Rreziqet e Fundit që Vijnë nga Importet Kineze

467 0

Komisioni Evropian publikoi këtë javë të dhëna tronditëse mbi rreziqet që u kanosen konsumatorëve nga produkte të ndryshme të jetës së përditshme siç janë rrobat apo edhe lodrat. Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2015 shumë vende të Bashkimit Evropian ishin të alarmuar nga të paktën 2.000 produkte të rrezikshme të identifikuara nëpër tregje.

VÄ›ra Jourová, Komisionere për Drejtësinë, Konsumatorin dhe Barazinë Gjinore tha se ngritja e një sistemi ndërveprimi të shpejtë “Sistemi i Alarmit” që funksionon në mbarë vendet e BE, i ka ndihmuar këto struktura të koordinojnë me urgjencë ndërveprimin me autoritetet që merren me mbrojtjen e konsumatorit për të larguar produktet e rrezikshme nga Evropa. Sipas Jourová, vendet e Bashkimit Evropian përballen me sfidat që vijnë nga shitjet në internet, ku produkte të rrezikshme u shkojnë konsumatorëve edhe direkt e në shtëpi. Sistemi i Alarmit që përdoret nga vendet anëtarë ka nxjerrë në pah se rreziku më i madh vjen nga produktet që vijnë nga Kina.

Në vitin 2015, Sistemi i Alarmit regjistroi 2,072 raste produktesh të rrezikshme dhe autoritetet ndërmorrën 2,745 veprime për të garantuar sigurinë e konsumatorit. Sistemi funksionon në një mënyrë të tillë: sapo një vend anëtar ngre alarmin për një produkt, vende të tjera marrin nisma për identifikimin e produktit në tregjet e tyre përkatëse dhe heqjen e tij nga tregu. Por problem është siguria e mallrave që nuk dalin në treg, por që tregtohen në internet. Mbi 65% e Evropianëve blejnë produkte në platformat online.

Numri i tyre është rritur me 27% që nga viti 2006 deri në 2015. Sfida e sotme është se si mund të garantohet siguria e produkteve që blihen online dhe nuk kanë qenë subjekt i asnjë kontrolli cilësie apo substancash të rrezikshme.

Cilët janë produktet e rrezikshme?

Në vitin 2015, autoritetet Evropiane identifikuan lodrat që përbëjnë 27% të blerjeve online dhe tekstilet, 17% e blerjeve online, si dy prej rrezikshmërive për konsumatorët në disa aspekte. Pikë së pari rreziku nga substancat kimike të përdorura ishte më i larti me 25%, ndjekur nga rreziku i lëndimit që lodrat mund t’u shkaktojnë fëmijëve me 22%. Autoritetet vunë re se bizhuteritë e blera onlinë kishin në përmbajtjen e tyre shumë metale të rrezikshme si nikel dhe plumb. Lodrat e blera online përmbanin disa substance të rrezikshme që shkaktojnë probleme serioze me fertilitetin.

Nga vijnë këto produkte

62% e produkteve të rrezikshme të identifikuara në tregjet Evropiane vijnë nga Kina. Kjo e fundit është e para në listën e vendeve të origjinës së produkteve më të rrezikshme. Kina është gjithashtu importuesi më i madh i BE-së, por edhe vendeve të Ballkanit përfshirë Shqipërinë. Ja përse Bashkimi Evropian synon të rrisë bashkëpunimin me autoritetet Kineze në mënyrë që sapo një vend Evropian të identifikojë një rrezik potencial, kolegët e tyre në Kinë të informohen me njëherë dhe të kontaktojnë direkt me prodhuesin ose operatorët përgjegjës. Deri më tani, Kina ka ndërmarrë plot 11,540 raste verifikimish dhe 3,748 masa korrigjimi. Megjithatë në shumicën e rasteve gjetja e burimit të një produkti është shumë e vështirë.

Po Shqipëria?

