Aflatoksinë tek fiqtë e thatë nga Turqia dhe pesticide tek mollët e Polonisë

310 0

Autoritetet doganore të Suedisë kanë bllokuar, në 24 Tetor 2016, një ngarkesë nga Turqia me fiq të thatë të kontaminuar me aflatoksinë. Suedia ka ndezur alarmin e kuq tek të gjithë vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

Qendra e Komisionit Evropian për Alarmin Doganor ka njoftuar të gjitha pikat doganore të vendeve anëtare se autoritetet Suedeze kanë refuzuar të fusin në vendin e tyre fiqtë e thatë nga Turqia, pasi analizat treguan se produktet janë të kontaminuar me sasi të mëdha aflatoksine në vlera alarmante prej (B1 = 27; Tot. = 72 µg/kg – ppb). Kliko këtu për njoftimin zyrtar.

Suedia u ka kërkuar vendeve të BE-së të mos lejojnë hyrjen e këtyre ngarkesave me fiq të thatë nga Turqia për shkak të këtij kontaminimi toksik. Sipas burimeve zyrtare të raportuara nga AgroWeb.org, autoritetet Suedeze kanë refuzuar procedurat e importit dhe kanë sekuestruar mallin që priste konfirmimin doganor.

Republika Çeke gjithashtu ka ngritur alarmin për ngarkesat me mollë të Polonisë të cilat rezultuan me prani të mbetjeve të rrezikshme të pesticidit klorpirifos. Sasia e pesticidit që rezultoi pas analizave të mostrave të mollëve ishte alarmante në nivelin 0.076 mg/kg – ppm. Kliko këtu për njoftimin zyrtar.

Produktet janë shpërndarë tashmë në tregjet e Çekisë dhe Sllovakisë, ndaj autoritetet e këtyre vendeve janë angazhuar tërësisht për të larguar nga tregu të gjitha mollët me këtë prejardhje polake, të cilat janë të rrezikshme për shkak të pesticideve të përdorura.

Mollët e prodhuara nga Polonia e që janë të spërkatura me këto pesticide janë shpërndarë edhe në të tjera tregje Evropiane, autoritetet e të cilave po bëjnë ç’është e mundur që të heqin nga tregu këto produkte për të mbrojtur shëndetin e konsumatorëve.

Alarmet që kanë ngritur Suedia dhe Çekia konsiderohen në nivelin ‘rrezik serioz’ dhe kanë tronditur vendet e Bashkimit Evropian, të cilët e vënë mbrojtjen e konsumatorit në vend të parë në listën e parë të prioriteteve.

Klorpirifos është një substancë toksike për njerëzit. Sipas kërkimeve të AgroWeb.org, ekspozimi ndaj kësaj substance ka ndikim në sistemin neurologjik, shkakton çrregullime të shumta dhe dëmton imunitetin. Ekspozimi gjatë shtatzanisë vonon zhvillimin mendor të fëmijëve. Gjithashtu fëmijët janë më të predispozuar të preken qoftë edhe nga dozat më të vogla të kësaj lënde toksike.

Aflatoksina, në të vërtetë është një grup përbërësish toksikë që prodhohet nga myku në ushqim. Sipas burimeve të AgroWeb.org, ajo shkakton dëme në mëlçi dhe kancer. Kjo nuk është hera e parë që ngarkesat me ushqime që vijnë nga Turqia janë të ndotura me aflatoksinë, gjë që nxjerr në pah cilësinë e dobët dhe standardet e rrezikshme që aplikohen në magazinimin e produkteve ushqimore.

Situata të tilla mund të kenë një ndikim pozitiv në rritjen e eksportit të mollëve të Shqipërisë drejt tregjeve të Evropës Qendrore të cilat janë prekur nga ngarkesat e kontaminuara të Polonisë. Nga ana tjetër, Shqipëria importon sasi të konsiderueshme të fikut të thatë nga Turqia, ngarkesa të cilat mund të kompensohen mjaft mirë nga prodhimet lokale të vendit tonë. Fiqtë e thatë të Shqipërisë mund të mos jenë fort të paraqitshëm sa produktet e Turqisë, por është e sigurt që nuk janë të kontaminuar me aflatoksinë dhe janë më të shëndetshëm./AgroWeb.org