Pasaportat e reja bujqësore

528 0

Ajo çfarë konsumojmë thonë se mund të jetë shëruesi më i fortë natyral ashtu sic mund të jetë helm që depërton dalëngadalë në organizmin tonë. Na ndodh shpesh, madje pothuajse gjithmonë, të mos interesohemi se nga vijnë produktet që konsumojmë, në rastin e importit, sa të sigurta janë, a është prapa tyre një çertifikatë e cilësisë?
Eksportet e produkteve ‘Made in Albania’ kanë pasur një rritje prej 28 përqind në vitin që lamë pas, bazuar në të dhënat e bëra publike nga Ministri i Bujqësisë. Gjithsesi ajo çfarë dime është se në tregjet botërore nuk mund të konkurojmë me sasi, por mund të identifikohemi me cilësi. Produktet shqiptare shihen nga të huajt si produkte ende të paprekura tërësisht nga globalizimi i modifikimeve gjenetike. Kjo është përparësi.
Por sa dinjitoze hyn Shqipëria me produktet e saj në tregjet europiane dhe botërore? Sa të sigurta janë kushtet fitosanitare të produkteve? Embargo ruse, e cila në fakt kishte të bënte jo me produktet shqiptare por me produktet joshqiptare të hyra në tregun rus me çertifikata të falsifikuara, solli një zhvillim të ri; Elemente më të forta sigurie në çertifikatat fitosanitare.
Vetë Ministria e Bujqësië ishte ajo që njoftoi palën ruse për falsifikimin, e tashmë pas një takimi dypalësh në Rusi, që prej 1 Janarit, kjo Ministri njofton se janë vënë në përdorim çertifikatat e reja me siguri më të lartë.

Cilët janë elementët e rinj të sigurisë?

Çdo shqiptar ka një pasaportë me elemente të fortë sigurie për udhëtim. Produktet shqiptare, tashmë kanë një pasaportë më të sigurt për ‘udhëtimet’ në Evropë e Botë; çertifikatën e re fitosanitare. Drejtor i Pergjithshëm i Shërbimeve Bujqësore dhe Peshkimit në Ministrinë e Bujqësisë, Flamur Laze i kontaktuar nga agroweb shpjegon elementët e rinj të sigurisë.

Që nga 1 janari eksportet në të gjitha vendet, me çertifikata të reja fitosanitare, më të sigurta

Përveç elementeve të tjerë të sigurisë, thotë zoti Laze, të cilat kanë qënë edhe tek çertifikatat e mëparshme fitosanitare, si pulla e sigurisë, letër me elementë sigurie, ngjyrime mbi të, në prodhimet e reja ëshjtë shtuar edhe një shirit sigurie i vendosur në krahun e djathtë të saj, ngjyrimi me shënime karakteristike është me i zbehtë, me qellim që të dalin më në pah shkrimet të cilat bëhen për ngarkesat me bimë apo prodhime me origjinë bimore, si dhe është ndryshuar numri i serisë tashmë me shtatë numra.

Duke filluar nga data 1 janar e këtij viti të gjitha eksportet bëhen me çertifikata të reja fitosanitare, ndërsa ato ekzistuese janë bllokuar në ambjentet e Ministrisë së bujqësisë dhe kanë dalë jashtë përdorimit.
Eshte hartuar gjithashtu një regjistër për shpërndarjen e çertifikatave fitosanitare. Në këtë regjistër shënohen: numri i serisë së çertifikatave që merr cdo Drejtori Rajonale e Bujqesisë (DRB) si dhe datat në të cilat janë tërhequr këto çertifikata. Shpërndarja e tyre bëhet sipas intensitetit që kanë eksportet në rajonet që mbulon DRB-ja.
Për çdo çertificatë fitosanitare të lëshuar mbahet një kopje e saj si dhe në një regjistër të posacëm mbahen të gjitha shënimet e çdo ngarkese. Prodhimi i tyre bëhet sipas procedurave të tenderimit.
Modeli i ri i çertificatës fitosanitare për eksport është publikuar edhe ne faqen zyrtare elektronike të Ministrisë së Bujqësisë. 
Modeli i ri i çertifikatës nuk përdoret vetëm për eksportët me Rusinë. Zoti Laze shpjegon se për të gjitha eksportet panvaresisht nga vendi pritës, përdoret vetëm modeli i ri i çertificatës fitosanitare.
Prodhimet shqiptare me pasaortën e tyre të re kanë edhe një tjetër sfidë përpara; standardizmin. Ministria e Bujqësisë ka në plan që çertifikimin e standardeve t’ua delegojë operatorëve privat (link fjala e Ministrit). Siguria ushqimore është prioritet për 2015-ën. Origjinaliteti, siguria dhe standardizimi do t’i bënte vërtet prodhimet shqiptare shërues të fortë natyral.