Risia e Pesticideve Organike në Shqipëri

428 0

Çdo njeri konsumon mesatarisht 4 litra pesticide në vit dhe më shumë se 400 mbetje të substancave kimike mbeten në trupin tonë. Nga ushqimet që konsumojmë çdo ditë ne arrijmë të marrim afro 3000 lloje kimikatesh. Sipas studiuesve janë ato që na mjegullojnë mendjen, na gënjejnë ndjesitë dhe shkaktojnë një sërë sëmundjesh që nga kanceri, dëmtimi i sistemit nervor, duke bërë që sistemi ynë imunitar të dobësohet.

“Por efekti nuk është i menjëhershëm si një plumb, por rezultati është i njëjtë. Ato kanë një efekt akumulues në trupin tonë. Po ta keni vënë re, shumë pak njerëz vdesin nga mosha tani. Njerëzit vdesin ose nga tumori ose nga sëmundjet kardiovaskolare”, thotë për AgroWeb, studiuesi Italian Sebastiano Rao.
Në Shqipëri nuk ka të dhëna të sakta, mbi sasinë e pesticideve që përdoret në bujqësi. Megjithatë, sipas Rao, mendohet që të përdoren afro 60.000 ton pesticide, ose 60 milion litra në vit. Po ku shkojnë gjithë këto kimikate? Si fillim në tokë dhe nga aty në tavolinat tona.

“Siç edhe e dini, frutat dhe perimet rriten në ferma ku ka dhe shumë insekte, të cilat i kanë pikë të dobët këto produkte. Fermerët nuk mund t’ia lejonë vetes që të humbin të mbjellat për shkak të këtyre insekteve të vogla, ndaj dhe i spërkasin ato me kimikate, pesticide për t’i zbrapsur insektet. Pesticidet gjithashtu mund të parandalojnë përhapjen e sëmundjeve, kështu që përdorimi i pesticideve bën të mundur që të mos humben të korrat e sezonit”, shpjegon Roa.

Por tani me siguri do jeni duke menduar. “Po produktet organike si mbrohen nga sëmundjet? A kanë ato pesticide? Përgjigjia është po, por pesticidet që përdoren për organiket janë me produkte natyrale, me përbërës nga disa lloje bimësh dhe pa pesticide sintetike. “Gjithashtu fermerët që kultivojnë produkte organike i spërkasin ato më pak me pesticide se fermerët e tjerë dhe janë më pak të dëmshme për mjedisin”, thotë Sebastiano Rao, i cili ka eksperimentuar për vite të tëra mbi pesticidet organike.

Sebastiano Rao, studiuesi italian i cili ka prodhuar pesticide organike.

Nëse bimët në kopshtin e tij në Sanremo të Italisë do të kishin gojë, kushedi se çfarë do të mund të thonin. “Me siguri do të qanin”, të thotë duke qeshur. Roa-s iu deshën afro 15 vite për të gjetur një produkt që të mund të vriste çdo lloj insekti dhe të ishte i shëndetshëm si për njeriun, tokën dhe mjedisin.

“Formula që kam krijuar nuk është toksike. Madje edhe mund ta pish. Nuk ka shije të mirë, por dëm nuk të bën” të thotë gjithë entuziazëm ndërsa flet për produktin e tij BIored, i cili po u prezantohet së fundmi edhe fermerëve shqiptarë. Ai është një përbërës i hudhrës, specit djegës dhe vajit vegjetal.

Sipas raportit Bota e Bujqësisë Organike – Statistikat dhe tendencat 2015, Shqipëria ka 662 hektarë tokë organike që përbën 0.1% të totalit të tokës bujqësore. Sipas të dhënave të publikuara, të cilat i referohen vitit 2013, në Shqipëri ka 46 prodhues organikë, 27 agro-përpunues, 4 importues dhe 20 eksportues. Toka bujqësore organike në vitin 2013 u rrit me 29% krahasuar me 2012-tën.

Sipas Ministrit të Bujqësisë, Edmond Panariti, Shqipëria ka një të ardhme të mirë për rritjen e prodhimit organik. Sipas ministrit Panariti, Shqipëria ka një potencial prej rreth 200 fermash të bujqësisë organike, por që përveç akreditimit kombëtar u duhet të kenë edhe akreditim ndërkombëtar, në mënyrë që të njihen të tilla edhe nga tregjet e huaja.

Për konsumatorët është gjithmonë e më e rëndësishme njohja e detajuar e produkteve që konsumojnë. Prandaj ata janë të predispozuar të kërkojnë produkte që janë kultivuar në mënyrë natyrore, janë rritur me produkte organike dhe janë përpunuar e transportuar sipas standardeve të përcaktuara, nga institucionet apo organizatat përgjegjëse.

Sipas studimeve të tregut, në vend ofrohen shumë pak produkte të freskëta e natyrale. Disa nga problematikat janë; mungesa e pikave të specializuara për tregtimin e produkteve bio, mungesa e kontrollit rigoroz nga institucionet përgjegjëse. Po ashtu edhe mangësitë në informimin e fermerëve, për pasojat e përdorimit të lëndëve kimike gjatë kultivimit dhe mosrespektimi i rregullave të higjenës.

Një fjalë e urtë popullore thotë ‘çtë mbjellësh do të korrësh” dhe nëse fermerët vendas nuk ndërgjegjësohen dhe nuk vendosin të ndjekin standardet për të siguruar prodhime të sigurta, cilësore dhe të besueshme, shumë shpejt do të ndiejnë pasojat ekonomike që do të vijnë si rrjedhojë e këtyre veprimeve. Konsumatorët do të zgjedhin të blejnë produkte eksporti, të prodhuara sipas standardeve evropiane apo ndërkombëtare, gjë që do të ulë ndjeshëm të ardhurat në fushën e bujqësisë vendase.

Produktet organike janë zgjidhje, jo vetëm për të lulëzuar ekonomikisht por edhe për t’i shërbyer më mirë tokës dhe shëndetit. Pasi siç thotë dhe vetë studiuesi Italian Sebastiano Rao: “Nga një terren i vdekur nuk mund të mbijnë bimë të shëndosha”. /AgroWeb.org/