Qindra Tonelata Lakër Nga Shqipëria Drejt Lituanisë

462 0

Prodhimet shqiptare po kapërcejnë kufijtë drejt tregjeve europiane duke vulosur cilësinë dhe përmbushjen e standardeve.

Duke sfiduar konkurrencën e fortë të prodhuesve të tjerë të vendeve të rajonit por edhe gjithë Europës, prodhuesit shqiptarë po ia dalin që të korrin sukses me të mbjellat e tyre.

Krahas eksportit të suksesshëm, të domateve, kastravecave, specave, mollëve e agrumeve veçanërisht mandarinave, Shqipëria ka zgjeruar dukshëm listën e prodhimeve me të cilat furnizon tregun e huaj.

Përveç furnizimit në tregun vendas, të njëjtin prodhim fermerët janë duke e shitur edhe tek pikat e grumbullimit, të cilat janë të lidhura me tregjet jashtë vendit.

Lakra Shqiptare në Tryezat e Konsumatorëve të Huaj

Rreth 200 ton lakër e bardhë. E freskët nga tokat e fermave shqiptare do të furnizojë tregun e Lituanisë me një nga perimet më të mira sezonit.

Një prej grumbulluesve më të suksesshëm të Divjakës, Ristan Janko thotë për AgroWeb.org  se prej disa vitesh ai po bashkëpunon me Lituaninë. Ai po furnizon tregun atje me disa perime të prodhuara në Shqipëri.

“Kemi një bashkëpunim të frutshëm prej gati 7-8 vitesh me Lituaninë. Ka një tërheqje të prodhimeve shqiptare nga tregu lituanez.

Ata vlerësojnë maksimalisht cilësinë e produkteve tona, të cilat janë të certifikuara në përmbushjen e standardeve. Fakti që tregjet e Lituanisë sa vijnë dhe rrisin kërkesën për prodhimet tona dëshmon për cilësinë e tyre të lartë. Dhe për këtë jemi krenarë” shprehet Ristan Janko.

Suksesi i Prodhimeve Shqiptare – Kërkesat Gjithnjë e Në Rritje

Hapja e rrugës për prodhimet shqiptare drejt tregjeve të huaja po rrit gjithnjë e më shumë kërkesën e këtyre të fundit.

Për Ristan Jankon, dërgesat janë të vazhdueshme. Ato vijojnë pa ndërprerje, sidomos tani kur është kulmi i sezonit të lakrës së bardhë. Një perime fantastike e përdorur gjerësisht për gatim jo vetëm për shijen por edhe vlerat e larta ushqyese që kanë.

Por nuk janë vetëm lakrat e bardha. Perime të tjera shqiptare po eksportohen me sukses jashtë Shqipërisë. Çka po nxit dhe rrit interesin e tregjeve të shteteve të ndryshme të Bashkimit Europian.

“Janë disa prodhime që ne po eksportojmë drejt Lituanisë por ky nuk është shteti i vetëm. Të tjera vende të Bashkimit Europian kanë shprehur interesin për t’u furnizuar me prodhimet tona. Kemi nënshkruar disa marrëveshje me disa shtete të tjera. Me cilat shumë shpejt do të nisim bashkëpunimin” bën të ditur Janko për AgroWeb.org.

Aktualisht, prodhuesit e Divjakës bashkë me ata të Lushnjes, janë ndër furnitorët më të mëdhenj të furnizimit të tregut vendas me fruta-perime. Por edhe që eksportojnë me sukses prodhimet e tyre gjithashtu.

Ky sukses rrëzon skepticizmin e ngritur mbi cilësinë e prodhimeve shqiptare. Kjo pasi, para se ato të futen në tregjet e vendeve përkatëse ku do eksportohen kalojnë përmes një kontrolli të imtësishëm laboratorik nga ku analizohet cilësia e tyre./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.