Më të Çmuarat e Nëntokës

774 0

Perimet e nëntokës mund të duken jo shumë të bukura. Ato kanë lëkurë të trashë e të çuditshme me kërcenj të gjatë që shpërndahen me furi. Disa duken sikur të kenë zbritur nga hapësira. Shumë prej tyre injorohen nga konsumatori për shkak të reputacionit famëkeq në lidhje me shijen e tyre të thartë prej toke. Më poshtë do gjeni një udhërrëfyes të thjeshtë që AgroWeb ka përgatitur për perimet e nëntokës, ku mund të gjeni frymëzimin për t’i parë këto perime me një sy tjetër, për shkak se ato janë me të vërtetë fantastike për shëndetin tuaj. Për më tepër pavarësisht vështirësive në kuzhinë, këto perime janë shumë të shijshme gjithmonë nëse gatuhen siç duhet.

Shqipëria është e famshme për një nga shumë perimet e nëntokës. Qepa! Shqipëtarët e adhurojnë qepën deri në atë pikë sa qepët e prodhuara në vend plotësojnë 90% të kërkesës së tregut. Korça dhe Elbasani janë zonat me prodhimtarinë më të lartë të qepëve në vend. Po ashtu të famshme janë edhe karrotat e rrepat e vendit, që gjenden gjerësit në tregjet tona.

Vlerat shëndetësore te perimet e nëntokës

Perimet e nëntokës janë ndër më të pasurat me vlera ushqimore dhe shëndetësore në botë. Secila prej tyre ka vlerat e veta specifike, ndonëse të gjitha kanë karakteristika të ngjashme. Patatet e ëmbla, panxhari i kuq, karrotat, qepët, hudhrat, selinoja, rrepa, argjinarja, xhenxhefili e të tjerë konsiderohen si perime të nëntokës.

Duke qenë se ato rriten nëntokë, këto perime përthithin një sasi të madhe vlerash ushqimore nga toka. Ato janë të pasura me antioksidantë, vitamina C, B dhe A, si dhe hekur duke ndihmuar në pastrimin e organizmit.

Ato janë të pasura me karbohidrate që digjen ngadalë dhe fibër që ndihmon në ngopjen e shpejtë dhe rregullojnë nivelin e sheqerit në gjak dhe sistemin tretës. Këto faktorë, përfshirë faktin që ato kanë pak kalori i bëjnë këto perime një alternativë të shkëlqyer për njerëzit që përpiqen të bien në peshë ose të qëndrojnë të shëndetshëm.

Nga ana tjetër, perimet e nëntokës luftojnë sëmundjet, mbrojnë imunitetin dhe japin shumë energji.

Si mund t’i zgjidhni perimet e nëntokës

Përzgjedhja e perimeve të nëntokës nuk ngjason me atë të frutave. Në këtë rast perimet duhet të jenë të forta dhe pa njolla në lëkurën e tyre. Kur zgjidhni perime siç është panxhari duhet të siguroheni që kërcelli, rrënjët dhe gjethja nuk janë të qullëta dhe pa ngjyrë.

Si mund të ruani perimet e nëntokës

Sigurisht që askush prej nesh nuk ka një hapësirë të veçantë ku mund të ruajë perimet e nëntokës, megjithatë ato kërkojnë një vend të veçantë të freskët dhe të errët. Nëse vendosni t’i ruani në frigorifer, mos harroni t’i mbështillni në një qese plastike ose letre. Nëse i lini zbuluar, atëherë ato do të zbuten dhe kalben më shpejt.

Cila është stina më e mirë për perimet e nëntokës?

Shumica e këtyre perimeve mund të shijohen gjatë gjithë vitit, por stinët e vjeshtës dhe pranverës janë periudha më e mirë, me përjashtim të panxharit që arrin kulmin gjatë verës dhe vjeshtës. Kur këto perime janë të stinës, ato kanë një shije të ëmbël dhe janë plot lëng. Sidoqoftë këto perime kanë tendencën të kenë një qëndrueshmëri të lartë gjatë gjithë vitit.

Cilat janë llojet e perimeve të nëntokës?

Perimet e nëntokës janë të panumërta, por AgroWeb ka pregatitur një listë me disa prej më të rëndësishmeve.

Patatet. Këto perime të nëntokës kanë gjetur përdorim të gjërë në kuzhinë. Me to mund të përgatisim pure dhe supë. Mund t’i pjekim në furrë por mund t’i përdorim edhe në gatime të tjera të ëmbla dhe të kripura. Kombinohen mjaft mirë me qumështin e arrës së kokosit, mjaltit, portokallin, kanellën, xhenxefilin, arrat amerikane, arrat e Indisë, arrat dhe rrushin e thatë por edhe me erëzat si curry. Varietet e patateve kanë ndryshime nga njëra tjetra, por mund të kombinohen mjaft mirë së bashku në kuzhinë.

Panxhari. Futet në listën e ushqimeve më të shëndetshme në planet. Janë të pasura me beta karoten dhe antioksidantë të tjërë por edhe më elementë anti-inflamacion. Panxhari ka shije toke, të ëmbël. Gatuhet në avull ose piqet. Mund të konsumohet edhe i gjallë. Panxhari i artë ka një shije pak më të ëmbël se panxhari i kuq. Gjithësesi të dyja kombinohen mjaft mirë me qitron, portokallet, djathin e dhisë, arrat, kanellën, tahinin dhe boronicat.

Karrotat. Të forta dhe të ëmbla. Karrotat janë ndoshta perimet më popullore në botë, sepse janë perfekte për t’u ngrënë të pagatuara. Ato shkojnë mjaft mirë me çdo perime të mundshme në çdo formë gatimi.

Karrotat kanë gjithashtu një marrëdhënie të mirë me erëzat dhe barishtet.

Qepa dhe Hudhra. Ka pasur mjaft debate mbi klasifikimin e qepës dhe hudhrës si perime të nëntokës duke qenë se ato nuk rriten aq thellë në nëntokë dhe nuk kanë të njëjtën strukturë si të tjerat. Qepa dhe hudhra përdoren në gatim, sepse shumëfishojnë shijet e çdo pjate. Të dyja janë super të shëndetshme, sepse rrisin qarkullimin e gjakut dhe kanë veti anti-inflamatore./AgroWeb.org