Domatet e Egra – Frutat Plot Vlera të Malësive të Shqipërisë

2.1k 0

Domatja e egër njihet ndryshe edhe fshikakuqe dhe mban emrin botanik Physalis Alkekengi.

Shija e domates së egër është një kombinim mjaft interesant i domates tradicionale dhe luleshtrydhes.

Në Shqipëri, domatja e egër (lat. Physalis alkekengi L.), ka emërtime të ndryshme në varësi të zonave.

Në Shkodër i thërrasin shishëkuqe, në Korçë e quajnë piperkë e egër ndërsa në Malësinë e Madhe i thonë bar i të kuqit të madh.

Ky frut me pamje të çuditshme gjendet në natyrë në shumë zona malore të Shqipërisë, si në Shkodër, Malësi e Madhe, Alpet e veriut dhe në Korçë.

Domatja e egër gjendet në sasi të limituara ndaj fshikakuqja përdoret kryesisht në mjekësinë tradicionale.

Megjithatë, në dyqanet e mëdha mund të gjeni sasi të kufizuara domatesh të egra të importuara.

Siç e thamë edhe më lart, domatja e egër ka një shije të ëmbël dhe të thartë.

Tiparet Dalluese të Domates së Egër

Lëkura e domates së egër ka nuanca të portokallisë dhe të verdhës, ndërsa tuli rrethohet nga një shtresë e hollë me ngjyrë të çelët.

Fruti i ngjan domates tradicionale, por në madhësi më të vogël dhe me aciditet më të lartë.

Kur piqet plotësisht dhe kur shtresa mbrojtëse është e paprekur, domatja e egër mund të zgjasë 30-45 ditë.

Nëse dëshironi ta hani këtë domate, mos harroni të zhvishni tulin nga shtresa e lartpërmendur, për arsyen e vetme sepse ajo është e pangrënshme.

Më pas tulin shpërlajeni me ujë të bollshëm.

Tulin mund ta hani të gjallë ose të gatuar. Mund ta prisni në copa të vogla dhe ta përfshini në sallata dhe ëmbëlsira.

Domatja e egër është një burim i shkëlqyer i vitaminës C, beta karotenit, hekurit, kalciumit dhe vitaminës B. Ky frut përmban 18 aminoacide, ndër të cilët tetë janë thelbësore për mirëqenien e organizmit.

Ky frut përmban dy herë më shumë vitaminë C se limoni dhe vlerat shëndetësore janë të jashtëzakonshme.

Ndihmon kundër virozave dhe dhimbjeve të fytit

Merrni të gjithë bimën e domates së egër përfshirë rrënjët dhe lajini mirë me ujë të bollshëm.

Më pas bimën priteni në copa deri në 4 centimetra dhe lërini të thahen mirë.

Pas tharjes, merrni 9-10 gramë të bimës dhe ziejeni për 10 minuta.

Pas ftohjes së lëngut, filtrojeni, shtoni pak mjaltë dhe pijeni deri në 3 herë në ditë.

Këtë recetë mund ta përdorni edhe kundër kollës, bronshitit, shytave dhe problemeve të tjera me rrugët e frymëmarrjes.

Për trajtimin e diabetit

E njëjta recetë e mësipërme vlen edhe në rastet e trajtimit të diabetit.

Por në ndryshim me rastin e parë, kësaj here, çajin duhet ta pini që në mëngjes, një gotë pasdite dhe një përpara gjumit.

Në variantin e thatë, bima e domates së egër ka një nivel më të përqendruar të ushqyesve.

Konsumimi i rregullt domates së egër të thatë shumëfishon ushqyesit e përftuar.

Fruti i tharë i përngjan rrushit të thatë dhe ka një efekt energjik dhe fuqizues.

Për këtë arsye, domatja e egër përdoret shpesh në recetat me tërshërë apo shufrat me proteina./AgroWeb.org