Sangria është një nga pijet më të dashura të vjeshtës
E ngrohtë, plot erëza dhe aromatike, kjo pije është gjithçka të nevojitet në një mbrëmje tipike të kësaj stine të bukur.
Sangria është një pije me origjinë nga Portugalia dhe Spanja që mori emrin në shekullin e 18-të.
Emri ‘sangria’ mendohet të jetë huazuar nga fjala spanjolle ‘sangre’ që do të thotë ‘gjak’ duke iu referuar ngjyrës së kuqe të pijes.
AgroWeb.org ju sugjeron këtë recetë interesante të sangrias së ngrohtë me fruta dhe erëza që t’i jepni shije, aromë dhe shpirt festiv mbrëmjeve të kësaj stine.
Së pari, sangria kërkon kohë. Nuk është një pije që mund ta përgatisësh shpejt e shpejt me të hyrë në shtëpi.
Bashkimi i shijes dhe aromave të frutave dhe lëngut ka nevojë për 3 deri në 7 ditë, por na besoni, ia vlen barra qeranë.
Sangria është një pije e ëmbël, e butë dhe ndjellëse që mund të konsumohet gjatë rasteve të ndryshme të festave por edhe në mbrëmjet e ndryshme me miq dhe të afërm.
Ajo mund të serviret e ngrohtë ose e ftohtë, por kur është e ngrohtë shijon më shumë dhe ndez shqisat.
Ju nevojiten
- 1 shishe me verë të kuqe
- 1 gotë me liker
- 3 gota me lëng shege
- 350 gramë boronica ose fruta pylli të freskëta
- 2 filxhanë çaji me kokrra shege
- 1 gotë e gjysmë me lëng boronice ose boronicë të kuqe
- 1 gotë me ujë mineral
- 1 pako me erëza aromatike
Përgatitja
Në fillim të javës:
- Përzieni verën dhe likerin në një brokë.
- Shtoni frutat, mbulojeni dhe lërini përbërësit të qëndrojnë për 3 deri në 7 ditë.
Në kohën e servirjes:
Ziejeni lëngun e boronicës së kuqe dhe ujin e gazuar në një tenxhere të vogël. Shtoni erëzat aromatike dhe lërini të qëndrojnë së bashku për 15-30 minuta.
Nëse jeni dashamirës të erëzave mund të merrni një pako tjetër dhe ta shtoni në brokën e verës.
Pas ftohjes, lëngun e zier të boronicës hidheni në brokën e verës dhe përziejeni me të.
Sangrian mund ta servirni të ngrohtë ose në temperaturë ambient por mos harroni të shtoni frutat.
Çfarë janë erëzat e ngrohta aromatike? Bëhet fjalë për një kombinim erëzash që konsumohen shumë gjatë stinës së vjeshtës dhe dimrit.
Zakonisht bëhet fjalë për kanellë, karafil, arrëmyshk, vanilje, lëkurë limoni, anason.
Përbërës të tjerë mund të veçojmë mollët, fiqtë, xhenxhefilin dhe rrushin e thatë.
Ekspertët e AgroWeb.org thonë se nuk ka një mënyrë të gabuar apo të drejtë për të ‘sajuar’ një miks erëzash sipas preferencës tuaj.
Nëse jeni kundër alkoolit, atëherë zëvendësoni përbërësit alkoolikë me çaj mali dhe ndiqni të njëjtat hapa në përgatitje.
Ajo që duhet të dini është se kanella, karafili, arrëmyshku dhe lëkura e portokallit janë thelbësore për çdo recetë erëzash, ndërkohë që përbërësit e tjerë janë në varësi të pijes./AgroWeb.org
Lini një Përgjigje