Lulediellat e Praruara të Shqipërisë

422 0

Pranojeni ose jo, farat e lulediellit janë mënyra më perfekte për të kaluar kohën. E kush nuk ka përtypur fara vjedhurazi në orën e mësimit poshtë bankës apo në shtëpi teksa shihnit televizor? Vështrimit qortues të mësueses i shtohej edhe breshëria me të këqiat që rendiste mamaja që nga, ‘ato i prek miu’ e deri tek ‘janë aq të dëmshme sa të shkaktojnë sëmundje’. Por a na ndaloi kjo? Aspak. Ky në fakt është rasti kur është mirë të mos i dëgjosh prindërit pasi një grusht me fara ndikon në mënyrë të jashtëzakonshme tek shëndeti ynë.

Shqipëria para viteve ’90 shquhej si prodhuese e farave dhe vajit të lulediellit. Kodrina të tëra verdhonin në vend. Por me ndërrimin e sistemeve, ne prodhojmë vetëm fara për konsum. Sipas INSTAT të siguruara nga AgroWeb.org, Shqipëria prodhon rreth 2.000 ton fara luledielli në vit nga 1.000 ha tokë të mbjellë, kryesisht të përqëndruar në zonën e Lushnjës dhe Beratit. Në total Shqipëria eksporton 38 ton fara dhe importon 92 ton, siç tregojnë të dhënat.

Lulediellat gjithsesi po njohin një rikthim, ato po kultivohen sërish sidomos në fermat e Lushnjës dhe ato të Bilishtit, nga ku shiten me çmimin 150-180 Lekë për kilogram dhe ka raste që ferma ka kapacitet prodhimi deri në pesë ton prodhim. Specialistë e pyetur nga AgroWeb.org tregojnë se rrallë e më rrallë gjen farën e vjetër shqiptare të para viteve 90, tani atë e gjen të zëvendësuar me farë prodhimi maqedonase. 

Është e pamohueshme, që farat janë një produkt i dashur për shqiptarët, por përveçse për të vrarë kohën, farat e lulediellit janë tejet të shëndetshme dhe me shumë vlera ushqyese. AgroWeb.org ju tregon se çfarë mund të bëjnë ato për ju:

1-Kontrollojnë dëmtimin e qelizave, duke ndihmuar në këtë mënyrë parandalimin e tumoreve. Kjo pasi farat e lulediellit janë një burim i mirë me selenium, që është provuar si armik iradikaleve të lira.

2-Përmbajnë minerale të domosdoshme për shëndetin e kockave. Përveç kalciumit, kockat kanë nevojë edhe për magnez dhe bakër për të qenë të forta. Farat e lulediellit i kanë të dyja këto minerale. Plus kanë dhe Vitaminë E, që ndihmon në lehtësimin e dhimbjeve të artritit.

3-Të mbajnë të qetë. Po! Magnezi tek farat e lulediellit ka reputacionin që qetëson nervat, duke liruar në këtë mënyrë stresin, migrenën dhe ndihmon për t’u relaksuar.

4-I japin shkëlqim fytyrës. Dhe këtë ia dedikojmë rolit të Vitaminës E, e cila lufton rrezet UV dhe e mban lëkurën të re.

5-Lehtësojnë problemet inflamatore, si dhembja e kyçeve, gastriti, ulçera, skuqja e lëkurës, azma. Kjo sepse farat e lulediellit kanë shumë antioksidantë.

6-Vetëm një gjysëm filxhan me fara luledielli mban larg sëmundjet kardiake. Kërkimet e AgroWeb.org tregojnë se këto fara të vogla pengojnë kolesterolin e “keq” që të mos ngjitet në muret e arterieve, duke parandaluar në këtë mënyrë ataket e zemrës.

7-Me shijen e tyre unike, farat e lulediellit mund të jenë një produkt i shkëlqyer për t’u shtuar në dietën tuaj. Hidhini në sallatë, në kos, në sanduiç, oriz, makarona. Mundësitë janë aq të shumta sa dhe të mirat e këtyre farave të adhuruara nga dielli.

8-Përmbajnë fosfor, zink dhe minerale të tjera. Këto bëjnë të mundur që trupi të krijojë kocka dhe dhëmbë të fortë.

9-Përmbajnë shumë proteina. Një filxhan i vogël me fara përmban 7 gram proteina. Kjo proteinë i jep trupit energji përgjatë gjithë ditës.

Bëni kujdes! Edhe pse konsumi i farave të lulediellit ka shumë të mira, sërish duhet të bëni kujdes kur i konsumoni, pasi ato mund të përmbajnë shumë kalori. Deri në 818 kalori dhe 72 gram yndyrna. Ndonjëherë ato mund të jenë dhe shumë të kripura, gjë që dëmton shëndetin tuaj. Gjithashtu është e rëndësishme të mos e konsumoni lëvozhgën e farës, pasi mund të shkaktojë probleme me tretjen./AgroWeb.org/