Ftoi është një frut kokëfortë, por ama i ëmbël shumë.

Në Shqipëri, ftoi është kultivuar që në kohët e lashta dhe gjendet me bollëk në zonat e Përmetit, Korçës, Pogradecit dhe Beratit, por edhe në zonat qendrore të vendit.

Ftoi është një frut pak i pazakontë, i lidhur ngushtë me mollët dhe dardhët.

Ai është përdorur për ushqim që shumë kohë më parë, por pemët e vogla janë rritur edhe për motive dekorimi për shkak të luleve të vogla ngjyrë rozë që janë shumë tërheqëse.

Ftoi është një frut që nuk të shpenzon shumë kohë nëse do ta konsumosh menjëherë.

Ai është shumë i shijshëm dhe shumë i rëndësishëm për shëndetin e njeriut. Ftoi është një burim i pasur me vitaminë C, kalium, bakër, hekur dhe fibër.

Ftoi gjithashtu përmban elementë organikë dhe ushqimorë që ia shumëfishojnë vlerat shëndetësore atij. Amvisat shqiptare e përdorin për reçel, ëmbëlsira, puding, gliko, por edhe në mënyra të ngjashme me dardhën.

Ekspertët e AgroWeb.org këshillojnë që amvisat ta përdorin ftoin edhe për përgatitjen e një shurupi të shijshëm e të shëndetshëm.

Përbërësit:

1 kg ftonj të qëruar e të prerë në copa

5 gota ujë

Gjysëm filxhan çaji mjaltë,

Gjysëm filxhan çaji sheqer.

Përgatitja:

Vendoseni tenxheren në zjarr dhe hidhni ftonjtë, ujin, mjaltin dhe sheqerin.

Lërini të ziejnë në temperaturë të lartë dhe përzijini vazhdimisht deri sa sheqeri të shkrihet plotësisht.

Mbulojeni tenxheren me kapak, uleni temperaturën dhe lërini ftonjtë të ziejnë për 45-50 minuta deri sa ata të jenë zbutur krejt.

Më pas hiqeni tenxheren nga zjarri dhe pasi lëngu të jetë ftohur kullojeni shurupin.

Nga sasia e zier e lëngut do të përfitoni pothuajse dy filxhanë çaji shurup.

Ftonjtë e zier mund t’i përdorni për ëmbëlsira sipas preferencës tuaj.

Vlerat e Mrekullueshme të Ftonjve

Ftonjtë nuk duhet të mungojnë në  tryezën tuaj për shkak të vlerave të mëposhtme

Ndihmon Kundër Mbipeshës

Ftoi ka pak kalori, kripë dhe yndyrna.

Nga ana tjetër është i mbushur me fibra dhe vitaminë C.

Një sasi prej 100 gramë ftonj ofron 15% të dozës së rekomanduar ditore të kësaj vitamine.

Lufton Bakteret

Shfrytëzoni farat e ftoit. Zijini në ujë, kullojini dhe lëjeni lëngun të ftohet.

Përdorini për të luftuar erën e keqe të gojës, shëruar fytin dhe lëndimet e ndryshme në gojë.

Lëngun mund ta përdorni edhe direkt në lëkurë për ta bërë atë më të lëmuar dhe shëruar njollat.

Ftoi Për Tretjen.

Ftoi mund të ndihmojë në shërimin e ulçerës peptike.

Për shkak të përmbajtjes së lartë të fibrës, ftoi u bën mirë zorrëve  dhe parandalon diarenë.

Ftoi Për Zemrën

Ftoi përmban kalium, një mineral që mbron zemrën.

Ky mineral forcon enët e gjakut dhe ndihmon në uljen e tensionit të tij. /AgroWeb.org