Zbresin Festat – Ngrihen Çmimet

308 0

Së bashku me pemët e ndriçuara qendrave të qyteteve, pushimet e shkollave, lejet e punës dhe planet me shoqërinë, festat e fundvitit po fillojnë të mbahen mend edhe për një tjetër traditë: rritjen e çmimeve të produkteve të përditshme.

Tregtarët ndjekin rritjen e sigurt të kërkesës së konsumatorëve për produktet ushqimore, pijet, fruta-perimet dhe shërbimet, duke rritur çmimet lirisht, në kulmin e festës së Vitit të Ri.

Por rritja e çmimeve për fruta-perimet dhe pijet (si mallrat më të konsumueshëm të shportës) nuk është një aksion i unifikuar nga të gjithë tregtarët e pakicës në të gjitha tregjet.

Ky fenomen ndodh në mënyrë të decentralizuar, jo në të njëjtën kohë dhe ashtu si shprehen vetë tregtarët e pakicës: “të nxitur më tepër nga ndryshimet e çmimit që imponojnë importuesit dhe tregtarët e shumicës.”

Bujqësia ka patur prodhim të bollshëm këtë vit prandaj, tregtarët nuk do të kishin arsye për t’i rritur çmimet nëse grosistët e shitjeve me shumicë nuk do ta bënin atë.

Tregtarë shprehen për AgroWeb se një kategori e pasur e popullsisë, ndikohet nga çmimi i lartë për të përcaktuar cilësinë e mirë.

Në kushtet kur motorri i qarkullimit të parasë dhe fitimit në periudhat me konsum të lartë, janë pikërisht ata që kanë më shumë para për të shpenzuar, këta shitës e shikojnë më me risk të mbajnë çmime të ulëta duke rrezikuar largimin e “parasë së madhe”.

Agjensia për Mbrojtjen e Konsumatorit ka deklaruar se nuk do të lejojë më çmime abuzive për festat duke ushtruar kontrolle të rrepta në të gjitha tregjet.

Në shportën e qytetarit shqiptar që prej vitit 2007, futen 272 artikuj, të ndarë në 12 grupe kryesore.

Sipas statistikave në këtë periudhë, krahasuar me muajin Nëntor 2018, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin ‘Ushqime dhe pije joalkoolike.’

Brenda grupit të ushqimeve çmimet janë rritur e nëngrupit “fruta” u rritën me rreth 10 %, pasuar nga nëngrupet “sheqer, reçelra e ëmbëlsira” me 5,9 %, “qumësht, djathë e vezë” me 4,9 %, “peshk” me 3,7 %, “zarzavate përfshirë patatet“me 2,7 %, etj.

Jo vetëm që ka ndodhur rritja vjetore e çmimeve për disa ushqime të shportës sipas INSTAT, por gjithashtu ka ndodhur edhe rritja e çmimeve nga muaji nëntor 2018 në dhjetor 2018.

Tregjet Agro-Ushqimore theksojnë se çmimet e importit janë në pjesën më të madhe të produkteve më të larta se ato të prodhimit të brendshëm.

Por ajo që ndikon më tepër në xhepin e konsumatorit shqiptar është rritja e çmimeve të produkteve të brendshme, pasi ato zënë pjesën më të madhe të tregut dhe janë më të konsumueshmet në pregatitjen e ushqimeve tradicionale apo festive. /AgroWeb.org