Pjesa dërrmuese e tekstileve dhe lodrave që tregtohen në Shqipëri vijnë nga Kina. Sipas të dhënave të AgroWeb marrë nga Instat, për tremujorin e parë 2016 Shqipëria ka importuar nga Kina rreth 10 milion USD tekstile dhe këpucë. Pika kryesore nga tregtohet kjo kategori mallrash është tregu kinez që funksionon në vend. Sipas një studimi të Lëvizjes së Gruas për Zhvillim Integral, lodrat e prodhuara në Kinë paraqesin rrezikshmëri të lartë ndaj mbytjes ose helmimit, shokut elektrik, dëmtimeve të ndryshme fizike apo bakteriologjike, të provuara nga testimet e laboratorëve të akredituar në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian. Pak vite më parë Shqipëria ishte në alarm për shkak të lëndëve kimikate që u gjetën në disa lodra për fëmijë ndërkohë që inspektorët teknikë identifikuan vlera shqetësuese të dioksid titani, kalcium, zink, antimon, arsenik, barium, kadmium, krom, plumb, merkur, selenium tek shumë lloje lodrash. Kadmiumi, dioksidi i titanit dhe plumbi janë ndër kimikatet më të rrezikshme.

Ish kryeinspektori i Inspektoratit Qendror Teknik Bujar Hasaj pranoi kohë më parë që kadmiumi shkakton dhimbje muskujsh, ethe, dhimbje barku, dhimbje koke, etj. “Dioksidi i titanit shkakton sëmundje kancerogjene. Po ashtu dhe plumbi shkakton tumor. Është një listë e gjatë përbërësish që mund të shkaktojë çrregullime të organizmit, ndaj duhet bërë një kontroll i rreptë dhe heqje nga tregu i produkteve me përmbajtje të lartë kimikatesh” tha ai në një intervistë për gazetën Shekulli . Lodrat e sigurta kanë një stampë ku shkruhet se janë prodhuar sipas udhëzimeve të Bashkimit Evropian dhe nuk përmbajnë lëndë toksike ose të papërshtatshme dhe kanë shenjën CE. Por fatkeqësisht kjo shenjë qarkullon e flasifikuar në përmasa dhe stile të ndryshme, jo vetëm në Shiqpëri, por dhe në vendet e Bashkimit Europian.

Blerjet online janë kthyer në një trend për konsumatorët shqiptarë. Sipas statistikave të Internet World Stats në Shqipëri numërohen rreth 1.3 milionë përdorues të internetit.

Ndërkohë sipas të dhënave të Shoqatës së Bankave për tremujorin e katërt të 2015-ës bankat kanë lëshuar 81 mijë karta krediti dhe 826 mijë karta të debitit që nënkupton se këto qytetarë kanë akses në shërbimin e blerjeve online. Të dhënat e Postës Shqiptare për vitin 2015 tregojnë se blerjet online pësuan një rritje prej 35%. “Ka pasur një rritje rreth 35% krahasuar me 2014, ka një fluks shumë të madh të objekteve që vinë nga jashtë me porosi për shkak të blerjeve që bëjnë individë të caktuar. Në vlerë absolute ishin rreth 1.9 milion objekte të cilat kanë hyrë gjatë vitit 2015 nga vende të ndryshme” tha për mediat Drejtori i Përgjithshëm i Postës Shqiptare, Majlind Lazmi. Sipas të dhënave të postës, shqiptarët preferojnë të blejnë kryesisht veshje dhe pajisje elektronike. Blerjet online realizohen nga shtete si: SHBA, Hong-Kong, Kina, Korea, Angli, Franca, Singapori, Gjermania, etj.

Çorba e lirë djeg buzën sipas një proverbi shqiptar. E njëjta gjë vlen edhe me produktet kineze që mund të kenë vlerë ekonomike sepse janë të lira, por rrezikshmëria që përcjellin është ndjeshëm më e lartë se sa përfitimi i të blerit lirë./AgroWeb.org