Sllovakia Shkatërron Mollët Serbe me Pesticide

277 0

Autoritetet zyrtare të Sllovakisë kanë njoftuar publikisht të gjitha vendet e Bashkimit Europian që pas analizave të hollësishme, se një sasi e madhe mollësh me origjinë nga Serbia rezultojne me prani të lartë pesticidesh shumë të rrezikshme.

Në datën 4 Maj 2017, zyrtarët sllovake të kontrollit doganor kanë bllokuar ngarkesat e mollëve nga Serbia pasi analizat treguan vlera përtej normave të lejuara të pesticidit ClorPyrifos, saktësisht mollët serbe përmbanin 0,086 miligram mbetje të këtij pesticidi për kilogram. Kliko këtu për njoftimin zyrtar.

Sllovakia i ka mbyllur tregun mollëve serbe dhe automatikisht nëpërmjet Sistemit të Alarmit të Menjëhershëm të Komisionit Europian dhe sipas burimeve të AgroWeb.org, ka lajmëruar vendet e EuroZonës të mbrohen nga sasitë e mollëve me origjinë nga Serbia.

Si rrallëherë masa e marrë nga autoritetet sllovake ndaj ngarkesave me mollë serbe ka qenë shkatërrimi i të gjithë sasisë, procedurë që u zbatua në datën 8 Maj 2017.

Lajmërimi zyrtar cilësohet si Rrezik Serioz dhe automatikisht vendos në gjendje gatishmërie autoritetet doganore të të gjitha vendeve të Bashkimit Europian. Klorpirifos është një substancë toksike për njerëzit.

Sipas kërkimeve të AgroWeb.org, ekspozimi ndaj kësaj substance ka ndikim në sistemin neurologjik, shkakton çrregullime të shumta dhe dëmton imunitetin. Ekspozimi gjatë shtatzanisë vonon zhvillimin mendor të fëmijëve. Gjithashtu fëmijët janë më të predispozuar të preken qoftë edhe nga dozat më të vogla të kësaj lënde toksike.

AgroWeb kontaktoi me grumbulluesit dhe eksportuesit vendas të mollëve shqiptare dhe rezulton se dërgesat e mollëve drejt tregjeve të huaja vazhdojnë pa ndërprerje dhe vihet re një rritje e eksporteve të këtij produkti. Të gjitha kontrollet doganore ndaj mollëve shqiptare tregojnë cilësinë e prodhimit shqiptar.

Edhe pse eksporton mollë, në periudha të ndryshme të vitit Shqipëria është e hapur ndaj importit të mollëve, ndërsa tregu i Republikës së Kosovës është më pranë gjeografikisht ndaj produkteve të eksporteve nga Serbia.

Shqetësim i vazhdueshëm mbetet edhe tregu i mollëve të përpunuara të cilat arrijnë në tregjet e Shqipërisë dhe Kosovës në formën e lëngjeve të paketuara të mollës të cilat mund prodhohen me të njëjtat sasi të mollëve të refuzuara nga vendet e Bashkimit Evropian si pasojë e mbetjeve të tyre toksike.

Prandaj këshilla për konsumatorët vendas është zgjedhja e produkteve shqiptare, të cilat janë më pak të ekspozuara ndaj masivitetit të tregjeve të mëdha.

Kohë më parë AgroWeb.org raportoi se Republika Çeke gjithashtu ka ngritur alarmin për ngarkesat me mollë të Polonisë të cilat rezultuan me prani të mbetjeve të rrezikshme të pesticidit klorpirifos. Sasia e pesticidit që rezultoi pas analizave të mostrave të mollëve ishte alarmante në nivelin 0.076 mg/kg – ppm. /AgroWeb.org