Rukola është mbretëresha e barishteve të përdorura nga amvisat shqiptare, jo vetëm në shije por edhe në vlera.
Si çdo barishte tjetër edhe rukola mund të rritet mirë dhe shëndetshëm në kushtet e shtëpisë.
Në këtë artikull, AgroWeb.org do t’ju japë informacione të dobishme për mënyrën më të thjeshtë dhe të favorshme për rritjen e rukolës në saksi dhe për përfitimin e vlerave maksimale prej saj.
Çfarë ju nevojitet:
• Vazo – Rukola është një barishte që nuk ka teka. Ajo rritet ku ta vendosësh. Zgjidh vendin dhe vazon e preferuar të një madhësie të caktuar dhe rukola do të lulëzojë mjaft mirë. Vazoja ku do të mbillni një bimë të vetme duhet të jetë të paktën 20 centimetra e thellë dhe me një diametër prej 15 centimetrash.
• Dheu – Rukola është një barishte që përshtatet shumë mirë në kushtet e tokës ku lëshon rrënjë, por rezultatet më të mira përftohen në një tokë cilësore. Idealja është që të garantoni një sistem të mirë kullimi dhe një dhè të pasur me pleh organik.
• Drita e diellit – Rukola lulëzon kur qëndron të paktën gjashtë orë nën ndriçimin e drejtpërdrejtë të diellit. Por duhet të kini kujdes sepse barishtja nuk e duron nxehtësinë e madhe, ndaj sigurohuni që ajo të shijojë dritën e plotë të mëngjesit dhe hijen e pasdites.
Si ta rrisni rukolën nga fara
Përpara se të mbillni farat e para të rukolës, bëni gati vazon dhe vendin ku ajo do të qëndrojë.
Që dheu të jetë i kulluar mirë, në fund të vazos vendosni gurë të vegjël.
Kështu, dheu do të jetë mjaftueshëm i lagësht dhe i ajrosur.
Udhëzimet e detajuara për mbjelljen e farave të rukolës të cilat gjenden në farmacitë bujqësore
1. Vendosini farat në më pak se 1 centimetra nën tokë dhe ujitini me kujdes.
Nëse kanë lagështinë e nevojshme, farat do të lëshojnë rrënjë për pak ditë.
Filizat dalin zakonisht nga 3 deri në 10 ditë nga mbjellja e farës. Kini parasysh që në një vazo duhet të hidhni pak fara, sepse si çdo bimë tjetër edhe ato kanë nevojë për hapësirë.
2. Kur filizat të kenë dalë mbi tokë, krasitini leht,ë që të mundësoni rritjen më optimale të tyre.
Edhe në rastin e rukolës vlen parimi i më të fortit, ndaj filizat e vegjël që nuk premtojnë rritje, duhen krasitur që t’i lënë vend filizave të fortë.
3. Ujitini filizat e rukolës sipas nevojës. Dheu duhet të jetë i njomë, por nuk duhet ta teproni me ujiin.
Rrënjët kalben nëse jeni dorëlëshuar me ujin. Ujitja bëhet një herë në dy ditë, ose në rastet kur sipërfaqja e vazos është tharë.
4. Në bazë të ujitjes së rregullt, rukola do të jetë gati në më pak se 30 ditë.
Mbledhja e rukolës
Rukola më e mirë është ajo që mblidhet shpejt dhe herët. Ritmet e rritjes së barishtes janë të shpejta.
1. Për rezultate optimale përgjatë gjithë sezonit mblidhini gjethet e rukolës duke filluar nga zona e jashtme e tufës.
Sigurohuni që pjesa fundore, ose baza e bimës të jetë e paprekur në mënyrë që ajo të vazhdojë prodhimin pa u ndërprerë.
Kështu do të përfitoni gjithnjë e më shpesh barishten tuaj të preferuar.
2. Nëse dëshironi të mblidhni më shumë atëherë lëreni rukolën të rritet për 40-50 ditë pa prekur gjethet e jashtme.
Në këtë mënyrë, tufat do të jenë të mëdha dhe të plota. Për të rinisur gjithçka nga e para, mbillni fara të reja.
Njerëzit që duan të mbjellin rukolën në vazo, duhet të zgjedhin metodën e parë që të kenë furnizim të vazhdueshëm të barishtes./AgroWeb.org