Shqipëria ëmbëlson konsumatorët evropianët me një nga frutat më të dashur të dimrit, Mandarinën!

Agrobiznesi shqiptar hedh një hap të fortë drejt tregut evropian të fruta-perimeve duke u shndërruar në një konkurrent të fortë mes vendeve të BE përsa i përket prodhimit dhe furnizimit me mandarina.

“Kote Farm”, një nga fermat më të mëdha të mandarinave në vend e pozicionuar në fshatin Xarrë, Konispol ka marrë certifikimin GlobalGAP (Standardi Ndërkombëtar i Praktikave të Mira në Agrikulturë).

Duke garantuar kështu cilësinë më të lartë të produktit, që përfshin kultivimin dhe procesin teknologjik, që nga cikli i rritjes së bimës deri në mbërritjen te konsumatori.

Një Histori Suksesi

Mandarinat e Xarrës tashmë janë shndërruar në krenari, jo vetëm për zonën ku mbillen e vishen me përkujdesje, por edhe në të gjithë Shqipërinë.

Ato janë leksion i shfrytëzimit të pasurive tona natyrore dhe shembull i përshtatjes së kushteve me ekonominë vendase.

Administratorë të “Kote Farm” kanë qenë inisiatorë të organizimit të prodhimit të shpërndarjes së mandarinave, brenda vendit dhe për eksport.

Duke e nisur mbjelljen e mandarinës klementinë, që në vitin 2002, bashkë tre vëllezërit Kote, kanë rritur kohë pas kohe biznesin e tij, duke e zgjeruar atë edhe me kontributet e bashkëfshatarëve të tij.

“Sot kemi mbi 25 mijë pemë, të cilat prodhojnë 1300 ton prodhim, e ku janë të punësuar 60 punëtorë” janë shprehur përfaqësues të Kote Farm për AgroWeb.org.

Pasi kanë zgjeruar Fermën e tyre, duke siguruar një sipërfaqe prej rreth 40 hektarësh, ata shpjegojnë se përveç pronës së përfituar me ligjn 7501, kanë blerë edhe tokë nga bashkëfshatarët, si edhe kanë marrë toka me qera nga shteti, për të shtuar mundësinë e prodhimit të mandarinave.

Çertifikimi GlobalGAP u bë e mundur falë projekteve, mbështetur nga USAID rajonal dhe zbatuar nga organizata CBS në Shqipëri. Përmes projektit për Asistencë në Përputhje me Standardet e Bujqësisë dhe Çertifikimit, e implementuar nga SEGURA përfitojnë çertifikime të cilësisë fermerë dhe agropërpunues shqiptarë.

Çfarë është GlobalGap

Një nga qëllimet e çertifikimit është të barazojë sigurinë dhe cilësinë e produkteve bujqësore shqiptare me ato të vendeve të rajonit, me qëllim hapjen e tregjeve të reja për eksportet drejt vendeve evropiane, të cilat janë kërkuese ndaj origjinës dhe cilësisë së prodhimeve.

Por shumë e rëndësishme do të jetë edhe arritja e një standardi të vërtetë sigurie edhe për konsumatorët, për të garantuar transparencën e prodhimeve përtej pretendimeve të prodhuesve.

Praktikat GlobalGAP bëjnë të mundur prodhimin e perimeve me përdorim të kontrolluar të pesticideve, brenda kufirit të lejuar nga BE-ja dhe standardi i caktuar, të cilat njëkohësisht ruajnë mjedisin.

Çertifikimi i cilësisë së mandarinave shqiptare nga ky organizëm ndërkombëtar është një ogur i mirë për agrobiznesin shqiptar, i cili ka nisur tashmë të pozicionohet qartazi në tregjet e vendeve të Bashkimit Europian.

Aktualisht ka një kërkesë në rritje për mandarinën shqiptare ng Polonia por edhe shtete të tjera të Evropës. Ndërkohë që lajmi për çertifikimin e mandarinave shqiptare premton për një të ardhme të artë të këtij biznesi puro shqiptar./AgroWeb.org