Trajtimet e Fytyrës Para apo Pas Dushit – Koha e Duhur Kur Duhet t’i Aplikoni

1.3k 0

Trajtimet e fytyrës janë gjithnjë të nevojshme për të pasur një lëkurë sa më të butë dhe të re.

Më të mirat ndër to janë sigurisht ato natyralet, të përgatitura në shtëpi me baze frutash, perimesh apo vajrash bimorë.

Përveçse e bëjnë fytyrën të ndihet më e rigjeneruar, maskat kanë veti purifikuese dhe pastruese të thellë për poret.

Maskat e duhura varen sigurisht nga lëkura e personit që i vendos, pra mund të jenë për fytyrë të yndyrshme, mikse apo të thatë.

Kjo zgjedhje është tërësisht personale, por ajo çfarë duhet të dini është koha e duhur kur duhet t’i vendosni në fytyrë këto maska.

Para apo Pas Dushit

Që fytyra duhet të jetë e pastër para se ta trajtoni atë me produkte apo maska të ndryshme kjo është e padiskutueshme.

Gjithsesi ekziston gjithnjë dilema nëse ato duhen aplikuar para apo pas dushit.

Në këtë artikull AgroWeb.org ju shpjegon kohën e duhur për të kryer këtë proces.

Sipas ekspertëve të lëkurës periudha më e mirë është pas dushit dhe ka disa arsye për këtë.

Gjatë kohës kur ju laheni me ujë të ngrohtë, poret e lëkurës tuaj hapen dhe pastrohen tërësisht nga avulli.

Nëse i aplikoni maskat menjëherë pasi keni dalë nga dushi, lëkura juaj do t’i thithë të gjithë vlerat dhe mineralet e saj menjëherë.

Kjo do të bëjë që të përfitoni sa më shumë nga trajtimi që keni vendosur të aplikoni në fytyrën tuaj.

Si ta Aplikoni Për Pastrim Sa Më Të Mirë

Pasi të dilni nga dushi, thajeni fytyrën tuaj me kujdes dhe përgatiteni atë për të vendosur maskën tuaj të preferuar.

Sipas dëshirës mund të përdorni ndonjë pastë pastruese të thjeshtë për të larguar tërësisht papastërtitë e fytyrës.

Këtë mund ta bëni duke përzier dy lugë sheqer me një lugë vaj ulliri.

Pasi të jetë formuar një pastë me kokrriza, fërkojeni lehtë me gishta në fytyrë.

Këtë proces kujdesuni ta bëni ngadalë në mënyrë që të mos e dëmtoni lëkurën delikate të fytyrës.

Më pas vendosni me kujdes maskën e përzgjedhur, duke evituar pjesën poshtë syve dhe sipër buzës.

Ky hap këshillohet, pasi duke qenë dy pjesë lëkure shumë delikate mund të krijojnë reaksione dhe alergji të ndryshme.

Për të mbajtur gjithnjë një lëkurë sa më të shkëlqyeshme, të shëndetshme dhe plot rini aplikoni të paktën një apo dy herë në javë maska fytyre. /AgroWeb.org