Mungesë perimesh në Evropë, Britania nis shitjen me racion

356 0

Mendonim se njihej vetëm në Shqipëri, por ‘talloni’ i famshëm duket se nisur të aplikohet në Evropë. Shkak është bërë mungesa e perimeve në tregun evropian, pasojë e ngricave që sollën reduktim prodhimi.

Rrjetet e supermarketeve gjigande në Britaninë e Madhe kanë nisur racionimin e perimeve. Konkretisht një person ka të drejtë të blejë vetëm tre tufa sallatë jeshile dhe tre brokoli.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org, supermarketet e mirënjohura britanike Tesco dhe Morrison kanë nisur të vendosin të parët këto kufizime shitjeje.

Përfaqësuesit e tyre thanë për Daily Mail se moti i keq në Spanjë ka shkaktuar mungesë produktesh në treg, ndërkohë që furnizuesit po punojnë për të gjendur zgjidhje për këtë problem.

Konsumatorët anglezë kanë nisur të postojnë në faqet e rrjeteve sociale fotografi të rafteve bosh të perimeve në marketet Tesco, në të cilat ka mbishkrime ku shkruhet: "Për të krijuar mundësinë të gjithë klientëve tanë të blejnë sallatë ajsberg, jemi të detyruar të kufizojmë blerjet deri në tre tufa për person."

Talloni me të cilin racionoheshin ushqimet gjatë sistemit komunist në Shqipëri. Foto: WebLibrary

Siç AgroWeb.org ka raportuar, përmbytjet në Spanjë para Vitit të Ri dëmtuan të mbjellat ndërsa vala e të ftohtit në janar e bëri të pamundur që fermerët në Evropë të mund të vijonin mbjelljet.

Spanja Jugore siguron furnizim të 80 përqind të prodhimeve të freskëta për vendet e BE-së gjatë dimrit.

Përfaqësuesit e Shoqatave bujqësore britanike thanë për BBC-në se furnizimet totale që vijnë nga Spanja janë 30 deri 50 përqind më të pakta se furnizimet normale, por çështja është se edhe kjo sasi nuk vjen vetëm për britanikët. Gjermania, Franca dhe vendet e tjera të BE-së do të furnizohen po nga kjo sasi e limituar perimesh.

Ekspertët thonë se nuk i dihet se kur do t’i vijë fundi kësaj krize. Supermarketet britanike kanë nisur të furnizohen si asnjëherë më parë nga Shtetet e Bashkuara dhe kjo i ka shkaktuar një kosto të madhe prej tarifave të transportit.

Prej gati tetë javësh, Spanja nuk po furnizon vendet e BE-së me të gjelbra. Por edhe furnizimi i përgjithshëm me perime si patëllxhanë, domate, brokoli dhe speca ka rënie drastike.

Pritet që mungesa e perimeve në tregun e vendeve të BE-së të vazhdojë së paku deri në Prill.

Prodhimi i perimeve në Evropë ka rënë me 40 përqind dhe gjithçka do të varet nga kushtet e motit në Evropën Jugore në Shkurt dhe Mars.

Rajoni i Murcisë në Spanjë furnizon 80% të produkteve të freskëta të Evropës gjatë dimrit. Por për shkak të shirave të dendur të 30 viteve të fundit, vetëm 30 përqind e tokave në Murci janë prodhuese.Efektet e kësaj mungese kanë pasur shumë pasoja kryesisht për Anglinë, e cila importon 50% të perimeve dhe 90% të frutave.

Në raftet bosh të perimeve në marketet Tesco ku shkruhet se, për t'u krijuar mundësinë të gjithë klientëve të blejnë sallatë ajsberg, jemi të detyruar të kufizojmë blerjet deri në tre tufa për person. Foto: WebLibrary

Mundësi e shkëlqyer për eksportuesit shqiptarë – Çertifikimi është çelësi

Ndërkohë që ngricat ekstreme në disa vende të Evropës kanë bërë që prodhimi i perimeve të dëmtohet, kjo mund të jetë një mundësi e shkëlqyer për fermerët shqiptarë për të eksportuar produktet e gjelbra. Kjo pasi në vendin tonë, edhe pse i ftohti ka mbizotëruar këtë periudhë, temperaturat duket se nuk kanë qenë ekstremisht të ulta për të dëmtuar të mbjellat në serra.

Por ende shumë prodhues në Shqipëri nuk mund të penetrojnë dhe të shesin në rrjetet e mëdha të supermarkeveve në Evropë për shkak të mungesës së çertifikimeve.

Çertifikimi Global GAP ashtu si edhe çertifikimi me standardet e larta ISO janë një kërkesë thelbësore nga tregjet e mëdha dhe supermarketet ndërkombëtare.

Hyrja në tregjet e BE-së është tejet thelbësore, si një burim i rëndësishëm i të ardhurave për Shqipërinë, por së pari kompanitë shqiptare të agrobiznesit duhet të çertifikohen me standardet e sigurisë ushqimore. Kjo do të kishte një ndikim të madh, duke bërë të mundur që prodhuesit të hyjnë në tregjet e BE-së, duke rritur kështu mundësitë për eksport. /AgroWeb.org