Bimët medicinale shqiptare kryesojnë në botë

624 0

Sherebelë, lavandër, rigon, helikrisium, rozmaninë. Me këtë arsenal bimësh mjekësore Shqipëria ka arritur të kthehet në një lojëtare kyçe në Amerikë dhe Evropë, duke u kthyer në eksportuesen më të madhe të sherebelës në botë dhe duke kryesuar tregun evropian të bimëve medicinale.

Në vit eksportet kapin shifrën e 27-28 milionë dollarë. Ndërkohë që më shumë se 100.000 familje shqiptare e kanë të lidhur ngushtësisht jetën me këto bimë. Vetëm në veri të Shqipërisë mendohet se kultivimi i bimëve medicinale përbën afro 35% të të ardhurave të këtyre familjeve.

Por vendi ka potencialin për t’i marrë akoma më shumë këtij thesari të gjelbër. Në “Kongresin Kombëtar të Industrisë së Bimëve Medicinale”, të mbajtur dje në Tiranë nga USAID në bashkëpunim me AAC Lushnja, u diskutu pikërisht mbi potencialin e madh që kanë këto bimë në tregjet ndërkombëtare.

Marcus Johnson. Përfaqësuesi i Misionit të USAID në Shqipëri gjatë fjalës së tij në Kongresin e Bimëve Medicinale. Foto: AAC Lushnja

Drejtori i USAID në Shqipëri, Marcus Johnson, vuri në dukje interesin në rritje të tregut Amerikan për produktet BAM të prodhuara në Shqipëri.

“Rritja e eksporteve, zbatimi i teknologjive të reja të prodhimit, zgjerimi i gamës së produkteve me vlerë të shtuar, kultivimi i llojeve të reja dhe vendosja e marrëdhënieve ndërmjet partnerëve të biznesit nga e gjithë bota, përfshirë këtu Shtetet e Bashkuara të Amerikës, na bën të ndihemi krenarë që jemi pjesë e këtij progresi të jashtëzakonshëm të industrisë së BAM.”, u shpreh Marcus Johnson në fjalën e tij.

Shqipëria është e pasur në specie autoktone të BAM – 15% përqind e 360 specieve të vendit janë mjekësore, aromatike dhe erëza.

Në lidhje më këtë Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti vuri theksin tek rëndësia e çerifikimit të bimëve tona medicinale. “Shqipëria sot konkuron tregun e eksporteve, me cilësinë e prodhimeve bujqësore. Ndaj duhet të certifikojmë bimët tona si endemike, si marka autentike shqiptare”- theksoi ministri Panariti”.
Bima më e rëndësishme për sektorin është sherebela, e cila përbën afro 50 për qind të të gjitha eksporteve, me një vëllim të vlerësuar prej 2,000 deri në 2,500 ton në vit. Produkte të tjera të rëndësishme përfshijnë rigon, trumzën, duke e bërë Shqipërinë një lojtar i madh ndërkombëtar në treg.

Pikërisht për t’i dhënë një shtysë akoma më të madhe sektorin, dy shoqatat kryesore të BAM në vend, gjatë Kongresit vendosën që të shkrihen në një, në mënyrë që të përfaqsohen më mirë në tregun ndërkombëtar, duke zgjedhur dhe presidentin e ri, Zr Filip Gjoka.

Duke qenë dhe se rritja e kërkesës për bimë mjekësore dhe aromatike është një sfidë për industrinë e prodhimit të këtyre bimëve, të cilave u duhet të menaxhojnë sasinë e kërkuar kundrejt cilësisë. Standardet ndërkombëtare të cilësisë përbëjnë një nga sfidat më të rëndësishme, sepse një pjesë e mirë e produkteve të mbledhura prej popullsisë së zonave rurale përmban gurë dhe barishte. Konsoliduesit duhet të investojnë në përftimin e njohurive të duhura dhe teknologjisë që do të ulte sasinë e mbetjeve dhe do të rriste cilësinë e produkteve të tregëtuara.

“Nevoja për rritur prodhimin e bimëve medicinale mbetet shumë e rëndësishme. Rritja e prodhimit mund të ketë një efekt negativ nëse nuk shkon për shtat me kërkesën e tregut, siç dhe na tregon çmimi i sherebelës për vitet 2013-2014. Për këtë arsye, USAID në vitet e fundit ka promovuar diversifikimin e kultivimit të bimëve medicinale. Lavender, Verbena, Stevia, Çaj Mali, Kamomil, dhe Rigon janë kandidatë të mirë. Diversifikimi është çelësi për rritjen e ardhshme të industrisë ", theksoi në fjalën e tij Marcus Johnson, Shef i zyrës së USAID-it në Shqipëri.

Sherebela shqiptare përbën rreth 70% të tregut amerikan, ndërkohë që tregje të tjera që kërkojnë bimët tona janë dhe Franca, Gjermania dhe Italia. Qoftë për cilësinë qoftë për faktin që bimët tona rriten në të egër në natyrë, fakt është që bimët medicinale shqiptare mbajnë erë suksesi kudo që shkojnë në botë./Agroweb.org/