Lëngu i Gjetheve të Ullirit – Shëndet Direkt Nga Natyra

1.1k 0

Përdorimi i lëngut të gjetheve të ullirit e ka origjinën e përdorimit tek Hipokrati, babai i mjekësisë. Studimet bashkëkohore vërtetojnë se gjethet e ullinjve janë plot përbërës kundër viruseve dhe mikro-organizmave të dëmshëm dhe arrijnë të ndikojnë në organizëm më fuqishëm se shumë prej antibiotikëve të farmacive.

Lëngu i përftuar nga zierja e gjetheve të gjelbra të ullirit ofron veti dhe efekte mirëbërëse në organizëm dhe AgroWeb.org ju tregon se ai ndihmon për të parandaluar një sërë shqetësimesh dhe sëmundjesh të ndryshme siç mund të përmendim disa tipe gripi, infeksione virale të mushkërive, por edhe goditje më të rënda shëndetësore si tuberkulozi, meningjiti, hepatiti B, dhe bronkopneumonitë serioze.

Lëngu i gjetheve të ullirit arrin të bëjë mrekulli edhe ndaj infeksioneve ku vlen të përmendim vlerat e forta kundër infeksioneve në traktin urinar, por edhe te infeksionet post-kirurgjikale. Përbërësit aktivë dhe esencialë të gjetheve të ullinjve fuqizojnë sistemin e imunitetit, rrisin energjinë dhe reagimin e organizmit dhe luftojnë mikrobet dhe parazitët. 

Një efekt surprizë i lëngut të gjetheve të ullirit siç raporton AgroWeb.org, është edhe aftësia për të ulur dhe normalizuar tensionin e lartë të gjakut, madje arrin edhe të ekuilibrojë nivelin e sheqerit në gjak, ndaj këshillohet fort për diabetikët.

Gjethet e ullirit përmbajnë një antioksidues shumë të fuqishëm që quhet taninë dhe që i jep gjetheve një shije të hidhur. Gjethet kanë veti rrudhëse, tonike dhe kundër temperaturës së lartë.

Lëngu i gjetheve të ullirit përdoret me rezultate shumë të mira kundër arteriosklerozës dhe rasteve kur shfaqen sëmundje të shoqëruara me temperaturë të lartë. Falë vetive diuretike që përmbajnë këto gjethe, lëngu i tyre është një nga mjekimet më funksionale të mjekësisë popullore.

Si ta përgatisni Lëngun e Gjetheve të Ullirit

Për të përgatitur lëngun nga gjethet e ullirit, AgroWeb.org ju tregon që duhet të përdorni gjethe të thata, ose të njoma të cilat mund t’i thani në kushtet e shtëpisë. Merrni një enë metalike, të cilën duhet ta mbushni me 300 ml ujë dhe ta vini të vlojë.

Kur arrihet pika e vlimit, hidhni një sasi prej rreth 20 deri 25 gjethe të thara të ullirit. Uji së bashku me gjethet duhet të vlojë sërish per 4-5 minuta dhe më pas hiqeni nga zjarri dhe ta lini të ftohet. AgroWeb.org ju këshillon që lëngun ta pini të ftohtë, madje edhe me akull, pasi të keni tretur pak mjaltë.

Ju mund të përdorni edhe disa pika limoni, Lëngu i gjetheve të ullirit ofron një shije mrekullisht të kënaqshme dhe të ëmbël, e cila e bën këtë lëng një zgjidhje që nuk duhet ta ndani nga vetja në çdo stinë. Tri gota në ditë janë një sasi e këshilluar nga specialistët./AgroWeb.org