Produktet shqiptare, rritja e cilësisë josh tregjet e huaja

334 0

Pavarësisht se në sytë e shumicës së shqiptarëve, blegtoria e bujqësia, qëndrojnë modeste, përsa i përket dukjes, është fakt se rritja e tyre, vit pas viti bëhet e dukshme, nisur nga treguesit. E një tregues krejt i vërtetë, është niveli i eksporteve. Duke parë statistikat e publikuara nga Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, secili prej nesh mund të deduktojë lehtë, se si Shqipëria, po kërkon dhe po gjen resurse brenda vetes, për të rritur prodhimin e produkteve që nuk kanë patur vëmendjen maksimale, më parë.

Sipas të dhënave zyrtare, për 6 muajt e parë të këtij viti, eksportet e prodhimeve bujqësore, blegtorale dhe agropërpunuese kanë shënuar një rritje me 28%, krahasuar me një vit më parë. Nëse hyn brenda thellësisë së shifrave, ajo që bie në sy, është rritja me rreth 58% e eksporteve të blegtorisë, si e tillë, pra si sektor që ka parë rritjen më të madhe, nga fillimi i vitit, e deri në muajin qershor. Por edhe ky sektor, shënon risi në vetvete, përsa i përket trendit të ri, që dëshmohet nga shifrat, gjithnjë për sasinë e eksporteve.

Kështu, nëse një vit më parë, Shqipëria eksportonte më shumë, të imta, shpendë e kafshë të tjera sipas traditës së viteve të fundit, këtë vit ka vrull eksportesh në produkte si peshk, vezë, mjaltë etj. Kur themi rritje, nuk hyjmë në ndryshime “të ndrojtura” shifrash, por në rritje të dukshme.

E pikërisht këto shifra, dëshmojnë edhe për një vëmendje të spostuar ndaj këtyre produkteve, që deri një vit më parë, nuk kishin këtë “vitrinim” kaq aktiv jashtë vendit. 218% më shumë se një vit më parë, janë eksportuar vezë nga vendi ynë, deri në qershor, këtë vit. E thënë ndryshe, rreth 998 tonë vezë, eksportohen drejt tregtjeve të konsoliduara në vendet fqinjë apo edhe më tej. Por edhe më impresionuese është rritja e eksporteve, për produktet e detit. Kështu, për produkte si “korale dhe materiale të ngjashme”, arrihet një rritje eksporti deri në vlerat 400%. Edhe peshku ka patur një rritje me rreth 60%, çka konfirmon politikat specifike të nxjerrjes, përpunimit dhe magazinimit të tij.

Përsa i përket produkteve bujqësore në vetvete, ajo që bie në sy nga shifrat zyrtare, është një rritje e prodhimit dhe për rrjedhojë e eksportit, të patatave dhe frutave. Kështu deri në fillim të verës 2016, janë eksportuar rreth 900 ton patate, ose mbi 120%, krahasuar me të gjithë vitin 2015. Ndërsa përsa i përket prodhimit të frutave, këtë 6 mujor janë eksportuar rreth 5 mijë ton, krahasuar me rreth 2 mijë ton të vitit 2015, ose thënë ndryshe, ka një rritje prej 165 përqind.

Ndërkohë, për herë të parë këtë vit, Shqipëria eksporton misër dhe ka një rritje shumë të ndjeshme, të eksportit të orizit. Nëse një vit më parë, misri nuk konsiderohej si produkt që merrte vëmendje të veçantë, këtë vit, me politika specifike, është rritur prodhueshmëria e tij dhe për rrjedhojë, ka patur afro 10 ton të eksportuara.

Përsa i përket agroindustrisë, Shqipëria ka shënuar një hop cilësor përsa i përket prodhimit të qumështit, eksporti i të cilit është rritur me 116%, deri në qershor të vitit 2016. Eksporti i yndyrnave është një zë që të krijon vëmendje mes shifrave zyrtare, pasi ka një rritje nga niveli 10 tonë, në rreth 66 ton. Vaji i ullirit ka pësuar një rrije në vlerën mbi 100 përqind krahasuar me një vit më parë, ndërkohë që brenda këtij zëri, është rritur rreth 6 herë, eksportimi i vajit vegjetal.

Mes prodhimeve të agroindustrisë, bie në sy që Shqipëria nuk eksporton më margarinë e niseshte, krahasuar me vitin 2015, ndërkohë që ka shtuar ndjeshëm, eksportin e djathit, ëmbëlsirave dhe farërave të papërpunuara.

Nisur nga kjo panoramë interesante shifrash, secili mund të kuptojë devijimin e politikës së eksportimit, nga produktet tradicionale, drejt atyre që zgjojnë interes të posacëm, për tregjet europiane.

 

*Gert Selenica është kryeredaktor programi në VizionPlus TV dhe punon si gazetar që prej vitit 1995. Përgjatë karrierës profesionale, ka prekur më së shumti çështjet politike, sociale, ekonomike dhe problematikat mjedisore. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për AgroWeb.org