Të bësh miliona me një të rrufitur të kafesë

593 0

Për shqiptarët kafeja nuk është thjesht për të hapur sytë në mëngjes. Kafeja në Shqipëri është një institucion. Aty lidhen miqësitë, bëhen armiqësitë, bëhen fejesa, gëzohet e lotohet. Por me një të rrufitur bëhen edhe miliona. Biznesi i kafesë është ndër më fitimprurësit.

Në Shqipëri konsumohen 37 milionë filxhan kafe ekspres/vit dhe rreth 30 milionë kafe turke/vit, ndërsa shpenzimet për shqiptar&eumeuml;t llogaritet në 15 miliardë lekë/vit. Po të llogaritet se në vit konsumi i cigareve arrin 20 miliardë lekë, të dy së bashku llogarisin 35 miliardë lekë/vit, ose rreth 5% të totalit të të ardhurave vjetore të shqiptarëve.

Shqiptarët konsumojnë mesatarisht afro 2.3 kilogram kafe në vit për frymë. Asgjë për tu habitur nëse krahasohen përshembull me finlandezët që konsumojnë afro 12 kilogramë kafe në vit, apo dhe Serbët që shkojnë në 5 kg në vit, por që sërish konsumi i saj konsiderohet një biznes i mirë, qoftë ajo ekspres apo turke.

Për çdo filxhan kafeje që gjerb, norma e fitimit shkon nga 60-70%. Nëse llogaritet kosto për 1 kilogramë kafe që është 600-2200 lekë dhe çmimin e kafesë që shkon nga 50-120 lek, norma e fitimit pavarsësisht cilësisë dhe çmimit të kafesë mbetet relativisht e lartë. Po, pikërisht ajo kafeja që sapo konsumove në Bllok apo tek kafja e lagjes ka këtë marzh të lartë fitimi, ndaj dhe rrotul sheh kaq shumë kafene.

Pasi ashtu si dhe shumë evropianë të tjerë, shqiptarët kalojnë një sasi të madhe të kohës në to. Aq të madhe saqë përbën gati 20% të kohës së tyre ose gati 5 orë duke gjerbur 1.68-2 filxhanë kafe në ditë. Çka përkthehet në 7,505,000 kg për vetëm 2 milion njerëz.

Sipas Institutit të Statistikave, sasia e kafes së zezë të importuar gjatë vitit 2015 është rritur me 20% gjatë muajve janar-nëntor krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Gjatë vitit 2015 Shqipëria ka importuar 7805 ton kafe, ndërkohë që vetëm gjatë muajit nëntor vendi ka importuar 573 ton kafe. Ndërkohë që në 2014 importet shkuan në vetëm 6732 ton kafe të zezë.

Vendet kryesore nga të cilat Shqipëria merr kafen janë vendet fqinje, si Greqia e Italia, ndërkohë që një pjesë shumë e vogël e importeve janë nga Gjermania, India, Sllovenia dhe Mali i Zi. Vendet fqinje, së bashku me Italinë janë vendet që kanë dhe tranzitin më të madh të kafesë në Evropë, si pasojë dhe të kushteve të favorshme në portet greke për të transportuar kafenë.

Kjo ka bërë që në vend, kafeja të hyjë lehtësisht, duke rritur dhe konsumin, për shkak dhe të kostove më të ulëta të transportit. Një kafe që vjen nga Brazili do të kishte një kosto më të lartë, sesa një kafe që vjen nga Greqia apo Italia.

Por pavarësisht çmimit, shqipytarët sërish do të gjenin një mënyrë për të shijuar një kafe, e cila është kthyer tashmë në një traditë. Traditë, e cila faktikisht ka nisur pas ardhjes së komunizmit.
Vërtet që kafen turke ne e e kemi trashëgimi nga Perandoria Osmane, por në atë kohë konsumohej më shumë çaji i zi, të cilin ne duket se e braktisëm për kafenë tiurke.

Vetëm pas rënies së komunizmit shqiptarët do të njiheshin më shumë me kafen ekspres, e cila zuri në një kohë shumë të shkurtër një pjesë të madhe të tregut të kafesë, duke u kthyer në një nga pijet më të dashura për shqiptarët.

Kjo edhe për faktin se kafeja është dhe produkti më i lirë që mund të gjesh në një bar. Në Shqipëri mund të pish një kafe me një çmim mesatar prej 50 lekësh, ndërkohë që në shumë vende evropiane të njëjtin ekspres nuk mund ta marrësh më pak se 1.5 Euro. Sigurisht që me çmimin shkon për shtat dhe cilësia, por gjithsesi çmimet janë gati 5 fish më të lira.

Kjo shpjegon në një farë mase dhe numrin e lartë të kompanive që merren biznesin e kafesë në vend, ku sipas QKR janë të regjistruara 30 kompani që importojnë kafë dhe 100 kompani të tjera që merren me shitjen në të gjithë vendin dhe me paketimin.

Tregëtarët janë optimist se pavarësisht luhatjeve të çmimit të kafesë në tregun ndërkombëtar, shqiptarët do të jenë gjithnjë besnikë ndaj kafesë. Eshtë çështje kulture por dhe lidhje gati shpirtërpre që ne si popull kemi me kafenë; që na zgjon në mëngjes, që na lidh me njerëzit, na jep forcë kur duhet të mbledhim veten. Ndaj dhe 37 milionë filxhanë kafeje që rrufisim në vit bëjnë sens për një vend, që kafenë e ka kthyer në një institucion./AgroWeb.org/