Lëngu Special i Frutave dhe Perimeve të Gjelbra

640 0

Lëngu i mollës jeshile, kivit dhe spinaqit është jo vetëm i shijshëm por edhe i pasur me ushqyes. Është mënyra e duhur për të nisur ditën. Lëngu i gjelbër nuk është i thartë, siç mund të mendoni falë mollëve jeshile dhe kivit.

Në këtë stinë, spinaqi është barishtja e parë që blihet rregullisht në treg. Spinaqi përdoret gjërësisht në sallata, supa, apo edhe në kombinimet me fruta dhe së fundmi në përgatitjen e lëngut të gjelbër, së bashku me mollët dhe kivin. Këtij lëngu mund t’i shtoni pak selino, kastravec dhe mente të freskët.

AgroWeb.org ju sugjeron të blini spinaq të freskët gjethevogël (bebe) për më shumë vlera.

Përbërësit:
• 100-200 gramë spinaq
• 1 mollë të gjelbër
• 1 kivi
• 2 kërcenj selinoje
• Gjysëm kastraveci
• 3 degëza gjethe mente

Udhëzimet:


Shtoni të gjithë përbërësit në mikserin e frutave. Nuk është e nevojshme t’i prisni në copa në rast se nuk keni zgjedhur kokrra të mëdhatë frutave. Shtrydhini dhe lëngun shpërndarjeni nëpër gota. Shërbejeni ose pijeni menjëherë për të përfituar vlerat ushqyese. Lëngun e mbetur mund ta fusni në një enë me kapak dhe ta ruani në frigorifer. Lëngun duhet ta konsumoni brenda 24 orëve për vlerat më optimale.

Shënim:
Nëse ju pëlqejnë lëngjet super të ftohta, atëherë shtoni akull në lëngun e gjelbër ose ujë të gazuar. Nëse jeni i apasionuar pas produkteve të gjelbëra, mund të shtoni në formulën e mësipërme edhe 100 gramë brokoli dhe gjysëm avokado sipas dëshirës.

Vlerat ushqyese 
Spinaqi përmban pak kalori por shumë fibër. Spinaqi ka shumë vlera për tretjen dhe është i pasur me ushqyes. Përmban sasi të mëdha të karotenoidëve, vitaminës C, vitaminës K, acidit folik, hekurit dhe kalciumit.

Studimet kanë treguar që spinaqi ul stresin oksidues. Ai përmban sasi të mëdha të nitratit që ndihmon në rregullimin e niveleve të tensionit të gjakut, rrjedhimisht duke përmirësuar shëndetin e zemrës dhe ulur rreziqet që i kanosen asaj.

Mollët përbëhen kryesisht nga karbohidratet dhe uji. Ato janë të pasura me fibër që rregullon nivelin e sheqerit në gjak dhe promovojnë tretjen. Mollët përmbajnë sasi domethënëse të vitaminës C, kaliumit, antioksidantëve të shëndetshëm dhe fibrës, që u japin atyre aftësi të larta mbrojtëse ndaj sëmundjeve të zemrës.

Fruti i kivit përmban karbohidrate që përbëhen kryesisht nga sheqernat, glukoza dhe fruktoza. Kivi është burim i mirë i fibrës, vitaminave dhe mineraleve. Ato janë veçanërisht të pasur me vitaminë C, madje më shumë se portokallet apo limonët. Kivi shmang shfaqjen e rreziqeve ndaj sëmundjeve të zemrës. Ai ndihmon në uljen e tensionit të gjakut dhe përmirëson profilin e yndyrnave në gjak./AgroWeb.org