Investimet në bujqësi, Banka Botërore jep 7,3 milion euro

300 0

Bujqësisë shqiptare i shtohet një mundësi për zhvillim. Përvec mbështetjes financiare nga Skemat e granteve të IPARD-like prej 8.27 milion euro për vitet 2012-2014 dhe nga skemat kombëtare të subvencionit deri 50% të investimit tashmë edhe Banka Botërore ka miratuar një fond mbështetës prej 7,3 milion euro. Banka Botërore njofton se Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore miratoi sot një financim prej 7.3 milionë Euro nga IBRD për Projektin e Shërbimeve Mjedisore në Shqipëri, nga i cili do të përfitojnë fermerë, shoqata të pyjeve, grupe dhe individë në 310 komuna rurale dhe në 2980 fshatra të vendit.

Kostoja totale e projektit është 16.8 milionë Euro dhe bashkë-financohet nga një Fond Besimi prej 7.3 milionë Euro nga Qeveria Suedeze dhe një Fond Besimi prej 2.2 milionë Euro nga Global Environmental Facility (GEF).

Objektivi i zhvillimit të projektit është që të mbështesë menaxhimin e qëndrueshëm të tokës dhe të rrisë të ardhurat e komuniteteve në zonat e larta rurale të prirura për të pasur erozion. Ai kërkon të krijojë mundësi për mënyra alternative të sigurimit të jetesës dhe të kontribuojë në shfrytëzimin e qëndrueshëm të produkteve të pyjeve dhe të kullotave.

“Reduktimi i varfësirë rurale dhe zhvillimi i burimeve natyrore, sidomos i burimeve pyjore është një prioritet i rëndësishëm i qeverisë. Sektori shqiptar i pyjeve ka një potencial shumë të madh për të mbështetur rritjen ekonomike kombëtare, punësimin në zonat rurale dhe ruajtjen e mjedisit”, u shpreh Tahseen Sayed, Menaxherja e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri.

Projekti i Bankës Botërore do të ndihmojë që të ndërtohen kapacitetet e fermerëve shqiptarë, të organizatave të komunitetit dhe të institucioneve qendrore dhe të pushtetit vendor për të përdorur me efikasitet financimet e BE-së.

Ndërhyrjet e projektit do të promovojnë qëndrueshmërinë financiare, ekonomike dhe institucionale të përdorimit të tokës dhe menaxhimin e burimeve natyrore. Ato do të ndihmojnë gjithashtu që të ndërtohen kapacitetet e fermerëve shqiptarë, të organizatave të komunitetit dhe të institucioneve qendrore dhe të pushtetit vendor për të përdorur me efikasitet financimet e BE-së. Do të krijohen mundësi të barabarta që gratë dhe grupet e cënueshme të marrin pjesë në shërbimet mjedisore.

Projekti do të kontribuojë gjithashtu, në ruajtjen e burimeve ujore dhe në qëndrueshmërinë e menaxhimit të burimeve ujore duke pakesuarr sedimentet në lumenj dhe diga si pasojë e degradimit të tokës. Pritet që më shumë se një milion njerëz të përfitojnë në mënyrë indirekte nga përmirësimi i furnizimit me ujë dhe cilësisë së tij, si dhe reduktimit të përmbytjeve.

“Projekti mbështetet mbi përvojën e fituar nga projektet e mëparëshme të financuara nga Banka Botërore, të cilat kanë kontribuar ne mbrojtjen e mjedisit, menaxhimin e pyjeve të komunitetit dhe sekuestrimin e karbonit, tha Drita Dade, Specialiste e Lartë e Bankës Botërore për Menaxhimin e Burimeve Natyrore dhe Drejtuese e Projektit. “E reja e ketij projekti qëndron në krijimin e një sistemi informacioni për menaxhimin e pyjeve dhe futjen e skemave konkurruese te granteve për të përmirësuar menaxhimin e përdorimit të tokës dhe për t’u dhënë komuniteteve mundësi alternative për sigurimin e jetesës”.

Që kur Shqipëria u antarësua në Bankën Botërore në vitin 1992, vendit ka perfituar prej 82 projekteve me vlerë totale prej më shumë se 1.8 miliardë USD kredi dhe grantesh nga IDA dhe IBRD.