë masa të arrijë në 1 gotë.

Lëngu duhet të jetë trashur si një shurup i mirëfilltë. Hiqeni tenxheren nga zjarri dhe lëreni të ftohet për rreth 30 minuta.

Më pas hidheni lëngun në një kavanoz qelqi. Lëreni të ftohet plotësisht dhe më pas mbylleni me kapak dhe futeni në frigorifer ku mund të qëndrojë për deri në 6 muaj.

5 Mënyrat e Përdorimit të Shurupit apo Pekmezit të Shegës

  1. Në sallata – Pekmezi i shegës është ideal për sallatat sepse ka aciditet më shumë se lëngu i limonit apo uthulla. Ju mund të hidhni disa pika ose ta përdorni në të njëjtën sasi si uthulla e mollës.
  2. Në çajra të ftohtë – Pekmezin e shegës mund ta hidhni direkt në një gotë me ujë me gaz duke e transformuar atë në një pije freskuese dhe të shijshme.
  3. Me mish – Pekmezi i shegës kombinohet shumë me mishrat e ndryshem sepse ofron aciditetin e munguar me pak ëmbëlsi.
  4. Me perime të pjekura – Aciditeti i pekmezit të shegës e bën atë ideal për ta kombinuar me perime të skarës apo të pjekura. Kombinojeni me pak vaj ulliri dhe shija do të jetë perfekte.
  5. Me salca – Pekmezin e shegës mund ta përdorni në salca të ndryshme që përdoren në antipasta apo gatime mesdhetare./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.