820 Milion Euro për Bizneset SME nga FEI dhe ProCredit Bank

341 0

820 milion euro për bizneset SME. Mbështetje e dyfishtë e Fondit Europian për Investime dhe ProCredit Bank për kompanitë novatore.

Fondi Europian për Investime (FEI) dhe Grupi ProCredit do të ofrojnë një shtesë të fondit prej 450 milionë euro për bizneset novatore SME, duke sjellë në total 820 milion euro për këto biznese.

Financimi i mbështetur nga FEI është tashmë i disponueshëm përmes bankave të Grupit ProCredit. Bizneset të cilat mund të kenë akses në këtë fond do të jenë sërish bizneset novatore në 11 vendet ku ProCredit operon si Gjermani, Shqipëri, Serbi, Maqedoni, Bosnje dhe Herzegovinë, Bullgari, Greqi, Rumania, Moldavia, Ukrainë dhe Gjeorgji.

Deri më sot, nëpermjet marrëveshjes me Grupin ProCredit janë mbështetur më shumë se 1,000 biznese SME novatore dhe shumë më tepër do të mbështeten në vijim.
Kjo marrëveshje u nënshkrua nën iniciativën e InnovFin të Komisionit Europian, mbështetur nga programi i kërkimit dhe inovacionit i BE-së, Horizon 2020.

InnovFin u mundëson bankave pjesëmarrëse të financojnë bizneset novatore me mbështetjen e garancisë së ofruar nga FEI. Marrëveshjet e nënshkruara nga vendet anëtare të BE-së, u mundësuan nga mbështetja e Fondit Europian për Investime Strategjike (EFSI). EFSI është shtylla kryesore e Planit të Investimeve të Komisionit Europian, i njohur edhe si "Plani Juncker".

Borislav Kostadinov, Anëtar i Bordit Drejtues të ProCredit Holding theksoi se: "InnovFin patjetër ka ndihmuar në modernizimin e sektorit të bizneseve SME në vendet ku bankat ProCredit oprejonë. Falë marrëdhënies sonë të partneritetit me një numër të madh biznesesh novatore SME, bankat ProCredit kanë mundësuar financimin e një gamë të gjerë industrish, veçanërisht në sektorin e prodhimit. Ndaj jemi të kënaqur që FEI dhe Grupi ProCredit kanë vendosur të zhvillojnë më tej këtë program të suksesshëm".

Që prej nënshkrimit të marrëveshjes në vitin 2016, midis ProCredit Bank Shqipëri dhe FEI, bizneset vendase SME janë mbështetur me mbi 15 milion euro. Bizneset që kanë përfituar kanë qënë pjesë e industrive të ndryshme si ajo prodhuese dhe tregtisë.

Zgjerimi i mëtejshëm i kësaj marrëveshje i jep mundësinë bizneseve SME në Shqipëri të cilat punojnë me bankën ProCredit, të kryejnë investime novatore me kushte të favorshme financimi. Këto investime do t’i mundësojnë atyre rritjen e cilësisë dhe uljen e kostove për prodhimin e produkteve dhe shërbimeve që ofrojnë, duke u bërë më tepër konkurrues në treg dhe duke investuar kështu në modernizimin dhe zhvillimin e tyre.