Konkurrenca në Rajon Godet Fort Eksportin e Fruta Perimeve Shqiptare

687 0

Greqia dhe Maqedonia, dy nga konkurrentët më të fortë të eksporteve shqiptare në rajon po shfrytëzojnë me kënaqësi panikun artificial të përhapur së fundmi në mediat shqiptare mbi përdorimin e hormoneve dhe stimulantëve tek frutat dhe perimet shqiptare duke goditur rëndë eksportin e tyre.

Pak javë më parë, mediat shqiptare përgjithësuan një rast të izoluar të një fermeri shqiptar, i cili përdorte hormone për rritjen para kohe të domates dhe shalqinit duke cilësuar të gjithë fruta-perimet shqiptare si të rritura në mënyrë jo natyrale.

Paniku i mediave shqiptare gjeti një hapësirë të gjerë interpretimi në vendet fqinjë, sidomos në Greqi e Maqedoni, ku u shndërrua në lajmin kryesor të edicioneve informative. Ka mjaftuar krijimi i kësaj situate në dukje alarmante, por aspak e përhapur gjerësisht dhe vendet e Bashkimit Europian kanë ngritur pikëpyetje mbi importimin e fruta-perimeve shqiptare.

Drejtori i Agrokon, Ruzhdi Koni thotë për AgroWeb.org se konkurrentët në rajon, kanë gjetur momentin e artë për larguar eksportet shqiptare nga lista e prodhimeve të preferuara të europianëve, në përpjekje për të zënë vendin e Shqipërisë në eksportin e fruta-perimeve.

Ndikim direkt ka pasur eksporti i frutave shqiptare, kryesisht shalqini. Koni bën të ditur se për shkak të shqetësimit ndaj kësaj kulture shqiptare nga tregjet europiane, shalqini shqiptar rrezikon të kalbet nëpër fusha. Fatmirësisht nuk ka ndodhur e njëjta situatë edhe me domatet dhe kjo për arsyen se, në periudhën e përhapjes së panikut, eksporti i domateve kishte përfunduar.

“Paniku që futën mediat tona u shfrytëzua më së miri nga konkurrentët tanë në rajon sidomos në Maqedoni dhe Greqi, të cilët lajmin e transmetuar në mediat tona e transmetuan dhe ritrasmetuan disa herë dhe pasojat u transmetuan në ndërprerjen e menjëhershme të eksportit dhe në uljen e menjëhershme të çmimeve.’

Koni thotë se, në rast se kjo situatë e sulmit të pabazuar mediatik mbi prodhimet shqiptare në tërësi dhe jo mbi raste të izoluara do të përsëritet, atëherë goditja për fruta-perimet vendase do ishte fatale.

“Klientët tanë në eksport tani janë të frikësuar nga prodhimet tona dhe i kanë ulur kërkesat e tyre për këto produkte. Shpresoj që kur të fillojë eksporti i domates në sezonin e dytë që fillon pas tetorit deri dhjetor -janar të mos jenë më këto probleme pasi do të ketë pasoja jo vetëm për bujqësinë dhe fermerët, por edhe për ekonominë tonë pasi ne konkurojmë në mënyrë të barabartë me vendet e BE vetëm me produkte bujqësore edhe pse jemi më pak financuar se këto vënde” shprehet Koni për AgroWeb.org.

Nga ana tjetër një prej eksportuesve të suksesshëm të shalqinjve në Shqipëri, Ardian Çitozi thotë se shalqinjtë nuk janë ndër ato produkte që rriten me hormone. Spekulantët mund të përdorin hormone në produkte të tjera, thotë ai, por tek shalqinjtë hormonet nuk kanë efekt.

Por Çitozi ngre një tjetër shqetësim. Eksporti kërkon sasi të mëdha shalqinjsh. Etja për para bën që disa fermerë, edhe pse nuk e kanë këtë sasi shalqini të pjekur, mbushin kamionët me shalqinj ende të papjekur vetëm që të mund të plotësojnë këtë kërkesë. Këto shalqinj pasi hyjnë në tregun evropian, kanë krijuar një reputacion të keq për shalqinjtë shqiptarë, thotë ai, ndërsa thekson nevojën e çertifikimit të produkteve që, si konsumatori shqiptar ashtu edhe i huaj të informohet përpara se të blejë.

Lidhur me lajmin për përdorim të hormoneve, Çitozi thotë se janë vetëm disa spekulantë që duan të nxjerrin prodhim të hershëm përpara të tjerëve. Sipas tij, një zgjidhje do të ishte ndalimi rreptësisht i hyrjes në dogana të çdo sasie edhe të vogël të hormoneve të palejueshme që rrisin forcërisht produktet.

Prodhimet shqiptare të testuara fort nga vendet ku eksportohen

Por ndërsa eksportet shqiptare po goditen për çështje konkurrence në rajon dhe për mungesë profesionalizmi nga mediat shqiptare, sipas të dhënave nga autoritetet zyrtare europiane, në secilin prej shteteve ku Shqipëria eksporton fruta-perime, analizat laboratorike dhe kontrollet e imtësishme rezultojnë të pastra dhe brenda normave strikte të lejuara nga BE.

Çdo shtet ushtron një kontroll rigoroz ndaj të gjitha prodhimeve të huaja që eksportohen. Pavarësisht panikut artificial të përhapur në vend, nuk ka ndodhur që prodhimet shqiptare të jenë ndaluar në kufi apo të jenë kthyer pas, për shkak të mos përmbushjes së normave të lejuara në analizat e kërkuara.

Siç është rasti i Kroacisë, ku sipas Agjencisë për Sigurinë Ushqimore pranë Komisionit Europian, domatet e eksportuara nga Turqia nuk janë lejuar të hyjnënë datën 21 Qershor 2017, atëherë kur Shqipëria vlonte nga zhurma mediatike mbi disa spekulantë.

Interes në rritje për perimet e freskëta Made in Albania po tregojnë edhe Gjermania, Italia, Hollanda e Franca, të cilat janë tepër të interesuara për të blerë prodhimet e freskëta shqiptare, kryesisht domaten, por edhe perime të tjera.