Frutat e Pyllit – Shija e vërtetë e pyjeve shqiptare

2.3k 0

Frutat e pyllit janë një ndër kënaqësitë më të mëdha, pasi pjesa më e madhe e tyre mblidhen në gjendje të egër. Por duke konsideruar kërkesën e madhe të tregut, gjithmonë e më tepër frutat e pyllit po kultivohen në parcela nga fermerët shqiptarë për të mundësuar praninë e tyre në sasi më të garantuara.

Ndërkohë fermerët po përqendrojnë përpjekjet e tyre edhe për kultivimin e mjedrës, një frut i lëngshëm me potencial të lartë fitimi. Shembuj të rëndësishëm të kësaj sipërmarrjeje janë disa kultivues në Divjakë që synojnë të forcojnë kulturën e mbjelljes së mjedrës në vend duke i dhënë konsumatorit një aset të rëndësishëm në përpjekjet për të garantuar një shëndet të mirë. Sipas të dhënave të AgroWeb.org, gjithashtu po kultivohen fruta si manaferrat dhe boronicat, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë.

Për sa i përket boronicës, Tropoja është një nga zonat me përqendrim më të lartë të boronicës natyrale në vend. Avantazhi i boronicës qëndron në faktin se ajo është një frut pylli i egër me vlera ushqimore të jashtëzakonshme që e bën atë një produkt mjaft të kërkuar. Megjithatë, në realitet mungesa e një tregu të mirëfilltë për boronicat përbën një pengesë të rëndësishme për tregëtimin e këtij fruti. E vërteta është se ky frut nuk ia arrin të tregëtohet as në kryeqytet, Tiranë.

Frutat e pyllit duhet të bëhen pjesë e ushqimit tuaj sepse janë të mbushura me minerale, vitamina dhe fibër. Ato janë të pasura me antioksidantë që mbrojnë qelizat tuaja nga dëmet e shkaktuara nga radikalet e lira. Për më tepër, ato kanë pak kalori dhe janë alternativë perfekte për njerëzit që duan të mbajnë peshën nën kontroll.

Lexoni më poshtë listën e vlerave fantastike të këtyre frutave shumëngjyrëshe dhe të shijshme që AgroWeb.org ka përgatitur për ju.

Boronica

Boronica ia ka dalë të jetë në krye të të gjitha listave me ushqimet më të shëndetshme për njeriun. Kjo për arsye se boronica është jashtëzakonisht e pasur me antioksidantë. Boronicën mund ta gjeni gjatë gjithë vitit. Boronica është e pasur me vlera ushqimore. Një filxhan me boronicë ka kalium dhe pothuaj 4 gramë fibër. Ajo është e pasur me vitaminë C dhe 83 kalori. Shuani etjen dhe urinë me një grusht boronicash dhe trupi do t’ju falenderojë.

Manaferra

Manaferra i ngjan mjedrës, por është më e madhe dhe ka një shije më të veçantë në krahasim me të. Të ëmblat manaferra janë shumë të mira për shëndetin sepse kanë përmbajtje të lartë kalciumi, vitamine C dhe kalium. Për më tepër një filxhan me manaferra përmban 7 gramë fibër dhe 60 kalori. Si të gjitha simotrat e saj, manaferra është e mbushur me antioksidantë. Manaferra është e shijshme në lëngje të plota frutash.

Luleshtrydhja

Luleshtrydhja është një frut tepër i shijshëm që mund ta gjesh në çdo market në Shqipëri gjatë gjithë vitit. Këto fruta janë të lira në çmim dhe plot vlera ushqimore. Një filxhan me luleshtrydhe përmban 100 miligramë vitaminë C, pothuajse të njëjtat vlera sa një gotë me lëng portokalli. Luleshtrydhet kanë kalcium, magnez, folat dhe kalium. Ato kanë pak kalori. Një filxhan me luleshtrydhe përmban 53 kalori. Luleshtrydhet mund t’i shijosh në mënyra të thjeshta duke i kombinuar me krem pastiçerie dhe bajame, ose në një stil tjetër, duke i zhytyr në çokollatë për një shije më të fortë.

Mjedra

Mjedra është një frut shumë i bukur. Mjedra është një frut mjaft delikat dhe aspak jetëgjatë, ndaj këshillohet t’i konsumoni shpejt. Shumica e mjedrave janë në ngjyrë të kuqe, por mund të gjeni edhe në ngjyra të arta dhe të errëta. Në aspektin e vlerave ushqimore, mjedra është e pasur me kalcium, magnez dhe vitaminë C. Ato kanë pak kalori. Një filxhan me mjedra ka 64 kalori. Kombinimi me kos është i jashtëzakonshëm.

Kultivimi i frutave të pyllit në parcelat shqiptare do të mundësojë rritjen e pranisë së këtyre minifrutave tek pjesa më e madhe e konsumatorëve shqiptarë, për të cilët deri më parë këto produkte kaq qenë të pakta për t’u shijuar./AgroWeb.org