Të ushqeheni shëndetshëm do të thotë të ndiqni skemën e ngjyrave të ylberit. Pra, nëse ju përfshini sa më shumë ngjyra frutash dhe perimesh në ushqimin tuaj të përditshëm atëherë do të jeni në rrugën e duhur për një dietë të vlera të plota. Kësaj rradhe do të flasim për vlerat e frutave të kuqe. Veçanërisht rrushi i kuq përmban antioksidantë të fortë dhe ndihmon në uljen e riskut të sëmundjeve të zemrës. Vlera të tjera ushqyese në frutat e kuqe përfshijnë likopeinën e gjendur më së shumti te shalqinjtë dhe domatet. Likopeina është e njohur për luftën ndaj problemeve të prostatës dhe si faktori kyç për vlerat ushqyese të asaj që njihet si dieta mesdhetare.
AgroWeb ju sjell frutat e kuqe që ju duhet të konsumoni rregullisht për të pasur një jetë të shëndetshme.
Qershitë dhe Vishnjet
Vlerat ushqimore: 46 kalori, 1.5 gramë fibra dhe shumë antioksidantë në një gjysëm filxhan çaji.
Vlerat shëndetësore: Qershitë e athta dhe vishnjet përmbajnë antioksidantin e fuqishëm anthocyanin në nivele më të larta se frutat e tjera. Ky antioksidant ul nivelet e inflamacionit dhe të çliron nga dhimbjet e artritit.
Kuriozitet: Qershitë e athta dhe vishnjet që përdoren në ëmbëlsira apo reçel kanë më shumë vitaminë C se qershitë e ëmbla, por shumë prej këtyre vlerave humbasin kur qershitë futen në temperature të larta.
Molla
Vlerat ushqimore: 75 kalori, 3 gramë fibra
Vlerat shëndetësore: Molla përmban antioksidantë të njohur si flavonoidi që lufton diabetin dhe azmën. Molla ka gjithashtu veti natyrale për freskimin e gojës dhe pastrimin e dhëmbëve në çdo kafshim.
Kuriozitet: Shija dhe aroma e mollës vijnë nga disa qeliza në lëkurën e frutit. Ndaj nëse do të shijosh frutin sa më shumë, mos e qëro atë.
Manaferrat
Vlera ushqimore : Në një gjysëm filxhan çaji gjenden 31 kalori, 4 gramë fibra dhe shumë antioksidantë.
Vlerat shëndetësore: Manaferrat kanë një ngjyrë vjollcë të errët për shkak të një antioksidanti të fuqishëm të njohur si anthocyanin që ndihmon në uljen e rrezikut të atakut në zemër dhe kancerit. Studimet kanë treguar që ekstrakti i manaferrës ndalon rritjen e qelizave kancerogjene në mushkëri.
Boronica e errët
Vlera ushqimore: 41 kalori, 1.5 gramë fibër dhe shumë antioksidantë në një gjysëm filxhan çaji.
Vlerat shëndetësore: Boronica renditet në vendin e parë për nga niveli i lartë i elementëve antioksidantë në krahasim me 60 fruta dhe perime të tjera. Boronica ndihmon në uljen e rrezikut të zhvillimit të sëmundjeve si Parkinson apo Alzheimers. Racionet e boronicës si edhe të frutave dhe perimeve, duhen ndarë në varësi të moshës dhe gjinisë. Për shembull, gratë nga mosha 19 deri në 50 vjeç kanë nevojë për tetë racione fruta dhe perime (të kombinuara) në ditë.
Boronica e Kuqe
Vlera ushqimore: 24 kalori, 2.5 gramë fibra dhe shumë antioksidantë në një gjysëm filxhan çaji.
Vlera shëndetësore: Boronica e kuqe ka efekt antibakterial dhe si e tillë ndihmon në trajtimin dhe parandalimin e infeksioneve urinare. Studimet tregojnë që boronica e kuqe parandalon edhe formimin e gurëve në veshka dhe ulçerën.
Rrushi i kuq
Vlera ushqimore: Në një gjysëm filxhan çaji me rrush gjenden 53 kalori, rreth 1 gram fibra dhe magnez.
Vlerat shëndetësore: Rrushi përmban resveratrol, një antioksidant që ndihmon në parandalimin e tensionit të gjakut dhe mpiksjes së tij. Resveratroli gjithashtu parandalon në shpërndarjen e qelizave të kancerit të zorrës së trashë, stomakut dhe gjirit.
Shega
Vlerat ushqimore: Një gjysëm fruti ka 53 kalori, rreth 1 gramë fibra, vitaminë A dhe potasium.
Vlerat shëndetësore: Shega përmban nivele të larta antioksidantësh që mbrojnë zemrën. Konsumimi ditor i lëngut të shegës rregullon tensionin e gjakut dhe ul rrezikun e sëmundjeve të zemrës.
Mjedra
Vlera ushqimore: Një gjysëm filxhan çaji me mjedra ka 32 kalori, 4 gramë fibër, folat dhe magnez.
Vlera shëndetësore: Mjedra është e pasur me antioksidantë të dobishëm në parandalimin e kancerit të qafës së mitrës. Shkencëtarët besojnë që mjedra është e dobishme në trajtimin e kancerit të zorrës së trashë dhe të ezofagut.
Luleshtrydhja
Vlera ushqimore: Një gjysëm filxhan çaji me luleshtrydhe ka 23 kalori, 1.5 gramë fibër dhe vitaminë C.
Vlerat shëndetësore. Luleshtrydhet janë të pasura me antioksidantë që kanë efekte anti-inflamatore. Luleshtrydhet ndihmojnë me problemet e artierieve të zemrës dhe ngadalësojnë avancimin e disa sëmundjeve kancerogjene.
Domatja
Vlerat ushqimore: Një kokërr domate ka 22 kalori, 1.5 gram fibra, vitaminë A, folat dhe potas.
Vlerat shëndetësore: Domatet janë burimi më i mirë natyror i lycopene një antioksidant i fuqishëm që ndihmon në uljen e nivelit të kolesterolit dhe mbron kunder kancerit të avancuar të prostatës.
Shalqini
Vlerat ushqimore: Një gjysëm fixhan çaji me shalqi ka 23 kalori, 1 gramë fibër dhe vitaminë A.
Vlerat shëndetësore: Shalqini futet në kategorinë e frutave të përshtatshme për ata që duan të mbajnë dietë. Në stinën e nxehtë, ai është ideal për të shuar etjen. Shalqini përmban 90 për qind ujë, elementi thelbësor që garanton hidratimin e domosdoshëm, për të cilin organizmi ka nevojë./AgroWeb.org/