Frutat e perimet në Shqipëri më shtrenjtë se në Evropë

594 0

E ndërsa debati për rritjen e çmimit të ujit është bërë më i nxehtë se moti, në Shqipëri një tjetër rritje çmimesh prej gati katër muajsh po rëndon xhepat e konsumatorëve shqiptarë. Jemi në kulmin e sezonit të prodhimit të fruta-perimeve por në Shqipëri konsumimi i këtyre produkteve është shndërruar gati në luks.

Ndonëse jemi vendi me të ardhura me minimum jetik për frymë, të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se duke nisur që nga muaji prill, shqiptarët po paguajnë më shtrenjtë se çdo vend tjetër në rajon dhe Europë për produktet e fruta-perimeve.

Nëse krahasojmë të njëjtat periudha me vitin e kaluar në secilin produkt vihet re një rritje e ndjeshme e çmimeve.

Për shembull, në tregun e pakicës në Tiranë 1kg domate kushton 80 deri në 100 lekë të reja, ndërkohë që për të njëjtën periudhë një vit më parë 1 kg domate kushtonte 50 deri në 70 lekë reja. Apo nëse 1 kg mollë sot kushton 100 deri në 120 lekë të reja për të njëjtën periudhë të një viti më parë kushtonte deri në 80 lekë të reja. Një trend i tillë rritjeje ka përfshirë të gjitha produktet e tjera.

Situata në Tregjet me Pakicë

AgroWeb.org vëzhgoi nga afër situatën në tregjet e pakicës duke biseduar me disa tregtarë dhe konsumatorë. Shqetësimi që ndajnë është i njëjtë. Tregtarët ankohen për rritje çmimesh nga furnitorët, ndërsa konsumatorët për çmime të rritura nga tregtarët. Tregtarët konfirmojnë se këtë vit çmimet kanë pësuar një rritje të pandalshme, e pa hasur më parë pikërisht në sezonin pranverë-verë.

“E dallojmë ndryshimin në momentin e furnizimit. Paguajmë më shumë për të njëjtat produktet për të njëjtën periudhë të një viti më parë. Por nga ana tjetër, fuqia blerëse ka rënë. Nëse më parë klientët blinin disa produkte njëherësh siç janë frutat apo edhe perimet, sot limitohen e nuk blejnë më me kilogramë por në sasi të vogla dhe jo të shumë llojshme” shprehen ata për AgroWeb.org.

“Po detyrohemi të blejmë më pak. Janë shumë të shtrenjta. Vjet blinim më shumë, në këtë kohë çmimet ishin të ulëta fare, sot mendohem dy herë të marr këtë apo atë. Me aq sa paguhemi ne, këto çmime janë jashtë mundësive tona” shprehet një nga blerësit.

Më e rëndë kjo situatë bëhet për pensionistët, të cilët përherë janë shtresa më e goditur kur bëhet fjalë për rritje çmimesh. “Ne tani blejmë fruta me numra, dy mollë sot , dy pjeshkë nesër, e kështu me radhë. S’kemi ç’të bëjmë, për ne çmimet janë gjithmonë tani të larta, por tani janë bërë edhe më të larta për ne” shprehet një e moshuar teksa po zgjedh kokrrat e mollës në tezgë.

Pse Shqipëria me Çmimet më të larta?

Trendi i rritjes së çmimeve të fruta perimeve nisi në muajin prill, ku në indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK), i cili mat ndryshimin e çmimeve për familjet shqiptare brenda dhe jashtë vendit. Ky indeks rezultoi 3.6 % për Shqipërinë duke shënuar nivelin më të lartë në Europë sipas INSTAT. Sipas ekspertëve gjithçka ka të bëjë me rritjen e normës së inflacionit.

Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, luhatja nga niveli 1.9% e muajit prill tregon se inflacioni ka gjetur një lloj stabiliteti pranë kufirit të poshtëm të objektivit të Bankës së Shqipërisë. Ndërkohë, inflacioni për muajin maj u rrit lehtë në 2%, pasi kishte pësuar rënie për tre muaj radhazi. Në një afat më të gjatë krahasimi, inflacioni ka një tendencë të qartë në rritje, po të kemi parasysh se një vit më parë ishte në nivelin 0.7%.

Norma e inflacionit zakonisht matet nga Indeksi i Çmimeve, që matet nga Instituti i Statistikave për produktet e shportës, që janë ushqimet dhe të shërbimeve për të gjithë vendin dhe më pas raportohet në përqindje si rritje apo ulje. Çka e thënë më thjeshtë do të thotë se nëse kosto e të mirave dhe shërbimeve rritet, fuqia blerëse e lekut bie duke goditur në këtë mënyrë shtresën e ulët dhe të mesme të popullsisë.

Pra, për të kompensuar rritjen e çmimeve, konsumatorët priren të blejnë më pak, duke kaluar tek produkte që kushtojnë më lirë dhe të bëjnë madje edhe kilometra të tërë që të gjejnë pazare me leverdi. Kjo është veçanërisht e vështirë, në një kohë që portofoli nuk rritet me të njëjtat ritme si kosto e jetesës./AgroWeb.org